VIDEO-FOTO/ Flakë dhe tym në protestën te “Unaza e Re”, disa të shoqëruar në Polici

Nov 13, 2018 | 23:12
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Pas protestës që u zhvillua në zonën e “Unazës së Re” nga banorë të cilët preken nga projekti i Unazës së Madhe, disa prej tyre janë shoqëruar në polici.

Burime pranë opozitës thanë se, deputetet Gent Strazimiri dhe Klevis Balliu kanë shkuar në komisariatin nr 6, për të kërkuar lirimin e tyre.

Pasditen e kësaj të marte, banorët dolën në rrugë duke djegur goma dhe flamurin e Rilindjes.

***

“Nuk jemi shpellarë, jemi qytetarë”, flakë dhe tym në protestën te “Unaza e Re”

Banorë të Unazës së Re në kryeqytet protestuan për rreth dy orë këtë pasdite kundër prishjes së shtëpive të tyre, siç parashikohet në planin për ndërtimin e “Unazës së Madhe”.

protesta 1

Banorët u vendosën në zonën e “Unazës së Re”, disa metra larg nga mbikalimi, duke bllokuar të dyja anët e rrugës kryesorë. Ata i vunë flakën gomave të vendosura në mes të rrugës, si dhe dy kazane mbetjesh që ndodhen aty pranë.

protesta

Protestuesit i vunë flakën edhe flamurit të “Rilindjes”.

Untitled

“Poshtë hajdutët; duam shtëpitë tona; dy duar për një kokë, kryeministër ku je fshehur; poshtë diktatura”, ishin disa nga thirrjet në kor, dhe shkrimet në pankartat e banorëve, të cilët paralajmëruan vijimin e protestave deri sa problemi që kanë ngritur të marrë zgjidhje.

Revoltë banoret shprehën edhe ndaj fjalimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj, që mbajti më herët gjatë ditës së sotme, në këshillin bashkiak.

“Nuk jemi shpellarë jemi qytetarë”, “O Erjon o legen, prite popullin se po vjen”, ishin disa nga thirrjet në kor të banorëve.

Untitled

“Një njeri pa nivel. Të vijë këtu të bëj një dorë muhabet po është burrë”, tha një banor për gazetarët në terren, në përgjigje të deklaratave të kryebashkiakut.

“Me taksat tona bëri dasmën Erjon Veliaj, jo me fiq”, u shpreh një banore.

“Pesë vota i dha familja ime Erjon Veliajt. Shtëpinë nuk e lëshoj deri në vdekje, le të vijë fadroma dhe të më zërë poshtë”, u shpreh një e moshuar.

protesta 3

PD: Banorët dëmshpërblim sipas vlerës së tregut

Të pranishëm në protestë ishin edhe deputetë opozitarë.

vokshi

Klevis Balliu, në një prononcim për gazetarët, u bëri thirrje instancave shtetërore të bisedojnë me banorët dhe ata të marrin kompenson siç u takon, për prishjen e banesave të tyre.

BALLIU

“Do jemi pranë banorëve, sepse janë në të drejtën tyre”, tha Albana Vokshi. Lidhur me deklaratat e kryetarit të bashkisë, Vokshi tha se “sot, Veliaj dëshmoi se ai është kryebashkiak vetëm i oligarkëve.

“Banorët të marrin të gjithë dëmshpërblim, sipas vlerës së tregut”, apeloi deputetja demokrate. Ajo shtoi se, nisma për prishjen e shtëpive është “e paligjshme dhe antikushtetuese”.

Protestat e banorëve të “Unazës së Re”/ Rama i prerë: Kompensim sipas ligjit dhe bonus qiraje për 3 vite

Kryeministri Edi Rama, ka folur për protestën e zhvilluar prej disa nga ditësh banorët e Unazës së re, të cilët kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre për ndërtimin e “Unazës së Madhe”.

Rama tha se do veprohet ashtu siç e parashikon ligji, duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë negociata me banorët, ashtu siç kanë kërkuar këta të fundit.

“Në vitin 2018 diskutohet që mund të imponohesh me forcë kundër interesit publik, kundër ligjit dhe interesit publik janë të tepërta ta diskutojmë. Unaza e madhe është një vepër e domosdoshme në realizim e sipër. Në atë segment aty është një nga pjesët e bllokimit, se kuptoj si mundë të diskutojmë sot, jo dogjën gomat, jo po e dogjën flamurin”, tha Rama.

“Ligjet janë të qarta, patjetër ka familja ka biznese kudo ka pasur kudo ka prevaluar interesi publik, për ata që kanë pronën të ligjshme ka kompensim sipas ligjit, ata që se kanë u jepet nga paratë e taksapaguesve një bonus qiraje për tre vite, për tre vite i paguan shteti qiranë derisa të gjejnë strehim. Shtëpia që u prishen është e paligjshme”, shtoi kreu i qeverisë.

“S’mund të prevalojë një ushtrim force i kotë dhe i nxitur nga opozita që s’ka asnjë shpresë, asnjë rrugë, është e dëshpëruar dhe ku ti gjejë njerëz që ti nxisi dhe ti përdori si mish për top”, deklaroi shefi i ekzekutivit.

“Ky është debat që unë e kam zgjidhur që në 2000-in”, e mbylli Rama, fjalën për këtë çështje.

Të dy kategoritë e banorëve janë shprehur kundër këtij propozimi në protestat që kanë zhvilluara. Ata që e kanë banën e legalizuar janë shprehur se kompensimi që parashikohet në ligj është shumë herë më i ulët se vlera e tregut. Ndërsa ata që banesat i kanë të paligjshme, hanë shprehur se vetë Rama i ka premtuar atyre legalizimin e banesave gjatë fushatës elektorale.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura