Video me Enver Hoxhën, pushohet padia ndaj Inva Mulës

Feb 5, 2016 | 9:53
SHPËRNDAJE

Gjykata e Tiranës ka vendosur të pushojë një padi penale për ‘riprodhim pa të drejtë të veprës së tjetrit’ të ngritur ndaj sopranos me famë botërore, Inva Mula.

Inva Mula
Inva Mula

Sopranoja u padit nga Fatmir Çepani, kameramani që fiksoi në celuloid momentet e rrëzimit të bustit të diktatorit, Enver Hoxha, më 20 shkurt 1991. Përmes kësaj padie, kameramani Çepani pretendonte se i është shkelur e drejta e autorit nga ana e sopranos.

Në përfundim të seancës së tetë në radhë të kësaj përballjeje gjyqësore, më 2 shkurt 2016, gjyqtari i çështjes, Artan Gjermëni, ka vendosur pushimin e gjykimit.

Burime pranë Gjykatës bënë me dije se shkak i pushimit është bërë mungesa në seancë e avokatit të të dëmtuarit akuzues, Çepani. Avokati Ndue Pjetra ka mbërritur disa minuta me vonesë në gjykatë, për shkak të angazhimit në një proces tjetër gjyqësor.

PROCESI

Fatmir Çepani depozitoi një padi penale në Gjykatën e Tiranës kundër sopranos Mula, në tetor të vitit të kaluar. Përmes kësaj padie, ai kërkonte që sopranoja e famshme të mbante përgjegjësi penale për shkeljen e të drejtave të autorit. Po ashtu, ai kërkonte dëmshpërblimin e tij në më shumë se 30 mijë euro, si dëm i shkaktuar nga riprodhimi e shpërndarja në publik i pamjeve të regjistruara prej tij.

rrezimi i bustitSipas Çepanit, sekuencat e regjistruara prej tij ishin riprodhuar në një klip muzikor të këngës “Dhuratë për ditëlindje” të sopranos Mula. Para se t’i drejtohej gjykatës, i dëmtuari ka kërkuar ta zgjidhë konfliktin me marrëveshje, por nuk ka marrë asnjë përgjigje nga sopranoja. Gjykata e Tiranës nisi shqyrtimin e kësaj padie më 28 tetor 2015. Ndonëse u zhvilluan plot tetë seanca gjyqësore, gjykata nuk ka mundur të konsumojë seancën e pajtimit mes palëve.

Për asnjë nga këto seanca nuk është mundur të njoftohet sopranoja për gjyqin e nisur ndaj saj, kjo edhe prej faktit se ajo jeton jashtë vendit. Në seancën e 12 dhjetorit gjykata ka vendosur njoftimin e të akuzuarës përmes shpalljes publike.

I DEMTUARI

Vendimi i së martës nuk ka ndikuar në bindjen e operatorit Çepani. Avokati Ndue Pjetra konfirmoi dje ridepozitimin në gjykatë të së njëjtës padi kundër sopranos.

I kontaktuar nga “Panorama”, Çepani tha se do t’i shkojë deri në fund përballjes gjyqësore për fitimin e të drejtës së tij. “Jam i vendosur, që gjithçka të vendoset konform ligjit, ndryshe nuk ka pajtim për mua. Pavarësisht personit që kam përballë, ai filmim është një pronë që nuk ka Zot të ma cenojë”, u shpreh operatori Çepani.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura