VIDEO/ Tahiri: Blushi s’është i vetmi që do zgjedhje. Statutin e shkelëm

Feb 13, 2016 | 8:27
SHPËRNDAJE

Ministri Tahiri pranoi ditën e sotme në “Zonë e Lirë” se PS-ja e ka shkelur statutin e saj për mbledhjen e Kongresit dhe zgjedhjen e kryetarit, duke shtuar se ka ardhur koha që statuti të ndryshojë.

Por megjithatë, ministri mbrojti tezën e Ramës se nuk është e nevojshme që të bëhen zgjedhje për kryetar PS-je përderisa qeveria, sipas tij është votuar në dy zgjedhje.

Megjithatë, Tahiri tha se e mbështet Blushin për garën, por se kjo më shumë i takon Kongresit nëse do të ketë ose jo garë me më shumë se një kandidat.

Tahiri tha se nuk është vetëm Blushi që kërkon zgjedhje, por edhe Gramoz Ruçi dhe deputetë të tjerë. Ai përsëriti se Blushin e ka mik, por nuk është dakord me qëndrimet e tij ndaj disa ministrave, që sipas Blushit duhen shakarkuar.

Ministri Tahiri i përgjigjet Berishës për epitetin “Saje Qorri”  

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka folur sot në “Zonë e Lirë”, edhe për epitetin që i ka vënë ish-kryeministri Sali Berisha.

Ky i fundit, në postimet e tij, i referohet Tahirit me epitetin “Saje Qorri”, ose “Saimir Shullazi”. I pyetur nga moderatori, Arian Çani, Tahiri tha se Berisha ka një fiksim me sytë e njerëzve.

“Ai ka histori me sytë e njerëzve, se edhe të birin e tij e njohin si “Sypeshkaqeni”. Jo ai vetë, por mediat ndërkombëtare kur shkruanin për aferën e Gërdecit”, tha Tahiri.

Ai më tej shtoi se Berishës i falet, pasi është i moshuar dhe një shembull, sipas tij, që tregon se si mund të degradojë njeriu.

 Statistikat e frikshme, Tahiri: Dy mijë policë janë nën procedim

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka treguar një statistikë të frikshme në emisionin “Zonë e Lire” ditën e sotme.

I pyetur lidhur me përfshirjen e efektivëve të Policisë në ngjarje kriminale, Tahiri tha se janë 20 % të policëve që janë nën procedim për shkelje nga më të ndryshmet.

Kjo do të thotë se janë plot 2 mijë efektivë të Policisë së Shtetit të cilët janë nën hetim për shkelje apo përfshirje në aktivitete të paligjshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura