Minutë pas minute/ Finalja e Conference League në Tiranë – Shënohen disa incidente në Tiranë, tifozët përplasen me policinë! Gjashtë efektivë të dëmtuar

May 24, 2022 | 23:10
SHPËRNDAJE

Në Tiranë do të zhvillohet ditën e mërkurë për herë të parë Finalja e Conference League, ku në stadiumin “Air Albania” do të përballet skuadra italiane e Romës dhe ekipi i Feyenoord të Holandës.

Gazeta Panorama Sport do iu sjellë minut pas minute zhvillimet më të fundit nga finalja e Conference League.

21:51/ Tifozët holandezë qëllojnë policët me gurë dhe shkopinj! Një efektiv i dëmtuar

Festimet para finales së madhe që do të luhet mbrëmjen e nesërme në Tiranë duket se kanë marrë një tjetër rrjedhë.

TIFOZET

Burime bëjnë me dije për Panorama.al se në rrugën “Mustafa Matohiti” e cila njihet ndryshe si “Rrugica e Salës” rreth 200 tifozë holandezë të pajisur me gurë dhe shkopinj janë përplasur me policinë. Për pasojë ka mbetur i dëmtuar një efektiv në radhët e uniformave blu.

Mësohet se sherri ka nisur për shkak se policia ka ndaluar marshimin e tyre drejt stadiumit ku aktualisht ndodhen tifozët e Romës.

21:12/ Me tavolina dhe karrige në duar/ Tifozët holandezë “ndezin” atmosferën në zonën e Pedonales

Pedonalja në Tiranë, një zonë mjaft e preferuar nga kryeqytetasit, sonte flet holandisht. Tifozët e Feynoord-it janë vendosur në lokalet e kësaj pjese të Tiranës duke e kthyer të në një stadium të vogël.

Siç shihet nga pamjet, tifozët kanë marrë edhe karrige e tavolina në duar duke festuar. Ata kanë festuar në ritmet e muzikës në gjuhën e tyre duke e shoqëruar në kor me pije në duar dhe thirrje të shumta për fitore.

20:17/ Tifozët e Feynoordit rrahin brutalisht qytetarin në Tiranë

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e kësaj të marte në Tiranë. Burime bëjnë me dije se një shtetas shqiptar me inicialet A.G., 45 vjeç, është rrahur në mënyrë brutale nga tifozët e ekipit të Feynordit.

Sipas informacioneve paraprake ai është transportuar në spital për të marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor për shkak të dëmtimeve të shumta. Ngjarja ka ndodhur në një lokal te zona e “9 katësheve” në kryeqytet.

Siç duket dhe nga pamjet e mësipërme i plagosuri ndodhet i shtrirë në trotuar, i pamundur të ngrihet në këmbë dhe i mbuluar me gjak në pjesën e fytyrës.

20:04/ Tifozët festojnë me birra Tirana, media e huaj shkruan për Kryeqytetin: Në këtë kaos ka një lloj gjenialiteti

feynord roma tirana

Superndeshja e ditës së nesërme e cila do të mbahet në Stadiumin Air Albania ka mbledhur tifozët duke festuar të emocionuar për të mbështetur ekipin e zemrës në metropolin tonë të vogël.

Tifozë që marshojnë, ca të tjerë që brohorasin të ngazëllyer e ca të tjerë që mes mbështetjes, eksplorojnë Kryeqytetin e Shqipërisë. Nuk është një risi tashmë që festa e hareja ka protagoniste Birrën “Tirana”, një ndër liderët në treg, e pranishme edhe në vende ku shquhet për fanatizmin e kësaj pijeje.

Media e huaj holandeze, ka ndarë me lexuesit e saj një fotogaleri nga çdo cep i Tiranës me nga një përshkrim të impresionimeve dhe mbresave të tifozëve të huaj. Një ngjarje historike dhe një aktivitet mjaft i rëndësishëm do duhej të mbahej nën kontroll duke shijuar, Birra Tiranën.

Lexo lajmin e plotë (KLIKO KËTU)

19:49/ Trajneri i Fejnord i përgjigjet Murinjos: Nesër përballemi më lojtarë që kanë kushtuar pak më shumë

Arne Slot, trajneri i Fejnord, i ka thurur elozhe Murinjos në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes finale të Ligës së Konferencës në “Air Albania”.

TRAJNERI FEYNORDI

Por ai nuk ka ngurruar edhe të sfidojë hapur teknikun e Romës, duke kujtuar se ndryshimi është vetëm te çmimi i lojtarëve dhe se ndeshja nuk varej nga fakti se kush kishte pasur më shumë ditë pushim.

“Ne duhet të bëjmë atë që kemi bërë gjatë gjithë vitit. Por edhe Roma do të mundohet të na ndalë. Me shumë mundësi do të përdorin shumë topin e gjatë. Do të jetë interesante të shohim se si lojtarët tanë do të reagojnë në një finale”, tha ai.

Lexo lajmin e plotë (KLIKO KËTU)

19:33/ Nga Toti e Konte, tek politikanët dhe këngëtarët/ VIP-at që do të jenë në “Air Albania”

Mbrëmja e nesërme në “Air Albania” do të jetë një festë kombëtare, duke parë edhe masat e marra nga qeveria shqiptare, duke dekretuar edhe ditë pushimi për të gjithë administratën.

totti

Finalja e Ligës së Konferencës duhet mbajtur mend në Shqipëri, por pa dyshim që këtë eveniment do ta nderojnë edhe shumë figura të tjera të rëndësishme, përveç pjesëtarëve të dy skuadrave finaliste.

Priten ndër figurat më të shquara të të gjitha rangjeve, ku spikasin legjenda e Romës, Françesko Toti apo edhe Luis Figo, Antonio Konte, Zibi Bonjek etj. Ndërkohë, në “Air Albania” ka konfirmuar prezencën e tij edhe ish-kryeministri i Italisë, Masimo D’Alema, apo edhe kantautori i famshëm roman, Antonelo Venditi, një prej ultrasve më të spikatur të skuadrës verdhekuqe.

19:20/ Guida e “Air Albania”, Kujdes pijet dhe çantat që kalojnë madhësinë e një letre A4 nuk lejohen

Air-Albania

Për finalen e Ligës së Konferencës do të vijë një numër i madh tifozësh të huaj dhe jo të gjithë mund ta ndjekin ndeshjen në stadium, i cili do të mund të akomodojë rreth 19.500 persona.

Kush do të hyjë brenda “Air Albania” do t’i nënshtrohet një kontrolli të rreptë. Për futjen brenda në stadium, duke nisur nga ora 18:00, ashtu si në të gjitha finalet e UEFAs, tifozët do të jenë të pajisur me një biletë elektronike. Çdo person që ka biletën, e disponon atë në telefonin e tij inteligjent dhe kjo biletë është e pajisur me një “QR Code”, i cili aktivizohet në pjesën e jashtme të stadiumit dhe në pjesën e brendshme të stadiumit bëhet i vlefshëm.

Çdo tifoz, me këtë biletë është i sigurt që mund të hyjë. Duke qenë elektronike, kjo biletë as nuk mund të kopjohet dhe as nuk mund të falsifikohet.

Lexo lajmin e plotë (KLIKO KËTU)

19:15/ Banorët i gjuajtën me ujë e sende, tifozët e Fejnord e djegin përsëri poshtë pallatit të Berishës

Tifozët e Fejnord kanë kthyer në Fan Zone personale një nga lokalet në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë, edhe pse Fan Zone e tyre zyrtare është e vendosur në rrugën “Murat Toptani” të kryeqytetit. Ata kane zgjedhur të zhvendosen në një lokal i cili gjendet në ashtuquajturën “Rruga e Salës” pasi aty banon ish-kryeministri Sali Berisha.

Prej dy netësh, ata mblidhen aty dhe nuk reshtin së festuari me birra dhe këngë. Situatë që në natën e të hënës krijoi një incident me banorët të cilët i gjuajtën me ujë dhe sende nga ballkonet, duke sjellë edhe ndërhyrjen e policisë. Por siç shihet nga video e xhiruar pak minuta më parë nga gazetari i “Panorama Sport:, tifozët e Fejnord kanë filluar përsëri festën me këngë e birra, duke mos kursyer as tymueset në këtë Fan Zonë që kanë improvizuar.

18:51/ Ekipi i Romës zbarkon në tapetin e “Air Albania”-s (VIDEO)

Skuadra e Romës zbarkoi në stadiumin “Air Albania” në orën 17:15, aty ku të mërkurën do të përballet me Fejnordin në finalen e Ligës së Konferencës.

pjimage-140

Marash Kumbulla & CO, me në krye Zhoze Murinjo, zbritën në tapetin e blertë jo për t’u stërvitur, thjesht për të parë fushën dhe shijuar stadiumin kombëtar.

Mbrojtësi shqiptar u shfaq duke buzëqeshur nën shoqërinë e El Sharauit, teksa ajo që ra në sy gjatë momentit që Roma preku tapetin e blertë të “Air Albania”-s, ishte shëtitja nëpër fushë e sulmuesit Tami Abraham, i cili bëri provat e tij edhe të 2 traversat e portave.

18:44/ Fluks i lartë pasagjerësh në aeroportin e Rinasit, policia ndan tifozët Romës nga të Feynoordit për të shmangur përplasjet

policia-rinas5

Kjo e martë 24 maj, ka shënuar një fluks të lartë të udhëtarëve që mbërrijnë në Shqipëri përmes aeroportit të Rinasit.

Shkak për këtë është bërë finaljen e Ligës së Konferencës që do të zhvillohet mbrëmjen e të mërkurës në stadiumin “Air Albania”, mes ekipit të Romës dhe Feynoord-it.

18:28/ “Do të jetë ndeshje e madhe”, kapiteni Pellegrini karikon Romën para finales: Jemi këtu për të fituar…

pellegrini

Kapiteni i Romës, Lorenco Pelegrini, ishte i pranishëm në konferencën për shtyp në prag të finales së Konferen Ligës, ndaj Fejnordit, që do të zhvillohet në Tiranë ditën e mërkurë.

Mesfushori roman, u premtoi tifozëve se verdhekuqtë do të bëjnë gjithçka për të fituar këtë trofe historik.

18:18/ Bllokohen në bordin e avionit pasagjerët e linjës Bari-Rinas, ja shkaku

 

Pasagjerët e linjës Bari-Rinas, ndodhen prej disa minutash të bllokuar në bordin e avionit edhe pse ky i fundit është ulur në pistën e aeroportit.

Burime bëjnë me dije se pasagjerët niodhen të bllokuar në avion, pasi nuk ka më autobuza në dispozicion për t’i transportuar drejt terminalit të aeroportit.

18:01/ Mourinho në konferencë për shtyp: Do të bëjmë të pamundurën për të shkruar historinë

Murinjo flet para finales me Fejnordin në ambjentet e stadiumit “Air Albania”.

17:55/ Finalja historike e Ligës së Konferencës/ Ceferin dhe Boban zbarkojnë në Tiranë

E gjithë vëmendja e Europës është tashmë në Tiranë, ku ditën e mërkurë, do të luhet finalja e parë në histori e Ligës së Konferencës. Të pranishëm për këtë evenimet madhështor futbollistik, do të jenë dhe presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin dhe legjenda kroate Zvonimir Boban.

boban ceferine

Të dy këta personazhe të rëndësishme të botës së futbollit kanë zbarkuar në Tiranë, dhe janë pritur nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka. “Mireprita pak minuta më parë Presidenti Ceferin dhe legjendën Zvonimir Boban. I garantova se do kalojnë një kohë fantastike në Shqipëri dhe organizimi jonë do të jetë perfekt”, shkruan Duka.

17:46/ Autobusi i Romës mbërrin në Tiranë, skuadra e Murinjos hyn drejt stadiumit “Air Albania”

Udhëtimi i skuadrës së Romës nga Rinasi për në Tiranë duket se ka shkuar pa asnjë problem, teksa autobusi i ekipit verdhekuq ka mbërritur në stadiumin “Air Albania”.

Me anë të disa videove të siguruara nga “Panorama”, shikohet se si skuadra e drejtuar nga Zhoze Murinjo shkon drejt hyrjeve të fushës së stadiumit.

17:24/ Zbarkon dhe finalisti i dytë, Kumbulla me shokë shkelin në Rinas

 

Pas Fejnordit, edhe skuadra e Romës ka zbarkuar në Rinas. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, klubi italian tregon lojtarët verdhekuq teksa zbresin nga avioni

16:58/ Presidenti i UEFA-s: “Air Albania”, stadium i mrekullueshëm! Tani të rinjtë mund të ëndërrojnë që…

air albania

Këto ditë Shqipëria është kthyer në qendër të vëmendjes, pasi ditën e nesërme në stadiumin “Air Albania” do të luhet finalja e madhe e Conference League mes Romës dhe Feynoord.

UEFA ka postuar në rrjetet sociale, stadiumin duke thënë se është i mrekullueshëm dhe se të rinjtë tashmë mund të ëndërrojnë që një ditë të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë stadium të mrekullueshëm.

16:51/ FOTO/ Gati për të gjykuar finalen, arbitrat vizitojnë të parët fushën e stadiumit “Air Albania”

arbitrat

Arbitrat e përzgjedhur për finalen e Ligës së Konferencës, janë të parët që kanë vizituar fushën e stadiumit “Air Albania”.

Rumuni, Istvan Kovaç, i cili do të ndihmohet nga Vasil Florian Marinesku dhe Ovidiu Artene, shikohen teksa ecin në fushën e blertë ku do të Roma dhe Fejnordi do të masin forcat për trofeun më të ri europian.

16:28/ Shpaloset posteri i madh për teknikun e Romës, Veliaj: Mourinho, mirë se erdhe në Romën e vogël

muro

Shqipëria po numëron orët e fundit, para nisjes së finales së madhe të Conference League, e cila do të zhvillohet nesër në “Air Albania”, ku Roma do të përballet me skuadrën holandeze të Feyenoord.

Ka qenë Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili ka publikuar një poster të madh me foton e teknikut të Romës, Mourinho.

15:57/ Tifozët tek sheshi “Skënderbej” në radhë për kupën dhe për të luajtur futboll

Në sheshin “Skënderbej” vazhdon që atmosfera të jetë e ndezur në prag të finales së madhe të Ligës së Konferencës që do të luhet në stadiumin “Air Albania”.

Edhe pse temperaturat janë të larta, tifozët vazhdojnë të përjetojnë atmosferën në qendrën e kryeqytetit.

Nga pamjet e siguruara nga “Panorama Sport”, shikohet se ata qëndrojnë në radhë për të bërë foto me trofeun e Ligës së Konferencës dhe gjithashtu për të luajtur një ndeshje futbolli.

15:13/ Skuadra e parë zbarkon në Rinas

Fejnordi bëhet skuadra e parë që ka zbarkuar në Rinas dhe këtë e ka treguar me anë të një postimi në “Twitter”.

“Arritëm në Shqipërinë e bukur”, shkruan klubi holandez.

Me anë të disa pamjeve të siguruara nga “Panorama Sport”, shikohet se si skuadra futet në autobus dhe niset nga Rinasi me autobus drejt Tiranës, ku do të akomodohen në hotel.

15:00/ Huliganët e Romës gjuajnë me shishe tek Rruga e Durrësit

Kanë filluar problemet në Tiranë nga mbështetësit huliganë të Romës, të cilët fillojnë të gjuajnë me shishe.

Me anë të disa pamjeve të siguruara nga “Panorama Sport”, shikohet që në zonën e “Piacës” pranë qendrës, disa huliganë gjuajnë me shishe qelqi dhe plastike, si duket pas disa konfliktesh.

U desh ndërhyrja e forcave të rendit për të qetësuar disi situatën dhe për t’i larguar ata nga zona.

14:02/ “Fanzone”-i i mbështetësve të Romës bëhet gati, fillojnë montimet për ekranin e madh në Amfiteatrin e Tiranës

fan zone

Në Amfiteatrin e Tiranës kanë filluar nga punët për të vendosur ekranin e madh për tifozët e Romës që do të mblidhen për ta parë ndeshjen aty, ku është dhe “fanzone”-i i tyre.

Me anë të disa fotove të siguruara nga “Panorama Sport”, shikohet se ka filluar puna duke vendosur skelat për ekranin e madh dhe pritet që deri të nesërmen në mëngjes, çdo gjë të jetë e përfunduar.

13:38/ Huliganët e Fejnordit përdhosin autobusin e Romës në Tiranë

Duket se sfida midis Romës dhe Fejnordit do të jetë më e ndezur nga se pritet, me tifozët që priten të dhurojnë emocione dhe nga shkallët e stadiumit “Air Albania”.

pjimage-1310

Por si duket ka dhe nga ata huliganë që ndoshta mund të shkaktojnë probleme. Dy prej tyre, të cilët ishin holandezë, kanë përdhosur autobusin e skuadrës italiane, duke kryer nevojat e tyre dhe duke e filmuar këtë skenë, përballë hotelit ku do të grumbullohet skuadra e Romës në Tiranë.

7:31/ Telashet me tifozët e Fejnord poshtë shtëpisë së Sali Berishës

Nisën telashet e para me tifozët që kanë mbërritur në Shqipëri për finalen e Ligës së Konferencës.

Dhe ashtu siç ndoshta parashikohej, problemet kanë nisur me tifozët e Fejnord. Këta të fundit kanë pushtuar që prej ditës së diel lokalet në rrugën “Mustafa Matohiti” në kryeqytet, e ashtuquajtura ”Rruga e Salës” për faktin se atje banon ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha.

Por duket se banorët në pallatin e ish-kryeministrit nuk e kanë pritur mirë zhurmën deri në orët e vona të së hënës.

“Panorama Sport” mëson se nga ballkonet i janë hedhur ujë dhe sende të tjera për t’i bindur që të largohen por pa shumë sukses.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura