VIDEO/ Dalin pamjet e reja, shikoni momentin kur kandidati për deputeti i PD-së godet me grusht biznesmenin Gjergj Luca

Mar 19, 2021 | 20:51
SHPËRNDAJE

Dalin pamjet e reja të përplasjes fizike mes ish-deputetit të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi dhe biznesmenit të njohur në Elbasan, Gjergj Luca.

Kamerat e sigurisë kanë filmuar momentin kur Luçiano Boçi godet me grushte biznesmenin Gjergj Luca.

Mësohet se profesori i Universitetit të Elbasanit, Luçiano Boçi ka qenë duke dalë nga një takim me mbështetës të tij në një lokal të zonës, kur tek dera është ndeshur me sipërmarrësin e njohur Luca.

Mes tyre ka pasur një debat verbal, i cili ka agravuar në përplasje fizike. Në video shihet që demokrati godet biznesmenin, por nuk dihet nëse sherri ka vijuar më tej.

PRETENDIMET

Gjatë konferencës për mediat, kandidati i PD-së tregoi shenjat e dhunës nga përplasja me biznesmenin, ndërsa bëri dhe denoncimin në Drejtorinë e Policisë së qarkut Elbasan.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Altin Xhetani, ka kërkuar kryerjen e një ekspertimi mjekoligjor për të vërtetuar, ose jo pretendimet e Boçit për ushtrimin e dhunës ndaj tij. Po ashtu, ka qenë dhe vetë biznesmeni Luca, i cili i është drejtuar ambienteve të Policisë, ndërsa i është përgjigjur interesimit të gazetarëve për të marrë prej tij një version të tij për ngjarjen.

Mësohet se Policia e Elbasanit ka bërë të mundur shoqërimin e tre personave, të cilët kanë qenë dëshmitarë gjatë konfliktit të kandidatit për deputet të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi me biznesmenin e njohur, Gjergj Luca.

Mësohet se personat e shoqëruar kanë qenë të pranishëm me demokratin Luçiano Boçi, kur ky i fundit është përleshur me biznesmenin Luca.

PËRPLASJET

Disa herë në ambientet e resortit të tij kulinarik në Labinot të Elbasanit, Kryeministri Rama ka zhvilluar mbledhje të asamblesë kombëtare të PS-së, por dhe të kryesisë socialiste dhe ministrave të tij. Por duket se konfliktin mes tyre e ka karikuar dhe mbështetja që ish-deputeti Boçi i ka bërë protestave të banorëve të zonës, të cilët janë ankuar për grabitje të tokave të tyre nga biznesmeni Luca në përpjekje për të zgjeruar bizneset e tij. Por në atë zonë ka pasur edhe protesta gjatë verës së kaluar kur banorët janë ankuar për erën e rëndë që vinte nga hedhja e mbeturinave që dalin nga përpunimi i peshkut në biznesin e Lucës.

REAGIMI I PD

Partia Demokratike reagoi dje pas përplasjes fizike mes kandidatit për deputet të PD-së, Luciano Boçi dhe biznesmenit Gjergj Luca në një lokal në Labinot. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, thotë se ky incident është “dëshmi e dëshpërimit të Ramës për humbjen e sigurt”. “Agresioni i ortakut të qeverisë, Gjergj Luca, ndaj kandidatit të PD-së në Elbasan, Luciano Boci, është një dëshmi e dëshpërimit të thellë që ka Edi Rama nga humbja e sigurt që e pret me 25 prill dhe një vërtetim i sistemit korruptiv që ai ka ngritur në këto 8 vite.

Gjergj Luca, është një oligark i Edi Ramës, që ka privatizuar e ka marrë çdo pasuri që ka dashur në Elbasan, me një të rënë të lapsit. Gjergj Luca është përfitues dhe plaçkitës dhe ai do të bëjë gjithçka, së bashku me mercenarin e tij politik, Taulant Balla, që të ruajë privilegjet. Por kjo fushatë, këto zgjedhje, janë për qytetarët, për interesat dhe jetën e tyre. Nuk janë për një grusht njerëzish me të cilët Edi Rama ka ndarë asetet dhe buxhetin në këto 8 vite. Biznesmeni i Edi Ramës, e beri sot edhe më të qartë zgjedhjen që duhet të bëjnë qytetarët me 25 prill.

Do të votojnë në Elbasan që të shtojë edhe më shumë pasurinë Gjergj Luca, të rrisë luksin Taulant Balla, apo do të votojnë të kenë rend e siguri, të kenë rritje të pagave e pensioneve, të kenë vende të reja pune, të kenë dyfishim të ndihmës ekonomike, subvencione në bujqësi, e mbështetje për të rinjtë e familjen”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike bërë nga sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi.

LUÇIANO BOÇI: AGRESION ME MOTIVE POLITIKE

“Një agresion, sulm i Lucës. Nuk është as Zoti, nuk mund t’i them as me termin oligark, se këto janë plehrat e Ramës që ai i ndërsen kundër përfaqësuesve kundërshtarë politikë. Ky është një agresion me motive politike. Dalja nga një takim politik për të biseduar me disa përfaqësues për problemet e zonës. Në dalje ky zotëri, se as zotëri nuk është vjen dhe agreson me fjalë dhe më pas më afrohet dhe tenton goditjen, pastaj e agravon situatën deri në kërcënime për jetën.

Përgjigjen këta njerëz do ta marrin çdo ditë dhe përgjigjen e madhe do ta marrin në datën 25 prill me votën masive kundër këtij regjimi dhe kundër kësaj kaste skllavopronarësh, që ushtrojnë terror te njerëzit, atje në zonën ku janë, skllavërojnë punëtorët me gjoja bizneset e tyre dhe guxojnë godasin. Unë isha i vetëm, ai ishte i shoqëruar me 2 a 3 badigardë. Bënte tentativa dhe filma sikur ishte i armatosur. Sepse është kanakari i z. Rama ai, është miku i ngushtë i Kryeministrit të famshëm. Është bandit dhe mbrohet nga një kryebandit.

Koha e banditëve ka marrë fund. Në 25 prill i zbresim nga froni i banditëve. Unë kam bërë hapat e para ligjorë për denoncimin. Është në moralin, në përgjegjësinë e Prokurorisë të vazhdojë hapat e tjerë, të cilat janë hapa që duhet të reflektojnë qëndrimin e institucioneve të drejtësisë ndaj padrejtësisë, ndaj agresioneve qofshin këto politike qofshin jo politike se ka plot raste kur dhuna është toleruar. Luca ka histori të përplasur me njerëzit në Labinot, me grabitjet në Labinot, nuk i ka hyrë gjemb në këmbë. I duket vetja trim, i mbështetur nga Kryeministri. Po këto trima, pas 25 prillit do të jenë frikacakët që do tu luten njerëzve për mëshirë”.

GJERGJ LUCA: LUÇIANO MË DHUNOI

“Politikan që të sillen si rrugaçë nuk jam mësuar të njoh. Rasti i parë që u ndesha me një politikan rrugaç. Duke u futur për të pirë një kafe, ky ishte veti i dytë, veti i tretë në mos gaboj. Filloi duke fyer, iu ktheva i thashë: Çfarë ke o zotëri që më fyen?! Më lërë në punën time. Ke tentuar disa herë të më fyesh unë s’të kam thënë gjë, tani pse po më ngacmon. Filloi duke fyer duke gjuajtur. Donte me çdo kusht një incident. Më vjen zor se s’jam mësuar të dal në kamera për kështu gjerash. E mbani mend atë shkollën në Mengel, që u zu rruga para disa kohësh. U ulën njerëzit në mes të rrugës.

U ulën me motivin që ‘Rozafa’ ka marrë shkollën për ta bërë dyqan peshku. ‘Rozafës’ i kërkoi bashkia për të bërë një investim për fëmijët dhe shkoi e ndriçoi atë vend. Ndërsa Luçiano bashkë me institucionin e vet i nxori njerëzit dhe bllokoi rrugën kombëtare për tetë orë. Tentativa e dytë e Luçianos rrugaç ishte kur nxori ata komshinjtë e mi te dera që i ranë të gjitha kauzat poshtë.

Erdhi me parulla dytri herë dhe s’i kam thënë kurrë një fjalë se më ka ardhur zor e kam menduar se e bën për politikë. Tani, unë në punë time duke hyrë në lokal, për të pirë kafe dhe ky të të provokojë, të shajë. Me thënë të drejtën andej nga vij unë nuk jam mësuar me ndërruar fjalë në këtë mënyrë. Boçi ishte me një njeri duke bërë biseda te dera. Unë isha duke hyrë për të pirë kafe. Më kanë grabitur edhe telefonin. Më ka rënë telefoni në tokë, kanë marrë telefonin dhe nuk ma japin. Uroj Zotit që kjo të zbardhet. Inshallah Policia i ka marrë kamerat dhe ta zbardhë që ky jo vetëm është rrugaç por edhe grabitës. Edhe kamerieri, edhe dy njerëz e ka parë që më ka marrë telefonin. Për zotin Politika është e ruajtur dhe nganjëherë e anashkalon policia. Unë nuk jam këtu për të dhënë leksione. Unë jam i dhunuari. Për Zotin, unë kam një shenjë që me ta kallëzuar që po vazhdon me këtë telefonin e kuq në dorë, mbase nuk do të vijë mirë. Unë në punë time, ti do të bësh gallatë”.

luciano boci gjergj luca

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura