VIDEO/ Operacioni, zbardhen rolet e të arrestuarve. Policia: Do të vrisnin djalin e pronarit të hotelit

Aug 15, 2020 | 8:41
SHPËRNDAJE

DHORJELA ÇULE/ Sulmi i bërë ndaj hotel “Volorekës” në Pogradec më datë 8 gusht është mundur të zbardhet nga ana e Policisë dhe autorët të përfundojnë në pranga.

Policia njoftoi dje zyrtarisht se është arrestuar edhe organizatori i dytë i kësaj ngjarjeje, Meard Berberi, vëllai i Ilir Berberit, i cili ka pasur qëllim vrasjen e djalit të pronarit të hotel “Volorekës”.

Po ashtu, Policia ka vënë në pranga edhe personin që qëlloi me 100 plumba në drejtim të hotelit, ku dëmet materiale ishin të shumta, por fatmirësisht pa dëmtime në njerëz. Ekzekutori i ngjarjes është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve në Lushnjë, si dhe për vjedhjen me dhunë të një automjeti në Korçë.

Si u arrestuan autorët

Operacioni është zhvilluar nga Policia Korçë, Komisariati i Policisë Pogradec, Policia Tiranë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale, nën Drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec.

Shkon në 7 numri i të ndaluarve në kuadër të këtij operacioni. Kapet dhe vihet në pranga organizatori tjetër i ngjarjes së ndodhur në Tushemisht, ekzekutori i saj dhe një bashkëpunëtor i tyre.

Ekzekutori i ngjarjes, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve në Lushnjë, si dhe për vjedhjen me dhunë të një automjeti në Korçë. Sekuestrohen armë zjarri, armë të ftohta, armë gjuetie, sasi me municion luftarak, krehra, dokumente të dyshuara si të falsifikuara dhe sasi monetare.

Si rezultat i punës hetimore dhe provave të mbledhura, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar Driloni”, në kuadër të të cilit në fazën e parë u ndaluan 5 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec vijoi hetimi proaktiv për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e organizatorit tjetër të kësaj ngjarjeje dhe personave të tjerë të përfshirë.

U arrit të lokalizohej baza ku fshihej organizatori dhe persona të tjerë të përfshirë në ngjarjen në Tushemisht.

Si rezultat, strukturat për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, në bashkëpunim të ngushtë me DVP Tiranë, Komisariatin e Policisë Pogradec, Forcat e Posaçme Operacionale në DPPSH, si dhe Repartin Special RENEA, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, falë koordinimit të veprimeve dhe përdorimit të dronit, finalizuan me sukses fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Driloni”, si rezultat i të cilit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: Meard Berberi, 34 vjeç, banues në Pogradec (person me precedentë të theksuar kriminalë në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës); Anterio Kaloshi, 29 vjeç, banues në Lushnjë (person me precedentë të theksuar kriminalë në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës); Ervin Kalaja, 40 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”).

Shërbimet e Forcave Operacionale kanë bërë kapjen në flagrancë të tyre në zonën e Linzës, Tiranë, në garazhin e shtetasit Ervin Kalaja, i cili dyshohet se ka përkrahur pas kryerjes së krimit shtetasin Meard Berberi, duke i mundësuar kushte dhe mjete për jetesë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient, këtyre shtetasve iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 armë zjarri tip pistoletë, 1 armë gjuetie, 1 thikë, krehra, sasi municioni luftarak, të cilat i posedonin pa leje, dokumente të dyshuara si të falsifikuara, sasi monetare në lekë dhe euro. Gjithashtu, janë sekuestruar pjesë të ndryshme të armëve të zjarrit, që dyshohet se janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale, të cilat do të dërgohen për ekzaminim në laboratorin shkencor.

Shtetasi Meard Berberi, në bashkëpunim me shtetasin Ilir Berberi, të dy në rolin e organizatorëve, si edhe shtetasi Anterio Kaloshi në rolin e ekzekutorit, më datë 08.08.2020, dyshohet se kanë tentuar të vrasin me armë zjarri djalin e pronarit të hotelit, shtetasin J. M., ku si pasojë e të shtënave me armë janë dëmtuar godina e hotelit dhe 7 automjete të parkuara pranë tij.

Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura