VIDEO/ “Spitalet në gjendje emergjente”- Basha prezanton planin për të përballuar një valë tjetër me covid: Çdo mjek dhe infermier të marrë bonuesin prej…

Sep 29, 2020 | 11:19
SHPËRNDAJE

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka prezantuar planin për përballimin e situatës nga koronavirusi.


Sipas tij, në gjashtë muajt e ardhshëm, çdo mjek dhe infermier duhet të marrë bonuesin e premtuar përkatësisht prej 1 mijë dhe 500 euro.

Basha thotë se situata në spitale është emergjente, ndërsa një spital i tretë Covid është fantazmë.

Basha: As Partia Demokratike dhe as unë nuk i vëmë faj kryeministrit për shpërthimin e pandemisë, por për mënyrën si e ka menaxhuar. Orë të tëra harxhohen me propagandë, ndërkohë që njerëzit vuajnë. Qeveria ka zero përgjigje për këtë situatë. Detyra jonë nuk është vetëm të tregojmë problemet, jemi këtu për të prezantuar planin për rimëkëmbjen me pesë hapa kundër krizës, e cila është përgjigja që ne do t’i jepnim situatës nëse do të ishim në krye të qeverisë dhe ftesa që i bëjmë qeverisë këto 6 muajt e fundit.

Mbështetje dhe përgatitje e sistemit shëndetësor, i cili është hartuar nga specialistët më të mirë. Një plan i detajuar me katër pika kryesore. Rritja me 2500 testime në ditë. Jemi me vendin me numrin më të ulët të testimeve, kjo është recetë për katastrofë.

Rimbursimi i plotë për mjekimin ambulator për të sëmurët me kovid. Asgjë që iu nevojitet për tu kuruar nuk rimbursohet nga shteti. Pika e tretë ka të bëjë me pajisjet mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor. Mjekët e familjes dhe spitalet janë në gjendje emergjence për pajisjet mbrojtëse.

Është bërë një spital i tretë covid fantazmë me vetëm mure të lyera dhe nuk është gati për një valë të tretë. Pika tjetër është 1 mijë euro për mjekët dhe 500 euro për çdo infermier për 6 muajsh e ardhshëm. Meqë ka zgjedhur terminologjinë e luftës, ushtrinë e rraskapitur në 6 muaj përpjekje ta motivojë dhe ta përgatis për atë që po vjen. Çdo mjek duhet të marrë bonuesin e premtuar prej 1 mijë eurosh dhe çdo infermier prej 500 eurosh.  

Plani ekonomik i Partisë Demokratike

Pika e parë e planit të PD

1. Mbështetje dhe përgatitje e sistemit shëndetësor: Përgatitja për një shpërthim tjetër të infeksionit të COVID-19, duke:

a)Rritur numrin e testimeve për COVID në 2500 testime në ditë.

b)Reimbursim i plotë për marrjen e mjekimit ambulator kundër COVID.

c)Sigurimin e paisjeve mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor dhe rritjen e kapaciteteve spitalore.

d)Bonus 1000 Euro për çdo mjek dhe 500 euro për çdo infermier për 6 muajt e ardhshëm.

Pika e dytë

2. Fëmijët tanë të arsimohen të sigurtë: Të garantojmë që fëmijët dhe mësuesit në shkollë të jenë të sigurtë, duke:

a)Përmirësuar kushtet sanitare në shkolla duke përfshirë furnizimin me ujë, paisjen me maska mbrojtëse dhe dezinfektimin e rregullt të ambienteve mësimore.

b)Kryer testimin periodik për mësuesit dhe stafin ndihmës.

c)Investuar në teknologji për rastet kur mund të aplikohet mësimi në distancë, përfshirë ndihmën për familjet me të ardhura të ulta për të blerë tableta për fëmijët e tyre, në mënyrë që edhe ata të përfitojnë nga mësimi në distancë.

Pika e tretë

3. Asnjë shqiptar të mos lihet pas dore:

a)Të mbështesim ata që kanë humbur vendin e punës. Çdo individ që ka humbur vendin e punës nga pandemia gjatë këtij viti, të përfitojë një çek mujor prej 16 mijë lekë të reja në muaj, përvec pagesës ligjore për papunësinë, për një periudhë prej 6 muajsh.

b)Krijimi i një Fondi të Punësimit për të mbështetur bizneset për të rimarrë në punë të larguarit gjatë pandemisë, duke i alokuar cdo punëdhënësi që rimerr në punë një individ që ka humbur vendin e punës prej pandemisë, një shumë mujore prej 20 mijë lekë të reja në muaj për një periudhe prej 6 muaj.

c)Dyfishimi i ndihmës ekonomike për çdo familje që trajtohet me ndihmë ekonomike.

d)Çdo pensionist të përfitojë një çek mujor prej 2 mijë lekë të reja në muaj për përballimin e kostove shtesë të pandemisë, për 6 muaj.

Pika e katërt

4. Ndihmë për biznesin e vogël: Mbështetje e drejtpërdrejtë për të gjitha bizneset e vogla të prekura nga pandemia. Çek prej 1000 euro për çdo biznes të vogël aktiv.

Pika e pestë

5. Mbështetje për biznesin prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj:

a)Për 6 muajt e ardhshëm, subvencionim i 50% të qirasë për ambjentet e punës ose heqje e taksës së pronës për bizneset pronare të ambienteve të punës.

b)Shtrirja në kohë dhe rikonceptimi i kritereve të përfitimit nga të dy skemat e garancisë sovrane, për ta bërë më të aksesueshme dhe të përballueshme kredimarrjen nga biznesi. Përcaktimi i një tavani prej 2% të normës së interesit për biznesin, duke subvencionuar çdo përqindje mbi këtë vlerë në kredimarrjen për investime dhe shpenzime operative.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura