VIDEO/ Ky është biznesmeni që tentoi të rrahë prokuroren në gjyq

Feb 7, 2016 | 10:23
SHPËRNDAJE

Ky është biznesmeni Arben Myzeqari, i cili ditën e djeshme tentoi që të godiste prokuroren e çështjes së pronës që ajo kishte nën hetim.

Arben MyzeqariSipas Policisë, 51-vjeçari Myzeqari ka kundërshtuar ashpër provat e paraqitura nga prokurorja në seancën e radhës të gjyqit, dy ditë para se të ndodhte përplasja mes tyre në institucionin e Akuzës.

Nga hetimi i kryer ka rezultuar se konflikti mes prokurores e njërës palë në procesin gjyqësor, konkretisht Arben Myzeqarit, kishte nisur, pasi ky i fundit e akuzonte përfaqësuesen e Akuzës për fshehjen e provave, duke aluduar në këtë mënyrë pozicionimin e saj në favor të palës tjetër ndërgjyqëse.

Bëhej fjalë për një pronë që ndodhet buzë Gjanicës, të cilën 51-vjeçari ia ka blerë shtetit dhe më pas e ka përshtatur në lokal. Por ishpronari i tokës e ka hedhur në gjyq dhe kërkon t’ia marrë pronën.

Palët tashmë akuzojnë njëra-tjetrën për falsifikim të dokumenteve, ndaj i janë drejtuar Gjykatës së Fierit për të zgjidhur çështjen. Por çështjet e pronave zgjasin në gjykatë, ndaj duket se 51- vjeçari, i lodhur nga sorollatjet nëpër gjykatë rreth një vit, i ka kërkuar prokurores në seancën e radhës, që është mbajtur të mërkurën, që të paraqiste edhe disa dokumente të tjera si provë. Sipas burimeve në Gjykatë, prokurorja dhe biznesmeni Myzeqari kanë debatuar në seancë.

Prokurorja Shehu ka mohuar të ketë dokumente, dosje, të cilat ajo nuk i paraqiste si provë para trupit gjykues. Ndërsa 51-vjeçari ka këmbëngulur se ekzistonin dokumente, ku vërtetohej se ai ishte pronar i kësaj prone, por se prokurorja nuk po i paraqiste ato. Një ditë pas ngjarjes, Myzeqari ka shkuar në Prokurorinë e Fierit, me qëllim për të takuar prokuroren.

Por kjo e fundit, sipas dëshmitarëve, nuk ka pranuar ta presë në zyrën e saj. I irrituar nga kjo, 51- vjeçari ka pritur derisa prokurorja Shehu ka dalë nga zyra e saj dhe ka tentuar ta godasë në korridor. Kanë qenë disa qytetarë të ndodhur në vend, por edhe kolegë të saj që ndërhynë për të evituar dhunën fizike ndaj saj.

Menjëherë pas incidentit të ndodhur, Shehu ka bërë denoncimin te kolegët e saj. Sipas burimeve, Myzeqari ka shkuar edhe të nesërmen në prokurori, duke këmbëngulur të takonte prokuroren e çështjes së tij, por është njoftuar menjëherë policia, e cila ka ekzekutuar urdhrin e arrestit që kishte lëshuar një ditë më parë prokuroria.

“Specialistët për krimet në Policinë e Fier ndaluan shtetasin Arben Myzeqari, 51 vjeç, banues në lagjen ‘Konferenca e Pezës’, Fier. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi ka tentuar të godasë prokuroren e çështjes, shtetasen E.Sh.. Materialet i kaluan prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Fier për veprën penale ‘kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit ose prokurorit’ e mbetur në tentativë, parashikuar nga Nenet 316 dhe 22 të Kodit Penal”, bëri të ditur Policia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura