Video që për pak sa nuk erdhi nga Spanja

Mar 24, 2020 | 11:10
SHPËRNDAJE

Eno Bozdo, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës

Nga ENO BOZDO

 Ndoshta video ka qene një gabim njerëzor. Ka shumë gjasa të ketë qënë vërtet kështu.

Thelbi i çështjes në fakt nuk është ngatërresa e videos në vetvete sesa nxitimi i kryeministrit për ta postuar atë. Pa u kujdesur fare më parë, jo më shumë për vërtetësinë e videos (të gjithëve na ka ngjarë të marrim të mirëqënë një informacion që vjen nga një mik), sesa për mesazhin që ajo përcjell.

Mesazhi parësor që video përcjell është dhuna, e pastër, e hapur, në mes të ditës dhe në sy të opinionit, dhe mbi të gjitha dhuna e justifikuar. Të paktën sipas standardit të kryeministrit.

Po, ne e dimë se kryeministri ynë beson tek dhuna e “justifikuar”. E ka bërë këtë gjithmonë, në çdo vit të qeverisjes së tij. E ka bërë me të pamundurit që s`kishin para për të paguar energjinë, e ka bërë me ata që vinin një tullë për të rregulluar shtëpitë e tyre, e ka bërë më zgjedhjet dhe mbi të gjitha e ka bërë me protestat e opozitës.  E ka bërë vazhdimisht, sepse ai vërtet beson që dhuna e justfikuar është e nevojshme.  E “justifikuar” sigurisht sipas standardit të tij.

Prandaj kryeministri nxitoi dhe e postoi videon. Sepse ajo përcilllte pikërisht këtë mesazh! Dhe kryeministri përcjell mesazhe, në çdo veprim që ai bën apo fjalë që ai lëshon.

Le t`i kthehemi thelbit të problemit. Ka dy pyetje të cilat gjithsecili nga ne duhet t`ia bëjë vetes: a është gjuha e dhunës mënyra e vetme për të menaxhuar këtë krizë dhe për ta mposhtur pandeminë, dhe, a kemi nevojë për një lidership që e bazon mesazhin e tij të kuptuar dhe të nënkuptuar, në dhunën verbale?

Për të gjithë ata që mendojnë se këto fjalë janë një ekzagjerim opozitar dhe se opozita mezi pret të godasë politikisht Edi Ramën në një çast të papërshtashëm, në këtë situatë ku uniteti duhet të mbizotërojë, ju siguroj se është shumë gabim. Nuk kam aspak një qëllim të tillë, madje qëllimi im është pikërisht i kundërti.

E vërteta është se mesazhet e deritanishme të kryeministrit janë mesazhe ku dhuna është dominante. Jo vetëm dominante, por ndoshta edhe forma e vetme e komunikimit publik që kryeministri ka zgjedhur. Sigurisht ajo është verbale, jo fizike (si në rastin e videos) dhe vjen në forma dhe përmbajtje të ndryshme.

Komunikimi i dhunës apo komunikimi i dhunshëm vjen disa herë i fshehur nën petkun e “masave të domosdoshme”, herë të tjera si nënkuptuar për hir të një të keqe madhore (më shani sa të doni, por kjo është e vetmja rrugë), dhe disa herë gjoja i zhvleftësuar (do të desha të mos kisha këtë pozicion në këto rrethana, por s`mundem t`i bëjë bisht përgjegjesisë).

A është ky komunikimi që duam të dëgjojmë? A është ky komunikimi për të cilin kemi nevojë në këto çaste të vështira dhe shumë të pasigurta? Mund t`i përgjigjesh teorikisht kësaj pyetje në një mijë mënyra, por besoj se modelin apo modelet referuese i shohim dhe i dëgjojmë cdo ditë. Janë liderët e vendeve të tjera, Italisë, Greqisë, Gjermanisë, Spanjës etj. I shohim ata përditë në të gjitha edicionet e lajmeve dhe analizojmë dallimet.

Rrethanat ofrojnë një bazë shumë të mirë krahasimi sepse asnjëherë tjetër një shumicë kaq e madhe vendesh nuk ndodhet ekzaktësisht në të njëjtat rrethana të vështira, përballë të njëjtit kërcënim, duke pësuar dhe vuajtur të njëjtat pasoja.

Asnjë kryeminister evropian apo me gjërë nuk zgjedh të komunikojë me gjuhën rënduese të dhunës. Nuk kam dëgjuar asnjërin prej tyre të përmendë pafund gjobat, arrestimet, turpërimet apo edhe përdorimi i gazit lotsjellës.  Përkundrazi mesazhi i tyre është i thjeshtë, i drejtpërdrejtë, aspak dramatik por shumë serioz në të njëjtën kohë. Referenca nuk është dhuna por përgjegjesia inividuale. Individi nuk trajtohet duke i treguar shkopin por duke i kërkuar të ushtrojë përgjegjesitë individuale, si një qënie e lirë njerëzore me dinjitet dhe integritet. I bëhet thirrje ndjenjave fisnike njerëzore, humanizmit, sakrificës, unitetit, të mirës së përgjithshme, familjes.

Tani vijmë tek cështja e dytë: cili tip lidershipi do të ishte i vlefshëm në këtë kohë?

Kjo pandemi është sfida më e madhe e kombeve të zhvilluara që prej Luftës së Dytë Botërore. Kështu u cilësua nga kryeministrat Merkel dhe Conte. Si në çdo sfidë të tillë, përmasat e lidershipit duhet të përkojnë me përmasat e rrethanave.

Për fat të keq në këtë pikë ne po shkojmë drejt humbjes së luftës. Qëndrimi i kryeministrit tonë nuk ngjall rezistencë apo mobilizim, as edhe shpresë për qytetarët. Por të mos folur për optimizëm. Kryeministrit tonë këtu i mungon thelbi: i mungon aftësia e tij për të induktuar dhe zgjuar empocione pozitive tek shqiptarët. Në të kundërt, komunikimi i tij ia del mbanë “mjeshtërisht” për të ngjallur pasiguri dhe panik.

Në një krahasim thellësisht pa vend do të kujtoja se ishin fjalimet e Churchill që ngritën peshë zemrat dhe rezistëncën e anglezëve. Ishte fjalimi i famshëm i Stalinit i cili mobilizoi Bashkimin Sovjetik në luftën kundër agresorit. Ishte fjalimi i fortë dhe pa kompromis i Roosvelt në Kongres që mobilizoi atdhetarizmin amerikan pas Pearl Harbor. Krahasimet janë sigurisht pa vend, por roli i lidershipit nuk ka ndryshuar.

Për fat të mirë Shqipëria nuk është në luftë, por shqiptarët janë të rrezikuar thuajse si në luftë. Ndërkaq, ajo që po ndodh në veri të Italisë është një kronikë e pastër lufte. Ka shumë të ngjarë që kjo situatë të përfshijë edhe Shqipërinë. Në një rast të tillë do të kemi nevojë për një lloj thellësisht të ndryshëm lidershipi.

Në një rast të tillë (që mos ardhttë kurrë) nuk do të pijnë aspak ujë fjalimet nga shtëpia kur të gjithë presin ta shohin kryeministrin (të paktën fizikisht) në zyrë, në krye të detyrës. Është thellësisht pashpresë fakti që kryeministri të vazhdojë të sillet siç po sillet sot, njëherazi ministër i brendëshëm, i mbrojtjes, i shëndetësisë, ekspert virolog etj.

Është po kaq i pabesueshëm fakti që kryeministri ynë është i vetmi kryeministër në Evropë që nuk e ka ftuar (as për të larë gojën) opozitën për të dëgjuar me seriozitet propozimet e saj, por i ka përqeshur pavarësisht se më vonë ia kopjon ato të tëra.

Lidershipi ynë duhet të ndryshojë rrënjësisht përballë asaj që po shfaqet në horizont. Jo larg por në krye të disa javëve. Por nuk besoj se kryeministri do të ndryshojë. Ai beson fort tek dhuna dhe bullizmi dhe besimet në moshën e tij janë shumë të vështira për tu ndryshuar. Në fund të fundit këto janë limitet e tij dhe ne duhet t`i pranojmë ato.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura