VIDEO/ “Idiot”, “injorant”, “vulg” debati mes pedagogëve dhe deputetëve, Marku: E keni bërë Parlamentin si furgon

Dec 13, 2019 | 16:47
SHPËRNDAJE

marku

MARIGLEN KUME/ Pas OSBE-së, Këshillit të Europës, BE-së, organizatave të gazetarëve dhe shoqërisë civile, kritika për dy projektligjet e qeverisë që përfshijnë paketën antishpifje patën edhe profesorët e Departamentit të Gazetarisë.

Ata kundërshtuan ashpër dje projektligjet në Komisionin e Medias, madje kaluan edhe në përplasje të ashpra me deputetët e maxhorancës dhe opozitës së re, të pranishëm në Komisionin e Medias. Shefi i Departamentit të Gazetarisë, Mark Marku, e cilësoi kriminale miratimin e ligjeve të tilla. “Është thelbësore që të stopohet kjo procedurë. Ju cenoni lirinë e medias. Ky është një ligj qesharak. Nuk e di kush e ka bërë, por ai që e ka bërë të ketë turp, sepse është një injorant total në fushën e medias. Prej 30 vitesh, media nuk quhet media e shtypur, por media e shkruar. Media e shtypur e ka thënë Frojdi. Ju doni ta bëni median të shtypur. Por po jua them se nuk ka për të funksionuar”, tha Marku në fjalën e tij.
(DEBATI NE VIDEO)

Për pedagogun tjetër të gazetarisë, Alfred Lela, është e papranueshme që tentohet t’i jepen kompetenca të tilla AMA-s. “Nëse futemi brenda në ligj, është e palejueshme që në këtë shekull t’i jepet një institucioni publik e drejta për të dhënë licenca dhe për të hequr licenca për mediat e reja online, është diktaturë”, tha Lela. Disa herë gjatë mbledhjes, situata mes deputetëve u tensionua aq shumë, sa qenë të pashmangshme atakimet personale.

DEBATI

Shkëndija e parë e nisjes së debatit ishte bashkëbisedimi me zë të lartë i ish-ministres Kumbaro me një nga kolegët deputetë.

Mark Marku: O Mirela, a ka mundësi të lutem?

Mirela Kumbaro: Znj. Kryetare, ka mundësi të lutem për procedurë?

Fatjona Dhimitri (Kryetare e Komisionit të Medias): Jo s’ka nevojë të lutem, le të dëgjojmë të ftuarit.

Mirela Kumbaro: Jeni në shkelje të procedurës, ta dini.

Mark Marku: Po pak edukatë, se jeni edhe pedagoge.

Mirela Kumbaro: Ju lutem z. Marku, ruani etikën.

Mark Marku: Oj zonjë, nuk kam ardhur në furgon unë këtu, po deshe na dëgjoni ose ikni.

Mirela Kumbaro: Qetësohuni z. Marku.

Mark Marku: E keni bërë Parlamentin si furgon dhe doni të na bëni edhe ne si furgon. Na tregon edhe edukatën ti neve.

Fatjona Dhimitri: Z. Marku, mund të vazhdoni

Mark Marku: Po folët, unë do të ngrihem të iki dhe do t’u bëj thirrje edhe kolegëve të ngrihemi e të ikim.

Mirela Kumbaro: Mund të ikni, jeni i lirë.

Fatjona Dhimitri: Mund të ikni ju znj. Kumbaro dhe jo profesorët e nderuar, të cilët i kemi ftuar.

Deputetja Kumbaro çohet nga karrigia dhe largohet nga Komisioni.

Sadi Vorpsi: Z. Marku, nuk jeni në auditor këtu.

Mark Marku: Ndërsa ju jeni punëtorë të një njeriu, i cili do të shkelë liritë e mediave.

Sadi Vorpsi: Nuk jeni në auditor z. Marku.

Mark Marku: Në auditor jam më i nderuar sesa me ju këtu. Ne jemi të shqetësuar realisht.Mark Marku Gjekmarkaj

Fatjona Dhimitri: z. Marku, ju lutem vazhdoni.

Vilma Bello: Ua ç’është kjo kështu, ule moj dorën.

Fatjona Dhimitri: Vilma të lutem, nuk do më tregosh ti se si të sillemi.

Alfred Lela: Kjo ftesë për të zhvilluar këtë seancë dëgjimore më duket si kofini pas të vjelave. Duket sikur jemi thirrur për fasadën procedurale.

Milva Ikonomi: Unë nuk e quaj ashtu këtë procedurë.

Alfred Lela: Janë disa paradokse znj kryetare. Flitet për një përafrim me legjislaturën e BE-së. Ndërkohë në të gjitha vendet e BE-së është vetërregullimi dhe jo rregullimi që prevalon. Dhe kjo është një përpjekje për të hedhur hi syve.

Deputeti Selami Jenisheri bashkëbisedon me kolegët dhe ndërhyn kryetarja e Komisionit,kumbaro iken kolazh

Fajtona Dhimitri: Ju lutem, qetësi!

Selami Jenisheri: Ça ke moj?! Rri moj aty, mos na…(nuk dëgjohet se çfarë thotë). Ça ke moj? Ça ke moj, ça ke? Ti shko bëj shkollë një herë, pastaj hajde këtu.

Alfred Lela i drejtohet deputetit Jenisheri: Mbaruat zotëri? Mbaruat? Sikur je tap mo burrë i dheut! I ke sytë…

Musa Ulqini: Jo znj. Kryetare, nuk mund ta lejojmë që të fyejë deputetët.

Fatjona Dhimitri: Vazhdojmë të lutem.

Alfred Lela: Janë 15 organizata që janë pjesë e superstrukturave europiane, që i kanë dalë kundër këtij ligji, por megjithatë ju thoni se ky ligj është europeist. Atëherë, përse këto organizata do t’i dilnin kundër këtij ligji?!

 

Mark Marku: Nuk e keni miratimin për këtë nga asnjë organizatë mediash dhe nga asnjë njeri me mend në kokë, kaq po them. Që kur u bë kështjella në Surrel, u bë rreziku për mediat online.

Agron Gjekmarkaj: Idiotët janë popull, vulgu gjithashtu! Dialektika demokratike e pranon që ata të votojnë dhe të përfaqësohen. Konstatoj se ata janë të përfaqësuar me zë dhe figurë. Shumë gjëra të çuditshme po ndodhin në vendin tonë, kohë pas kohe, ditë pas dite, ku republika e brishtë e Shqipërisë po shndërrohet në sulltanatin e Arnautistanit. Sulltanatet janë të bukura të rrëfehen nëpër përralla me qilim fluturues, por jo për të jetuar në vitin 2019. Projektligji, për të cilin na keni ftuar të flasim, është një turp, është një faj, por edhe nevojë e një njeriu që dëshiron të sundojë. Karriera është e dashur për këdo, për ne e për ju, por jo çdo çmim duhet paguar për të! Sot, kinse për të shmangur abuzimin me fjalinë, po tentoni ta vrisni fjalën. Mbani një qëndrim për fëmijët tuaj nesër që mund të behën gazetarë apo njerëz, që do ta kërkojnë dhe përdorin lirinë e fjalës. Mos u lini këtë marre te dera dhe këtë pengesë të re. Gjithsesi, edhe po u vetëposhtëruat, nuk do të jeni të sigurt. Nuk është e thëne që Kryeministri nuk jua ndërpret karrierën edhe pasi t’ju përdorë. Ky projekt nuk duhet rishikuar, duhet refuzuar, po nuk e bëtë ju, do ta bëjë koha, shoqëria, duke paguar kostot e veta. Dialektika e lirisë triumfon mbi sulltanatet.

Musa Ulqini: Kjo procedurë, seanca dëgjimore, është ligjore dhe demokratike. Është hera e parë sot që të ftuarit tejkalojnë mandatin e të ftuarit, duke paragjykuar deputetët, pasi nuk jemi shprehur ende. Ju jeni profesor, ndërkohë ne këtu jemi me votë. Kam që në ‘92 në Parlament. Por ju nuk keni të drejtë që të na paragjykoni. Respektoni disa gjëra minimale. Kjo është diçka minimale që do të duhet ta respektoheni. Në të kundërtën, të mos kishit ardhur fare.

Marku, Lela dhe Gjekmarkaj ngrihen dhe largohen.

Musa Ulqini: Duhet të na dëgjoni, ju kemi thirrur…

Mark Marku: Jo, kam takim, a ka mundësi, nëse keni pyetje, por e kam marrë zonjën e i thashë dua të vijë, për respekt të komisionit, se e bëj për vete respektin, por edhe për detyrim për shkak të situatës që po krijohet, edhe angazhimeve të mia, kam ardhur me vetëdije, kam pasur takim tjetër. Nuk ka kuptim të diskutoj, se është parim retorik, me ata që nuk të bashkon asgjë, mos diskuto kurrë, por ty zonjë të bashkon interesi për të bërë një ligj për Ramën dhe ky është dallimi.

Musa Ulqini: Nuk ka ndodhur që trupa profesorësh që edukojnë gazetarët, të vijnë këtu e të ofendojnë, të tejkalojnë normën etike. Më vjen shumë keq.

Mark Marku: Keni ulur kokën për çdo standard të demokracisë, sjellja prej 6 vitesh ju përgënjeshtron atë që thotë.

Agron Gjekmarkaj: Sjellja prej 6 vitesh në këtë Parlament e përgënjeshtron këto që sapo thatë ju, zoti Musa. Keni 6 vite këtu.

Musa Ulqini: Ky projektligj nuk ka të bëjë fare me shtypin e shkruar. Ky ligj nuk ka më televizionet dhe radiot. Ne e kemi një ligj për to. Ky ligj nuk cenon të drejtën e informimit. Ky ligj merret vetëm me një çështje. Kërkon të rregullojë një çështje te qytetarët që përfaqësojmë. Ky ligj tenton të rregullojë mediat online. Ndërkohë, edhe në Komisionin e Integrimit Europian ka një paqartësi mes ministres për Marrëdhënien me Parlamentin dhe nënkryetares Senida Mesi, që drejtoi mbledhjen.

Elisa Spiropali: Paketa antishpifje parashikon amendimin e ligjit për mediat audiovizive dhe për mediat elektronike. Ka për synim normimin e shërbimit të informacioneve elektronike. Ky debat nuk është ekskluziv për Shqipërinë, por më gjerë. Gjatë hartimit të këtyre projektligjeve, janë studiuar modelet e shteteve Gjermani, Mali i Zi, Letonia dhe Kroacia. Është konstatuar se rregullimi i përmbajtjes është normuar me ligj. Model është marr ligji kroat. Ky projekt është në përputhje me direktivën 13 të BE të 2010-ës, për koordinimin e disa dispozitave të parashikuara me ligj, rregullore apo me akte administrative në shtetet anëtare lidhur me shërbimin e transmetimeve me zë dhe figurë.

Senida Mesi: Më takon të bëj një koment. Duke qenë se kuadri rregullator i Bashkimit Europian në fushën e komunikimeve elektronike është shfuqizuar me efekt nga data 21 tetor 2020 dhe është zëvendësuar me kodin europian të komunikimeve elektronike, direktiva e BE-së e bërë në 2018. Shqipëria brenda një periudhe afatmesme 2021-2022 do të duhet të ndryshojë ligjin e komunikimit elektronik me qëllim përafrimin e tij të plotë me kodin europian të komunikimeve elektronike. Znj. ministre, do të doja që të saktësonit pikën pesë të relacionit./ PANORAMA.al
(SHIKO VIDEON E PLOTE)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura