VIDEO / Një penallti me VAR në shtesë vendos gjithçka, derbi i kryeqytetit është bardheblu

Oct 25, 2021 | 21:50
SHPËRNDAJE

Derbi i kryeqytetit kthehet përsëri me ngjyrat bardheblu. Skuadra e Orges Shehit ka mundur Partizanin me shifrat 1-0, duke thelluar edhe më shumë diferencën në kreun e renditjes e duke vazhduar krizën e thellë të të kuqve.

derbi tirana partizani

Në një ndeshje ku ka patur më shumë luftë e më pak raste, gjithçka është vulosur nga një penallti e akorduar nga VAR në minutat shtesë të pjesës së parë. Limaj me qetësi mposhti Hoxhën dhe aq mjaftoi për t’i dhënë suksesin Tiranës në këtë derbi.

Kjo, pasi Partizani nuk dukej në gjendje të rrezikonte portën e Bekajt, i cili ishte spektator thuajse gjatë gjithë duelit me topin që rrallëherë vinte drejt katërkëndorit të tij. Kështu, Tirana merr arratinë në krye të renditjes, ndërsa të kuqtë ndalen në kuotën e 4 pikëve, 10 larg kreut e sigurisht që tashmë mund të thuhet me plot gojë që është në krizë.

TIRANA-PARTIZANI 1-0
45’+7′ (p) Limaj

MINUTË PAS MINUTE

90’+7’ Merr fund derbi, Tirana mund Partizanin me shifrat 1-0.

90’+6’ Najdovski mbyll para kohe derbin me të verdhin e dytë, duke lënë Tiranën me 10 lojtarë në fundin e sfidës.

90’+3’ Muça merr vendin e Ngo në minutat e fundit te Tirana.

90’+1’ Xhixha hyn në zonën e të kuqve dhe mundohet të gjejë hapësirë për të gjuajtur, por bllokohet në fund dhe nuk arrin të rrezikojë katërkëndorin e Hoxhës.

90’ Jepen 5 minuta shtesë.

90’ Ndryshim i detyruar në radhët e bardhebluve me Hotin i cili zë vendin e Tolit të dëmtuar.

86’ Lëvizja e fundit e Dajës është aktivizimi i Herald Markut në vend të Sotës.

83’ Mala gjuan drejt portës në pozicion ballor, nuk gjen katërkëndorin e Bekajt duke dëshpëruar tifozët e kuq.

82’ Damçevski provon gjuajtjen nga distanca, sfera përfundon në duart e Bekajt.

81’ Harkim në zonë nga e majta e sulmit të Partizanit, sfera ndalohet nga Najdovski i cili spastron zonën.

78’ Maguet mundohet të depërtojë në zonë, por pastaj kërkon një penallti me një simulim të dukshëm dhe nuk e merr.

75’ Harkim nga e djathta për Carën në shtyllën e parë, devijimi i tij nuk gënjen Bekajn i cili kontrollon topin.

72’ Daja ndërron katër lojtarë njëherësh. Cara, Maguet, Damçevski dhe Gligorov hyjnë në fushë. Ata zënë vendin e Saliu, Filipoviç, Muratajt dhe Markut.

67’ Vjen lëvizja e parë e Shehit, në fushë hyn Xhixha në vend të Limajt.

63’ Saliu rrezikon kartonin për një faull ndaj Totre në krahun e djathtë të sulmit bardheblu. Gjyqtari  lë lojën në vazhdim dhe Ngo më pas fiton një goditje këndi.

61′ Limaj i shtohet listës së të ndëshkuarve pas një faulli ndaj Rrapajt.

59’ Goditje dënimi për Partizanin në krahun e majtë, harkimi i Rrapajt devijohet para Bekajt por portieri nuk e ka të vështirë të kontrollojë sferën.

56’ Filipoviç hyn në zonë, por nuk arrin të gjuajë drejt portës, pasi ndalet për një prekje topi me dorë gjatë aksionit.

51’ Najdovski ndëshkohet me të verdhë pas një faulli ndaj Mustës.

50’ Sugjerim interesant i Ismajlgecit për Ngo, Sota mbyll korridorin dhe sulmuesi dërgon sferën jashtë edhe pse në pozicion gjuajtje para portës.


48’ Toli merr krahun në të djathtën dhe nis një sugjerim interesant në qendër për Ngo, por ky i fundit nuk arrin sferën dhe mbrojtja largon.

46’ Rifillon ndeshja pa ndryshime në radhët e dy ekipeve.

45’+7’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin e Tiranës.

bekaj

45’+7’ Gjuan Limaj përballë Hoxhës dhe vjen goli i Tiranës.


45’+5’ Penallti për Tiranën. Dhe e vendos VAR. Belica kishte ndërhyrë ndaj Tolit në zonë por pamjet u shikuan nga Hamitaj vetëm pasi kishte marrë fund situata me përplasjen e lojtarëve.

45’+4’ Tensionohet dueli me një përplasje mes Behiraçe dhe Stenio Zhunior që pasohet më pas nga pjesa tjetër e dy skuadrave. Karton i verdhë për mbrojtësin e Tiranës.

45’ Jepen 6 minuta shtesë.

44‘ Hamitaj thirret nga VAR të shohë pamje për një aksion të të kuqve dhe një përplasje mes futbollistëve. Pas dy minutash shqyrtim, ai kthehet dhe vazhdon lojën.

42’ Stenio Zhunior ndëshkohet me të verdhë.

41’ Rrezik në portën bardheblu. Bekaj gabon në daljen e tij dhe Filipoviç me kokë devijon sferën duke e drejtuar në portë. Mbrojtësit bardheblu devijojnë para kalimit të vijës fatale.


39’ Aksion i gjatë i Tiranës, me topin që harkohet nga e djathta për Seferin dhe Ngo në qendër. I pari e devijon, por Hoxha del duke kontrolluar sferën.

37’ Mala fiton një goditje dënimi në kufi të zonës së Tiranës. Provon vetë mesfushori por nuk gjen kuadratin.

32’ Murataj është i ndëshkuari i parë me karton të verdhë, pas një ndërhyrje kundër Behiratçe në mesfushë. Protesta të mesfushorit të Partizanit.

31’ Hoxhallari kërkon ndihmën e stafit mjekësor pas një përplasje në krah me Markun. Pas trajtimit, kapiteni i bardhebluve kthehet në fushë.

28’ Goditje nga këndi për Tiranën, bardheblutë ekzekutojnë me skemë duke çuar topin te Toshevski, por tentativa nga jashtë zonës nuk gjen kuadratin.

26’ Luftë në mesfushë në këto minuta, por me Tiranën në sulm që kërkon të gjejë një të ccarë për të goditur të kuqtë, të cilët janë tërhequr para zonës së tyre.

21’ Seferi shfaqet nga e djathta para Hoxhës dhe gjuan në portë, por gardiani i të kuqve ndalon tentativën e tij. Megjithatë sulmuesi më pas sinjalizohet në pozicion jashtë loje.

19’ Ndizet derbi me Tiranën që ka mundësinë me tre gjuajtje radhazi drejt portës. Por sfera devijohet dhe nuk përfundon në rrjetë edhe pse Ismajlgeci e Seferi provuan të gjuanin në portë nga distancë e afërt.

13’ Gjuajtja e parë drejt portës është e Muratajt, i cili mundohet të gjejë rrjetën me një tentativë nga e djathta, pa gjetur kuadratin.


8’ Partizani mundohet të ndërtojë lojën e tij me sulme nga krahët, sidomos me shpërthimet e Markut në të djathtë, ndërsa Tirana përqendron gjithçka te Ngo, i cili ka për detyrë të ulë topin dhe të gjejë shokët e sulmit.

5’ Marku fiton një faull në krahun e djathtë të sulmit. Harkimi në zonë i goditjes së dënimit gjen Saliu, por ky i fundit nuk gjen kuadratin me gjuajtjen me kokë.

3’ Behiratçe e tepron me mbajtjen e topit në zonë dhe sulmohet nga lojtarët e Partizanit. Mbrojtësi pason te Bekaj i cili detyrohet të çojë topin në anësore.

1’ Pas rreth 5 minutash ndërprerje, ndeshja më në fund rifillon nga gjyqtari Eldorjan Hamiti.

1’ Të dy tifozeritë hedhin  fishekzjarrë dhe kapitenët e skuadrave flasin me mbështetësit përkatës që situata të qetësohet.

1’ Menjëherë ndalohet ndeshja për shkak të hedhjes së flakadanëve në fushë.

1’ Nis ndeshja me shkelmimin nga qendra të futbollistëve të Partizanit.

FORMACIONET ZYRTARE

Tirana: Bekaj, Ismajlgeci, Hoxhallari, Behiratçe, Toshevski, Najdovski, Toli, Limaj, Totre, Seferi, Ngo
Trajner: O. Shehi

Partizani: Hoxha, Sota, Belica, Saliu, A. Marku, Rrapaj, Murataj, Mala, Musta, Stenio Zhunior, Filipoviç
Trajner: I. Daja

Gjyqtar: Eldorjan Hamiti

Asistent i parë: Ridiger Çokaj

Asistent i dytë: Dojando Myftari

VAR: Kridens Meta AVAR: Mario Shazivari

WhatsApp Image 2021-10-25 at 19.02.13

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura