VIDEO/ Rrëfimi i Pjetër Arbnorit për jetën dhe karrierën: Nuk kam dhimbje për të kaluarën

Jul 25, 2018 | 21:10
SHPËRNDAJE

Ai është cilësuar si “Mandela i Ballkanit”, pasi kaloi mbi 28 vite të jetës së tij në burgjet komuniste. Pjetër Arbnori është ndarë nga jeta prej korrikut të vitit 2006-të. Ai ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga viti 1992 deri në vitin 2005. U zgjodh kryetar i Kuvendit pas zgjedhjeve të vitit 1992 si dhe pas atyre të vitit 1996.

Më 19 Korrik 2018, u përurua në ambientet e parlamentit busti i Pjetër Arbnorit në nderim të figurës dhe veprës së tij në një cermoni përkujtimore që bëri bashkë të majtët dhe të djathtët e politikës shqiptare. Arbnori u zgjodh të drejtonte seancën e parë të Kuvendit më 4 Prill të vitit 1992 dhe qëndroi në detyrën e kryetarit të Kuvendit deri në vitin 1997.

Në vitin 1998 Arbnori ka folur “pa doreza” në një intervistë përballë gazetarit Blendi Fevziu ku rrëfen detaje rreth jetës së tij.

arbnori-1-768x541

Pjesë nga intervista 

Blendi Fevziu: Të nderuar teleshikues mirëmbrëma. Ju flas nga studio e Televizionit Klan në këtë intervistë të drejtpërdrejtë me Zotin Pjetër Arbnori, ish-kryetar i Parlamentit shqiptar në vitin 1992-1997. Aktualisht sekretar i Marrëdhënieve Publike i Partisë Demokratike dhe sekretar i komisionit Parlamentar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Zoti Arbnori mirmbrëma dhe mirë se keni ardhur.

Pjetër Arbnori: Mirëmbrëma.

Blendi Fevziu: Ashtu siç edhe e keni ndjekur nga spoti i transmetuar sot pasdite, intervista me Zotin Arbnori nuk do të jetë një intervistë që i takon vetëm zhvillimeve politike të momentit, nisur nga fakti që ai është Sekretar i Marrëdhënieve me Publikun dhe një nga drejtuesit e lartë të kësaj partie. Do të jetë një intervistë në të cilën do të përqëndrohemi në gjithë karrierën e Zotit Arbnori, duke nisur që nga vitet e para të studimeve e deri tek zhvillimet e sotme politike. Pra, do të jetë një intervistë e cila do të përfshijë edhe ngjarje të dhimbshme për jetën tuaj Zoti Arbnori, duke përfshirë vitet e burgut, arsyen për të cilën u burgosët dhe më pas daljen nga burgu. Sidoqoftë, kjo do të jetë një nga intervistat e para ku ju flisni direkt për teleshikuesit për një problem të tillë.

Pjetër Arbnori: Unë ju flas me kënaqësi. Zakonisht unë nuk kam dhimbje për të kaluarën, i mar me qetësi ngjarjet, qofshin të mira apo të këqija. Do të them që në shkollë kam patur fat. Kam patur mësues të shquar. Klasën e parë e kam bërë në mësonjëtoren e parë shqipe të Korçës. Kam shkuar edhe më vonë e kam vizituar këtë shkollë, klasën ku kam qenë. Kam patur një mësuese të dobët, që quhej Erifili mos gabohem.

Blendi Fevziu: Zoti Arbnori ç’kërkonit ju në Korçë, ju jeni nga Shkodra mos gaboj dhe keni jetuar në Shkodër.

Pjetër Arbnori: Babai im ka qenë oficer, ka qenë me shërbim në Korçë dhe unë e kam bërë klasën e parë në Korçë dhe pastaj kam bërë klasën e dytë, të tretë dhe të katërt në Shkodër. Më vonë unë kam qenë në shkollën Jezuite ku kam patur drejtor Anton Lulin, një mësues i shquar që ka bërë 40 vite burgje dhe internime. Kam patur fatin ta përcjell edhe në banesën e fundit. Veç kësaj kam patur mësues të shquar si Zef Harapin, Kardinalin Mikel Koliqi, Tonin Harapin, kompozitor me të cilin kam qenë më vonë në orkestër, ai i binte pianos unë i bija violinës, ai i binte shumë mirë, unë i bija shumë keq.

Blendi Fevziu: I keni rënë shumë vite violinës Zoti Arbnori?

Pjetër Arbnori: I kam rënë disa vite. Do t’iu tregoj edhe një herë për historinë e violinës. Unë u futa të mësoj violinë me shpresën që do të marr triskën 900 gramëshe për bukë dhe triskën A të ushqimit dhe ky ishte një favor i madh.

Të plotë dhe me video e gjeni në: https://tvklan.al/video-arkiv-jeta-dhe-karriera-rrefimi-i-pjeter-arbnorit-ne-opinion/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura