VIDEO/ Nuk kanë fund surprizat! Dominimi s’mjafton, Laçi i dhuron 1 pikë Apolonisë

Mar 8, 2021 | 14:50
SHPËRNDAJE

Është mbyllur në barazim 1-1 sfida mes Laçit dhe Apolonisë e vlefshme për javën e 23-të të Kategorisë Superiore. Pavarësisht dominimit në të dyja pjesët e lojës, kurbinasit ishin të pafat! Një dalje e gabuar e portierit Sherri, i kushtoi shtrenjtë skuadrës së Shpetim Duros, duke humbur mundësinë e artë për të marrë kryesimin e kampionatit.

bandicam 2021-03-08 14-46-35-939

Juljan Shehu ishte autori i golit për skuadrën kurbinase. Pas kombinimit me Mazrekajn, futbollisti goditi saktë, duke kaluar përkohësisht në avantazh bardhezinjtë. Një avantazh ky që nuk u menaxhua siç duhet nga vendasit, të cilët u ndëshkuan me kokë nga Diop.

bandicam 2021-03-08 14-05-51-607

Me këtë barazim Laçi shkoi në kuotën e 41 pikëve, duke u pozicionuar në vendin e 3-të. Ndërkohë Apolonia ka barazuar me pikë Skënderbeun e vendit të fundit.

FT: LAÇI-APOLONIA 1-1

Shehu 46′  / Diop 88′ 

KOMENTI LIVE: 

Përfundon ndeshja! 

90+5′ Ignjatoviç ndëshkohet me karton të verdhë për faull taktik ndaj Mario Gjatës.

90+3′ Obanor provon të surprizojë me një gjuajtje nga distanca, por jashtë kuadratit.

90+2′ Diop ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar ndaj Malotës.

90′ Akordohen 5 minuta shtesë.

88′ GOOOOOL APOLONIA 1-1/ Shtanget skuadra kurbinase. Diop gjen golin e barazimit. Në festë fierakët. Futbollisti afrikan përfiton nga dalja e gabuar e Sherrit, duke tundur rrjetën me kokë.

83′ Zëvendësim te Laçi, largohet Lushkja, vendin e tij e merr Ignjatoviç.

82′ Tjetër kombinim i bukur Mazrekaj-Shehu, ky i fundit provon me një gjuajtje, e cila devijohet nga Diop. Futbollisti i Apolonisë për pak sa nuk shkakton autogol.

81′ Dy zëvendësimet e fundit te Apolonia, largohen Zoga dhe Agiara, vendin e tyre e marrin Omeri dhe Levendi.

80′ Tentativa e parë në kuadrat në këtë pjesë të dytë për Apoloninë, gjuajtja e Gjatës, ndalet pa problem nga Sherri.

79′ Ardit Deliu provon me një gjuajtje nga goditja e dënimit, në një pozicion të favorshëm, por tentativa e tij shkon mbi kuadrat.

77′ Lukas Ramos ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar.

75′ Pranë golit të dytë Laçi, Harkon nuk arrin të shtyjë drejt rrjetës, një harkim nga e djathta të Deliut. Sulmuesi nuk i gjen dot kohën topit, në afërsi të zonës së vogël të 5 metërshit.

71′ Pranë golit të dytë Laçi me Lushkjan që lëshon një predhë nga goditja e dënimit, por grushton portieri Harizaj.

69′ Jeboah ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar ndaj Deliut. Futbollisti i Apolonisë humbet sfidën e radhës ndaj Kukësit.

63′ Ejoh ndëshkohet me karton të verdhë për faull taktik ndaj Mazrekajt dhe humbet duelin ndaj Kukësit.

60′ Zëvendësim i dyfishtë te Apolonia, largohen nga fusha Krasniqi dhe Smaçi, në vendin e tyre, Zaimi dhe Ejoh.

56′ Dominim i frikshëm i skuadrës së Shpëtim Duros që kërkon me ngulm golin e sigurisë. Harizaj i mohon një gol të sigurt Mustës.

53′ Sërish rrezikëshm Laçi me Regi Lushkja, që provon nga distanca, por topi shkon jashtë kuadratit.

46′ GOOOOOL LAÇI 1-0/ Zhbllokohet sfida, Juljan Shehu kalon në avantazh kurbinasit pas asistit të Mazrekajt. Kombinim fantastik mes futbollistëve, aty ku Shehu nuk fal duke e dërguar topin në cepin e portës së mbrojtur nga Harizaj. 

46′ Starton pjesa e dytë, zëvendësim te Laçi, largohet Selmani, vendin e tij e merr Mazrekaj. Ndryshime edhe te Apolonia, largohet nga fusha Shanaj për Mehmetin.

Përfundon pjesa e parë. 

45+1′ E pabuesueshme çfarë humbet Shehu, vetëm pak metra larg vijës fatale. Nuk iu besojnë syve kurbinasit.

45′ Akordohen 2 minuta shtesë.

41′ Kurbinasit e kanë mbyllur kundërshtarin në zonën e vetë, por bardhezinjtë nuk po shfrytëzojnë epërsinë e krijuar në fushë. Mbrohen mirë fierakët e Kamaratës.

38′ Laçi ushtron presion të vazhdueshëm në kërkim të golit, por mungon saktësia para portës.

31’ Diop rrëzohet në zonë pas driblimit të Harmon, arbitri Shahini vazhdon lojën. Sulmuesi i Laçit vendos duart në trupin e mbrojtësit të Apolonisë dhe i prish ekuilibrin në hyrje të zonës. Rast shumë i dyshimtë, fierakët pretenduan për penallti.

28′ Kurbinasit marrin “frenat” në mesfushë për sa i përket organizimit të lojës, duke mos i dhënë asnjë shans kundërshtarëve.

22′ Lushkja kërkon të përfitojë nga një rrëmujë në zonë, por reagon mjaft mirë portieri Harizaj që largon rrezikun në rivënie anësore.

18′ Sulme asfiksuese të Laçit në këto minuta. Skuadra e Duros kërkon me ngulm golin e avantazhit.

16′ Tjetër rast shënimi për Laçin, kësaj here ishte Lushkja, gjuajtja e kapitenit, shkoi ngjitur me shtyllën e djathtë pingule.

15′ Mundësi e artë për Laçin, Shehu shkarkon të majtën nga distanca, por reagon mjaft mirë portieri Harizaj. Nuk përfiton aty Harmon.

13′ Kombinim perfekt Gjata-Krasniqi, por i vëmendshëm aty portieri Sherri, i cili lexon situatën, duke dalë menjëherë dhe duke kontrolluar topin.

10′ Lojë e ashpër në mesfushë, me të dyja skuadrat që nuk lëshojnë terren për sa i përket dyluftimeve.

8′ Shehu provon me një predhë nga jashtë zonës, por grushton mjaft mirë portieri Harizaj.

6′ Tjetër rast i rrezikshëm i Apolonisë me Krasniqin, por futbollisti nuk arrin të devijojë një top të harkuar nga e majta.

4′ Jeton Krasniqi dëmtohet në vetull pas një përplasje në mesfushë.

3′ Provon të surprizojë edhe Apolonia, me Jeton Krasniqin, që provon me kokë, por gjuajtja e tij shkon jashtë kuadratit.

1′ Rrezikshëm Laçi që në minutën e parë me Harmon, që provon me kokë, por topi shkon mbi traversën e portës së mbrojtur nga Harizaj.

1′ Ka startuar pjesa e parë.

FORMACIONET ZYRTARE:

LAÇI: Sherri, Malota, Selmani, Obanor, Marku, Deliu, Lukas Ramos, Lushkja, Musta, Shehu, Harmon. Trajner: Shpëtim Duro.

APOLONIA: Harizaj, Sota, Agiare, Diop, Mihana, Smaçi, Jeboah, Shanaj, Zoga, Krasniqi, Gjata. Trajner: Fabricio Kamarata.

GJYQTAR: Klodian Shahini

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura