VIDEO/ “Duam shtëpitë tona”, banorët e Unazës së Re vijojnë protestën, çfarë parashikon projekti

SHPËRNDAJE

Banorët e zonës së “Unazës së Re” në kryeqytet kanë dalë sërish në protestë këtë pasdite. Ata shprehen kundër prishjes së banesave të tyre, siç e parashikon plani për ndërtimin e projektit të “Unazës së Madhe”.

Me një pankartë të shpalosur me mbishkrimin “duam dëmshpërblim”, apo me thirrjet “duam shtëpitë tona”, banorët kanë vijuar edhe këtë të mërkurë protestën e tyre, për të disfatën ditë radhazi.

Banorët kanë paralajmëruar vazhdimësi të protestës nëse problemi i tyre nuk merr zgjidhje. Disa syresh kanë paralajmëruar edhe veprime ekstreme.

Nga bllokimi i të dyja akseve të rrugës kryesore në zonë, është krijuar një trafik i rënduar.

Projekti

Më herët gjatë kësaj jave, në një dalje publike të përbashkët, pesë institucione: Drejtoria e Autoritetit Rrugor, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Hipoteka, Agjencia e Legalizimeve dhe Bashkia e Tiranës, kanë sqaruar projektin e Unazës së Madhe dhe çfarë do të ndodhë me banesat e bizneset që rrezikohen.

Sipas tyre, zgjerimi i Unazës së Madhe prek 317 objekte në tri njësi administrative, 6, 7 dhe 11, shumica e të cilave janë dyqëllimshe, për strehim e biznes. Segmenti rrugor nga “Pallati me Shigjeta” te sheshi “Shqiponja” do të jetë me tri korsi dhe me një gjatësi prej 2.34 kilometrash.

Fatura financiare vetëm për rrugën (pa shpronësimet), sipas projektit të shpallur fitues në Agjencinë e Prokurimit Publik, për ndërtimin e tri loteve të para është 5.98 miliardë lekë. Institucionet janë të mendimit se projekti në fjalë është shumë i rëndësishëm për 100 vitet e ardhshme të këtij qyteti, pasi rregullon trafikun në një prej nyjeve më të rëndësishme.

FATI I BANESAVE

Autoriteti i Rrugëve thotë se bëhet fjalë për 242 objekte që preken në tri lotet e para të punimeve për zgjerimin e Unazës së Madhe në pjesën perëndimore të saj. Lajmin e keq për shembjen e tyre e përforcon institucioni përgjegjës, IKMT, duke thënë se derimë tani vetëm sa i ka identifikuar, ndërsa prishja e tyre do të nisë ditët në vijim. “Jemi në fazën fillestare, në fazën e identifikimit dhe së bashku me grupin e punës, në ditët në vijim do të jemi në fillim të procedurave ligjore deri në vendimmarrje”, tha drejtoresha, Dallëndyshe Bici.

Edhe Hipoteka ka bërë punën e saj, duke parë objektet që janë me leje, të cilat rezultojnë në total 123, më pak se gjysma e atyre që janë parashikuar t’u vihet ruspa. Nga ana tjetër, ALUIZNI, përmes nëndrejtoreshës Ingrid Konomi, shoi çdo shpresë të banesave që janë në proces legalizimi, duke i cilësuar të skualifikuara nga procesi. “Në momentin që shfaqet një plan i tillë, të gjithë subjektet, të cilat kanë aplikuar për leje legalizimi, janë verifikuar dhe sigurisht ato subjekte që ndodhen në gjurmën e këtij plani, janë në proces të skualifikimit”. Për këtë kategori, Bashkia e Tiranës ofron zgjidhje të parë bonusin e qirasë me afat 1-vjeçar, periudhë kjo, sipas tyre, e mjaftueshme deri në një zgjidhje përfundimtare.

Më me fat janë ata që disponojnë një certifikatë pronësie. Ata do të dalin në rrugë, por në një moment të dytë do të shpronësohen me një çmim të caktuar me vendim qeverie.

“Çdo person, i cili ka një dokument hipotekor për banesën ose biznesin e tij që preket nga projekti, do të marrë dëmshpërblim sipas ligjit. Të gjithë ato familje, të cilat janë në proces legalizimi dhe do të duhen të skualifikohen si rrjedhojë e këtij projekti nga legalizimi, Bashkia e Tiranës do t’i trajtojë me një nga programet e mbështetjes për banesë. Do t’i trajtojmë me një procedurë të posaçme për bonusin e qirasë, në mënyrë që të kemi mundësi t’i kalojmë me procedurë më të shpejtë”, deklaroi nënkryetari i bashkisë, Arbjan Mazniku.

Sipas ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i gjithë projekti për ndërtimin e Unazës së Madhe pritet të përfundojë pas tre vitesh.

PANORAMA

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.