VIDEO/ Dymbëdhjetë shokët iu arrestuan dje, 21-vjeçari ‘ia mbathi’ në Dhërmi. Detajet e arrestimit nga Policia

Jun 18, 2021 | 10:31
SHPËRNDAJE

Policia e Tiranës ka arrestuar sot anëtarin e trembëdhjetë të bandës që u godit një ditë më parë, e cila merrej me prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

“Në vijim të operacionit policor të koduar “Parku”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e lëndëve narkotike, finalizuar një ditë më parë nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe Forcën e Posaçme Operacionale në DPPSH, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 12 shtetas, ka vijuar puna me hetime të thelluara për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Nga shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi, në koordinim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2 Tiranë, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në Dhërmi, e shtetasit R. D.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës, e cila i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, u bë ndalimi i shtetasit R. D., 21 vjeç”, tha Policia.

Ky shtetas, në bashkëpunim me personat e tjerë të arrestuar, merrej me veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Në vijim të hetimeve është shpallur në kërkim edhe shtetasi R. D., pasi ka rezultuar se ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

OPERACIONI

Droni ka qenë aleti më i mirë i Policisë së Tiranës, që finalizoi dje një operacion të suksesshëm antidrogë të koduar “Parku”.

Gjatë këtij operacioni të realizuar nga Komisariati nr.2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë, u arrestuan 12 persona dhe 6 të tjerë u shpallën në kërkim.

Nga ana e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, mbi bazën e ankesave të banorëve të zonës së ish-parkut, të cilët shprehnin shqetësimin se ushtrohej aktivitet kriminal në tregtimin e lëndëve narkotike në këtë zonë, me marrjen e informacionit nga strukturat e Hetimit të Komisariatit Policisë Nr. 2 Tiranë, është organizuar puna për dokumentimin ligjor të kësaj veprimtare kriminale dhe në bashkëpunim me Prokurorinë është regjistruar procedimin penal për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Shkatërrim i pronës me zjarr”.

ARRESTIMET

Pas një viti hetimesh të kryera nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Sektorin për Narkotikët dhe Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë bazuar në provat e grumbulluara, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Parku”, në kuadër të të cilit u bë ekzekutimi i urdhrave të ndalimit ndaj shtetasve:

Deivid Shuaipi, 26 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”;

Farjon Palushi, 27 vjeç,

Jurgen Halitaj, 19 vjeç,

Ismail Gurra, 26 vjeç,

Denard Buci, 20 vjeç,

Josif Ceka, 20 vjeç,

Oltion Doku, 19 vjeç,

F. S., 17 vjeç,

L. D., 17 vjeç,

Fabian Pitani, 22 vjeç dhe

Doris Murati, 23 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim;

A. Ll., 26 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

Po në kuadër të procedimit penal janë shpallur në kërkim shtetasit:

Arnaldo Çiçaj, 27 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”;

Ergest Mema, 22 vjeç,

Redi Palushi, 25 vjeç dhe

Aleksandro Maliqaj, 19 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim;

Frenkli Sorra, 27 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzim krimi”;

R. D., 21 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Moskallëzim krimi”.

LEXO EDHE

EMRAT/ Kush janë 12 shpërndarësit e drogës që u kapën me dron pas një viti hetim. Zonat ku shitej lënda narkotike

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura