VIDEO/ Emërimi i Ceno Klosit në krye të Tatimeve, flet eksperti Zef Preçi: Postet publike përdoren për mbrojtjen e personave që abuzojnë me detyrën

May 27, 2022 | 15:00
SHPËRNDAJE

Emërimet në administratën publike, madje edhe ne rangjet më të larta po bëhen pa kritere profesionale dhe të integritetit të figurës.

ceno-klosi

Rasti më flagrant është ai i drejtorit të Tatimeve Ceno Klosi i cili pak muaj pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte evidentuar shkelje të shumta të tij gjatë detyrës së mëparshme si drejtor ekonomik dhe finance në OSHEE, u emërua drejtor i përgjithshëm i tatimeve.

Eksperti i ekonomisë Zef Preçi thotë se në të shumtën e rasteve qeveria nuk zbaton rekomandimet e institucioneve audituese siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit të cilat kërkojnë largimin e punonjësve nga puna duke i injoruar ato.

“KLSH ka përgatitur regjistër të posaçëm për ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve që bën kjo agjenci për poste të ndryshme dhe është shumë shokuese kur shikon që figura që janë rekomanduar për largim nga shërbimi civil për një periudhë kohe ose për ndjekje penale marrin poste të rëndësishme shtetërore duke injoruar vetë rolin që ka agjencia shtetërore që mbahet me paratë e taksapaguesve”.

Eksperti thotë se emërimi në poste të larta drejtuese i personave që janë kapur me shkelje në poste të tjera, tregon se ata po mbrohen nga qeveria dhe ky është një sinjal negativ për qytetarët.

“Sot persona më të anatemuar nga elita politike apo kasta drejtuese në momentin që janë të tillë të dyshuar për abuzim me detyrën u ofrohet post i lartë publik për t’i mbrojtur pra po përdoren poste të larta publike si një koracë përball hetimit përball ndëshkimit kjo dëshmon rolin e pamjaftueshëm të parlamentit, të shoqërisë civile të opozitës”.

Preçi shprehet se përgjegjësia për këtë situatë është e vetë kryeministrit, detyrimi i të cilit është të japë llogari para taksapaguesve të këtij vendi për të gjitha dështimet në qeverisje.
“Është për të ardhur keq që deklarimet zyrtare te kryeministrit dhe zyrtarëve të lartë janë që secili mban përgjegjësi veten e vet, nuk e dënim në një kohë që përgjegjësia është para taksapaguesve. I mandatuari për të qeverisur ka detyrimin të raportoj para taksapagusve dhe është përgjegjës për sukseset dhe dështimet të gjithë atyre që e shoqërojnë”.

Për rastin e Ceno Klosit Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar në librat e blerjes të OSHEE vonesa në deklarimin e faturave të blerjes me TVSH. Këto veprime nuk pasqyrojnë detyrimet e sakta në kohë të shoqërisë, për pagesat e TVSH. Në rastet e vonesave të tilla të deklarimit të TVSH-së, bizneset private rrezikojnë penalitete dhe gjoba të majme nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, që sot drejtohet nga Ceno Klosi./BW

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura