VIDEO- “Në zyrën e Presidentit krijohen Komitete anti-shtetërore”/ Spiropali-Bashës: Të vdekurit nuk janë kaseta apo filmime që të fshihen

Nov 26, 2020 | 11:19
SHPËRNDAJE

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali nga foltorja e Kuvendit ka komentuar takimin e një ditë më parë të Presidentit Meta me mjekë dhe ekspertë të shëndetësisë. Ajo tha se në zyrën e Presidentit krijohen Komitete anti-shtetërore.

Spiropali u shpreh se qeveria ka tre strategji për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit.

“Në mënyrë të padinjitetshme është përballuar me këtë fatkeqësi opozita jonë që herë në zyrën e presidentit krijohen komitete anti shtetërore, jo vetëm antiqeveritare, ku jepen opinione lloj soj mbi situatën pa asnjë kujdes për situatën dhe bilancin ku jemi.  Pjesëtarët aty ku ishin jo doktorë, por në rolin e politikanit thanë që nuk ka asnjë strategji qeveria shqiptare.

Ka tre strategji qeveria, që po i zbaton pikë për pikë, përfshirë edhe skenarin për vjeshtë dimër që jemi të përgatitur”, u shpreh Spiropali.

Ministrja iu përgjigj edhe kreut të PD, Lulzim Basha i cili akuzon qeverinë se po fsheh numrin e vdekjeve. Ajo tha se viktimat nuk janë kaseta apo filmime që mund të fshihen.

“Nuk mund të mos kujtoj në këtë foltore dhe mos jap një përgjigje për akuzën e rëndë që të vdekurit po fshihen. Të vdekurit nuk janë kaseta, filmime si ato të 21 janarit që të fshihen.

Në fillim të pandemisë thoshin po i shtojnë të vdekurit, tani thonë po ulin numrin e vdekjeve. Kjo është paturpësi dhe shqiptari vdekjen e ka respektuar dhe fotot që dolën nga morgu nuk janë rastësi. Ishin një skenar i përgatitur, i paralajmëruar.

Të gjithë janë duke bërë betejën me pandeminë, këta janë aty për të bërë luftë për karrigen. Por nuk merret karrigia duke bërë politike me të vdekurit, pushteti merret me votë”, u shpreh Elisa Spiropali.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura