VIDEO/ Flet gruaja që telefonoi policinë: Minutat me vrasësin në shtëpi, si u dorëzua

Jul 7, 2015 | 7:30
SHPËRNDAJE

Age Koçeku ka qenë gruaja që bindi autorin e vrasjes së dy turistëve çekë, Sokol Mjacajn, që të dorëzohej. Banorja e fshatit Grudë tregon një ditë pas arrestimit të të shumëkërkuarit se ka qenë vetë 20-vjeçari, i cili i tregoi Policisë se ku ndodhej dhe i priti derisa ata erdhën dhe e kapën. 

Age Koçeku, gruaja që bindi 20-vjeçarin të dorëzohej

Para se të hynte në banesën e 55- vjeçares Koçeku, Sokol Mjacaj ishte strehuar në shkollën e fshatit, por, kur Policia po e rrethonte, u largua prej andej. Gruaja negociatore tregon se autori që kishte vrarë 2 vetë ishte i qetë, madje kishte parë dhe televizor përgjatë 15 minuta që zgjati qëndrimi i tij në banesën e familjes Koçeku.

Si ratë në kontakt me Sokol Mjacajn?
Siç e patë edhe ju, unë isha duke larë disa enë brenda kur dëgjova dikë që po fliste me nënën. Dola jashtë dhe i thashë nënës: Dadë, kush është? Me kë fole? Dola e shikova, ishte një djalë, por nuk e dallova dot kush ishte sepse ndodhej poshtë shtëpisë. Kur doli në rrugë i fola: Hë mor shok, çfarë do? Kurrgja- më tha. Iku drejt asaj shtëpisë atje matanë, hoqi çorapet, veshi pantoflat që gjeti aty dhe erdhi prapë. Unë dua ujë- më tha. Mirë- i thashë,- po të jap ujë.

Qëndroi jashtë apo e futët brenda në shtëpi?
Nuk pyeti hiç, por erdhi dhe u ul fill këtu në divan. Kur e pashë mirë më shkoi mendja se ishte ai që kishin dhënë në televizor që po e kërkonin për vrasjen. E pyeta direkt: Mos je ti ai djali? Po më tha,- jam unë ai djali.

Po ju si reaguat atëherë?
I thashë menjëherë që të dorëzohej se ishte më mirë për të. Nëse nuk e bën këtë, do të bëhet puna më keq seç është bërë. Pasi qëndroi edhe pak tha: A ke telefon? Po- i thashë. Më tha- a po ma merr Policinë? Po- i thashë,- po e marr. E mora Policinë, fola në telefon, foli dhe ai vetë dhe punë sekondash Policia erdhi këtu.

Si ju duk? A kishte frikë se mos e ekzekutonin?
Jo, asnjë fije nuk kishte. Më e frikësuar isha unë sesa ai. Unë për vetë po dridhesha nga frika, por ai ishte shumë i qetë. Kur po shkoja me i mbush ujin, gjysma m’u derdh se më dridheshin duart prej frikës.

Pse patët frikë prej tij? A bëri ndonjë shenjë kërcënuese?
Ai gjatë gjithë kohës i mbante duart në xhepa e unë mendova se po më therte dhe mua. Mendova se mund të kishte me vete ndonjë pistoletë a ndonjë gjë tjetër e më vriste. I thashë- pash Zotin mos bëj gjë se po më merr në qafë edhe mua edhe veten. Jo jo- më tha,- mos ki frikë. Në atë moment nxori nga xhepi një brisk a biçak të vogël dhe e futi prapë. Po atëherë ia behu dhe Policia dhe e morën.

A arritët të flisnit diçka?
Jo jo, absolutisht asnjë fjalë tjetër. Të vetmet fjalë kanë qenë lutjet e mia që ai të dorëzohej. Nuk e di, të mos më kishte dëgjuar e të më kishte bërë gjë, nuk do të isha gjallë sot.

Çfarë veprimesh bëri tjetër?
Ka qëndruar për aq sa qëndroi i ulur në divan dhe po shihte televizor. Po shikonte lajmet që jepnin për të dhe dëgjonte madje dhe Policinë që bënte thirrje për atë që të dorëzohej. Nuk kemi fol më as për krimin që kishte bërë e asgjë tjetër. Thashë që kisha shumë frikë për vete.

Si ishte momenti kur u dorëzua në Polici?
Më tha vetëm- A ka mundësi të dalim të dy bashkë? E pashë që kishte frikë se mos e qëllonin ata të Policisë. I thashë- mirë, dalim të dy bashkë. Ashtu dolëm, unë para e ai mbrapa meje. U thashë policëve që të mos e preknin. Më vinte gjynah e mendova se kushedi ça po i bëjnë. Jo- më thanë,- mos u shqetëso se nuk e prek kush. Atëherë unë jam ngjitur lart e pastaj e pashë në televizor arrestimin e tij e dërgimin në Polici, me të njëjtat rroba që ishte tek unë e me pantoflat që mori te komshiu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura