VIDEO/ Policia i zbulon heroinën në shtëpi, klienti spiunon shitësin. Kush janë 2 të arrestuarit

Jun 23, 2018 | 22:17
SHPËRNDAJE

MIRANDA SADIKU/ Dy të rinj janë kapur në flagrancë nga Policia e Elbasanit me heroinë. Redi Zeneli kishte lënë takim me Marius Tabakun për shkëmbimin e dozës së drogës së fortë me paratë.

1

24-vjeçari Zeneli ishte në rolin e shitësit, ndërsa 27- vjeçari Tabaku në rolin e blerësit dhe përdoruesit të heroinës. Forcat e policisë, në bazë të informacioneve të siguruara, ndërhynë pasi Tabaku kishte marrë drogën. Gjatë kontrollit të këtij të fundit, specialistët e Hetimit të Narkotikëve i gjetën Marius Tabakut një dozë lënde drogë e llojit heroinë.

Nga verifikimet dhe marrja në pyetje e 27-vjeçarit, rezultoi se ai e kishte blerë drogën nga shtetasi Redi Zeneli. Me të mësuar këtë informacion, forcat e policisë ndaluan 24-vjeçarin Zeneli, si dhe ushtruan kontroll në banesën e tij.

Nga kontrolli në banesën e tij në lagjen “Syrja Dylgjeri”, rezultoi se janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi pluhuri e dyshuar si lëndë narkotike e llojit heroinë, (gjithsej 26 doza), një peshore elektronike dhe një sasi vlere monetare prej 12 000 lekësh, të cilat i ka siguruar nga aktiviteti i paligjshëm i shitjes së lëndës narkotike. Për forcat e policisë, 24-vjeçari Zeneli nuk është një emër i panjohur. Ai rezulton i dënuar më parë për veprën penale të ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në maj të vitit 2013, kur ishte vetëm 21 vjeç, Redi Zeneli u arrestua bashkë me një tjetër të ri në kushtet e flagrancës. Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit personal iu gjetën 30 (tridhjetë) doza lëndë narkotike e llojit heroinë. Ndaj tij tashmë rëndon e njëjta akuzë sërish, ndërsa 27-vjeçari Tabaku do të akuzohet për “Moskallëzim të krimit”.

“Nga ana e specialistëve të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, u realizua dhe u dokumentua me prova ligjore operacioni policor për veprat penale, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe “Moskallëzimi i krimit”, ku janë arrestuar në flagrancë shtetasit: Redi Zeneli, 24 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar më parë për veprën penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe Marius Tabaku, 27 vjeç, banues në qytetin e Elbasanit. Në bazë të informacioneve të marra nga specialistët e Hetimit të Narkotikëve, shtetasit Marius Tabaku gjatë kontrollit i është gjetur një dozë lëndë narkotike e llojit heroinë. Nga verifikimet në rrugë operative rezultoi se e kishte blerë nga shtetasi Redi Zeneli”, bën të ditur zyrtarisht Policia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura