Video/ U nis nga Vlora, i shpëtoi policisë shqiptare, si u kap në Otranto skafi me 700 kg drogë

Aug 31, 2018 | 9:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ I shpëtoi ndjekjes nga Policia shqiptare, kapet në brigjet e Italisë gomonia me 700 kg kanabis.

skaf

Një operacion me sekuestrimin e një sasie rekord të lëndës narkotike dhe arrestimin e dy personave është kryer dje nga Guardia di Finanza. Gomonia bashkë me dy skafistët u kap në veri të kanalit të Otrantos, ndërsa po përpiqeshin t’i shpëtonin ndjekjes, duke rritur shpejtësinë. Ilustruese

Ilustruese

Operacioni u krye nga Guardia di Financa e Barit, e cila në bordin e gomones gjeti një sasi prej 700 kg kanabis, që në tregun e zi do të kapte një vlerë prej 7 milionë eurosh. Lënda narkotike ishte e ndarë në 32 pako të madhësive të ndryshme. Ndërsa në pranga për trafik ndërkombëtar droge u vunë dy skafistë shqiptarë.

Bëhet fjalë për D.G., 22 vjeç dhe A.R., 30 vjeç, të cilët ishin në drejtimin e gomones 8 metra të gjatë. Ndërkohë, nga ana e tyre, autoritet shqiptare bëjnë të ditur se gomonia është nisur nga brigjet e Vlorës. Por, pavarësisht se Policia Kufitare e Vlorës u vu në ndjekje të mjetit lundrues, humbi kontaktin në ujërat ndërkombëtare.

Më pas, për këtë fakt u vu në dijeni Prokuroria e Krimeve të Rënda si dhe autoritetet italiane, që çoi në kapjen e gomones. Autoritetet italiane bëjnë të ditur se në operacion kanë bashkëpunuar Guardia di Financa e stacionuar në Durrës dhe zyra e ndërmjetësimit e Policisë shqiptare në Itali.

Mësohet se gjatë sezonit veror, trafikantët kanë shfrytëzuar praninë e një numri të shumtë të barkave në brigjet e Salentos që përdoren nga turistët për t’iu fshehur Policisë. Prej fillimit të vitit 2018, autoritetet italiane kanë sekuestruar 13 barka me një sasi prej 14 tonë marijuanë, ndërsa në pranga kanë përfunduar 33 persona.

Policia e Shtetit bën të ditur se lidhur me rastin, ku janë arrestuar dy skafistët, vijojnë hetimet për zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjetin ndërkombëtar të trafikimit të drogës.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura