VIDEO-FOTOT/ Skandali, ja si e hap portën Bylis në ndeshjen me Tërbunin

Nov 19, 2015 | 14:14
SHPËRNDAJE

Ndeshja e djeshme mes Tërbunit dhe Bylisit vendosi kufij të rinj sa i përket turpit që mund të prodhojnë dy skuadra futbolli për gjatë 90 minutave. Nuk ishte një ndeshje miqësore, as një ndeshje lagjesh, ishte një ndeshje kampionati mes dy skuadrave që kanë futbollistë profesionistë.

Cast nga ndeshja Terbuni- Bylis 4-2
Cast nga ndeshja Terbuni- Bylis 4-2

Por, mënyra sesi u sollën lojtarët në fushë, prodhoi më pas skena sa qesharake, aq edhe alarmante. U shënuan 6 gola me telekomandë duke u rikthyer pas ndër vite. Dhe ky është problemi i madh: protagonist ishte sërish Bylisi, një skuadër e dënuar njëherë për manipulim rezultati.

Sigurisht, Tërbuni gjithashtu mori pjesë në këtë shfaqje të shëmtuar, por çështja është se ku po shkon futbolli shqiptar? Si ka mundësi që dy skuadra vendosin të bëjnë teatër në një ndeshje kampionati që transmetohet “live” pa u shqetësuar as nga opinioni publik, as nga sanksionet që parashikon rregullorja dhe as nga ligjet e shtetit?! Çfarë duhet të ndodhë më tepër për t’i vënë fre këtij fenomeni shkatërrimtar të futbollit tonë, i cili njollos edhe atë pjesë të shëndetshme të futbollit?

Vendimin pritet ta marrë FSHF-ja, e cila në fakt, për shkak të neglizhencës ndër vite ndaj paracaktimit të rezultateve dhe masave gati qesharake që ka marrë kundrejt këtij fenomeni, tani ndodhet në një pozitë tejet të vështirë. Po, të vështirë, sepse nëse vendos t’i përjashtojë këto skuadra, do të cenojë rëndë kampionatin. Nëse vendos t’i penalizojë me gjoba apo me pikë, por t’i mbajë në garë, ato sërish do luajnë teatër dhe do ta njollosin akoma më keq edicionin dhe futbollin shqiptar…

foto terbuni 1

E vështirë, por ilaçi i vetëm në disa raste është që për të shporrur fenomenin, duhet më parë të luftosh ata që bëhen pjesë dhe e nxisin atë!

Aktrimi – Që në minutat e para vihet re një shpërfytyrim i mbrojtjes së Bylisit. Lojtarët e Tërbunit dalin thuajse në çdo aksion të vetëm përballë portierit Mushica. Pas disa rasteve në minutën e 12-të vjen goli i parë të Tërbunit, që ka për autor Tushen. Ky i fundit nuk markohet nga asnjë i ndodhur brenda zonës.

foto terbuni 2

Në fundin e pjesës së parë, Vatnikaj shënon dy herë, nisur edhe nga dashamirësia e mbrojtësve të Bylisit: Haliti, Shoshi e Basriu. Këta të fundit tregohen miqësorë edhe në golin e tretë. Mirëpo, turpi nuk njohu kufi dhe vazhdoi në pjesën e dytë. Mbrojtësit e Bylisit ishin kthyer në mesfushorë dhe Tërbuni dilte përballë Mushicës me nga 4 lojtarë. Gjithsesi, është Pepa që arrin t’i shkurtojë shifrat për ballshiotët dhe duket sikur ndeshja merr seriozitet, por kjo është një gënjeshtër.

Për tre minuta krijohen shtatë raste për gol dhe i aktivizuari në pjesën e dytë, Taulant Marku, humbet edhe me portën bosh. Të krijohet ideja sikur Tërbuni nuk do të shënojë, edhe pse Bylisi hap portën. Megjithatë, T.Marku rregullon shënjestrën pas shpërdorimeve fatale. Dhe, si për ta mbyllur më së miri takimin, mbrojtësit e Tërbunit u kthejnë reston sulmuesve ballshiotë, duke i lënë të shënojnë golin e nderit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura