VIDEO/ PD: Parcela me kanabis afër Rinasit mbrohet nga Rama

Sep 5, 2016 | 11:51
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike akuzoi sërish sot kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm Tahiri lidhur me një parcelë me kanabis 2 km larg aeroportit të Rinasit.

Enkelejd Alibeaj deklarate

Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj tha në një deklaratë për mediat se kjo parcelë ka mbrojtje shtetërore.

“Pas denoncimit dy ditë më parë nga kjo foltore, me prova, me foto e me video, për 50 mijë rrënjë drogë 2 kilometra larg Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, Edi Rama heshti. Dhe Tahiri i tij, që së fundmi organizon ture festive nëpër ca parcela me kanabis, nuk u shfaq. Pse? Sepse këto 6 hektarë me drogë, 2 kilometra larg Rinasit, 20 kilometra larg zyrës së Edi Ramës, janë me leje. Janë të paprekshme. Janë të Bushit. Të gjithë kanë dijeni, nga operativi i zonës, tek polici që ka shtëpinë ngjitur, shefi i komisariatit, drejtori i policisë, Tahiri, Rama; por e fshehin, e ruajnë, dhe po bëhen gati ta vjelin e ta hedhin në treg”, tha Alibeaj.

Sipas tij “pas denoncimit tonë dy ditë më parë, policia ka bërë sikur ka ndërhyre në një pjesë të parcelës. Ndërkohë që pjesa më e madhe qëndron aty dhe po nxitohet të mblidhet, edhe në këtë moment që flasim. Ky është sundimi i bandës së drogës në vend. Biznesi kriminal që bëhet në zemër të vendit, me lejen e Edi Ramës i cili është në krye të skemës së 30 përqind të përfitimit. Ka ardhur koha që shqiptarët të bashkohen, të ngrihen e të pastrojnë vendin nga droga, nga trafikantët, e nga kumbarët në qeveri. Shqipëria meriton zhvillim e punë të ndershme, jo krime e drogë. Shqipëria dhe shqiptarët më mirë pa Edi Ramën”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura