VIDEO/ Nishanin e refuzuan nga vilat e Dhërmiut, ja kush pushon në rezidencën shtetërore

Aug 2, 2015 | 9:15
SHPËRNDAJE

Pak ditë pasi publikimit të lajmit se drejtoria e Shërbimeve Qeveritare i mohoi të drejtën e shfrytëzimit të vilës shtetërore për pushimet verore Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, disa pamje filmike tregojnë se kjo godinë frekuentohet jo nga personalitete të larta shtetërore.

Foto e marre nga video e publikuar nga "Tv Klan"
Foto e marre nga video e publikuar nga “Tv Klan”

Televizioni “Klan” tregon se kamerat e tij kanë filmuar sot dy vajza të reja, të cilat bënin plazh brenda territorit të vilës shtetërore të Dhërmiut, ndërsa sapo kanë kuptuar që po filmoheshin, kanë përdorur çadrën e plazhit për t’u fshehur, e më pas janë futur brenda në vilën qeveritare.

(Nëse video e publikuar nga “Tv Klan” nuk hapet me një klikim të thjeshte, atëherë klikoni linkun që ndodhet në qendër të videos për ta parë atë në kanalin “Youtube”).

Ndërkaq, më herët gazeta “Panorama” ka shkruar se që prej datës 27 prill e deri më 19 qershor 2015, mes Presidencës, Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare dhe Kryeministrisë është shkëmbyer një korrespondencë intensive në lidhje me përcaktimin e rezidencës qeveritare se ku mund t’i kalojë 21 ditët e pushimeve verore kreu i shtetit, Bujar Nishani dhe familja e tij.

Fillimisht përmes një shkrese të datës 27 prill, të firmosur nga sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Florjan Nuri, i kërkohet Drejtoreshës së Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, Kamelia Vojka që të vërë në dispozicion Vilën qeveritare të Dhërmiut për Presidentin Nishani dhe familjen e tij nga 11-31 korrik. Drejtoresha Vojka përgjigjet po atë ditë se Vila e Dhërmiut është e amortizuar dhe në pritje të një rikonstruksioni.

Në një shkresë të dytë, Presidenca kërkon që rikonstruksioni të mos bëhet gjatë periudhës së verës, por më vonë. Më 2 qershor, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare njofton se ka nisur rikonstruksionin e Vilës së Dhërmiut dhe i kërkon Presidencës të përzgjedhë një tjetër ambient që i përcakton ligji për të kaluar pushimet e zotit Nishani. Në përgjigje, Presidenca përmes sekretarit të Përgjithshëm, Nuri, kërkon që Presidenti Nishani dhe familja e tij të pushojnë pranë Vilës Nr.1 Vlorë ( e rikonstruktuar pak vite më parë).

Por, Drejtoria Qeveritare i kujton Presidencës se kreu i shtetit mund të shkojë në çdo kohë në vilat qeveritare të Durrësit, Pogradecit dhe Vilën nr.6 në Vlorë. Por, Presidenca nuk është e kënaqur me këtë përgjigje dhe i drejtohet kabinetit të Kryeministrit që të ndërhyjë. Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, në përgjigje të korrespondencës me Presidencës, shprehet se Vila qeveritare Nr. 1 në Vlorë do të përdoret nga Kryeministri sepse ai gjatë pushimeve zhvillon dhe aktivitet zyrtar dhe takime në këtë vilë, pasi vetëm kjo ka ambientet e përshtatshme për të zhvilluar këtë aktivitet, duke i kujtuar Presidentit të Republikës se janë dhe tri vila të tjera ku ai mund të pushojë.

Ndërkaq, pas këtyre korrespondencave të publikuara në media, kreu i shtetit zgjodhi të pushojë disa ditë me bashkëshorten e tij në një prej hoteleve në plazhin e Shëngjinit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura