VIDEO/ Maskat me xhupa të zinj nuk ndalen, kryejnë tri vjedhje. Shikoni ç’ndodhi në grabitjen e fundit

Mar 5, 2018 | 13:47
SHPËRNDAJE

ELVIS HILA/ Pasi vodhën postën në Rrëshen, godasin pikën e “Exchange” , i njejti grup grabitesish moren 1 milion lekë në një market.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e së shtunës, teksa 4 persona të maskuar dhe të armatosur kanë hapur derën me anë të thyerjes dhe më pas janë larguar duke marrë me vete kasafortën, e cila sipas të dhënave ka pasur 1 milion lekë të vjetra brenda.

Duke iu referuar kamerave të sigurisë, gjithçka ka ndodhur në harkun e 3 minutave, ndërsa hajdutet kanë arritur të largohen pa u shqetësuar, pasi Policia është sinjalizuar 3 orë pasi kishte ndodhur ngjarja. Ndërkohë, gjatë ditës së diel janë bërë publike dhe pamjet e kamerave të sigurisë të grabitjes së filialit të postës në Rrëshen, ngjarje e ndodhur më 14 shkurt të këtij viti.

Fillimisht, grabitësit shpërthejnë derën kryesore të filialit të postës dhe më pas me shpejtësi hyjnë në ambientet e brendshme, ndërkohë që në pamjet e kamerave shënon ora 03:56. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar katër grabitës, tre prej të cilëve veshur me rroba të zeza, ndërsa një tjetër me një xhup të kuq.

Të katër grabitësit janë të maskuar dhe me doreza për mos të lënë asnjë gjurmë. Veprimet e para që ata ndërmarrin lidhen me identifikimin e kasafortave. Njëri nga katër grabitësit, pasi gjen një kasafortë me ngjyrë të bardhë, e rrëmben dhe largohet me shpejtësi. Ndërsa tre të tjerët bëjnë një kontroll të shpejtë për të identifikuar nëse ndodhej një kasafortë e dytë apo dhe para kesh në sirtarë.

Ata arrijnë të gjejnë edhe kasafortën e dytë, të cilën e tërheqin zvarrë duke e nxjerrë nga posta dhe më pas largohen. Kur kanë kaluar gati një muaj nga kjo ngjarje, Policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve, por është gjetur vetëm një kasafortë në afërsi të Milotit. Nisur nga krahasimi i pamjeve të grabitjes në Rrëshen me ato të supermarketit në Lezhë, ka një sërë ngjashmërish.

Së pari, numri i njëjtë i grabitësve, të cilët janë katër, tre të veshur me të zezë dhe një me xhup të kuq, ndërsa edhe ngjyra e maskave e njëjtë. Të gjitha këto të çojnë në përfundimin se kemi të bëjmë me të njëjtin grup grabitësish, të cilët janë përfshirë në atë të supermarketit në Lezhë, postës në Rrëshen dhe një pike këmbimi valutor në Fushë-Krujë, ngjarje kjo që ndodhi vetëm 2 orë para grabitjes së marketit në Lezhë.

Sipas burimeve, në lidhje me këto ngjarje të ndodhura janë shoqëruar në komisariat disa persona, të cilët janë marrë në pyetje, por që më pas janë lënë të lirë për mungesë provash që i përfshijnë në këto ngjarje.

Ndërkohë, për të rënë në gjurmët e grabitësve, Policia ka shtuar prezencën e saj gjatë orëve të natës. Në shumë zona të qytetit janë vendosur efektivë, për t’u vepruar më shpejt në rast se raste të tilla do të përsëriten.

PANORAMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura