VIDEO/ “Ç’ke për të thënë?”, si reagoi në gjyq i riu që aksidentoi për vdekje dy kushërinjtë në Fier, i trembur dhe…

Aug 30, 2018 | 10:00
SHPËRNDAJE

MAJLINDA RAMA/ Shkaktoi aksidentin me vdekjen e dy djemve të xhaxhallarëve, lihet në burg shoferi 23-vjeçar.

amarildo fier

I rënduar psikologjikisht, i penduar, pa fjalë dhe i trembur Amarildo Çalamani është paraqitur dje në Gjykatën e Shkallës së Parë Fier. 23-vjeçari u la në burg pa afat nga togat e zeza, ndërsa vetë autori i dyshuar nuk pranoi të jepte asnjë sqarim para trupit gjykues.

I pyetur nga mediat pak përpara se të niste seanca nëse kishte diçka për të thënë, lidhur me aksidentin tragjik, Çalamani iu përgjigj duke mohuar me kokë, çka nënkuptoi se nuk kishte dëshirë të prononcohej për ngjarjen e rëndë.

Pasi u lexua me detaje përshkrimi i ngjarjes nga prokurorja Elida Hoxha, me kërkesë po të saj, gjyqtarja Arta Duka vendosi masën “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve. 23-vjeçari Çalamani dyshohet se ishte duke ecur me shpejtësi tej normave të lejuara në një zonë të banuar, në të cilën shpejtësia ishte e kufizuar deri në 40 km/ h. Pasi humbi kontrollin e makinës, i riu përplasi për vdekje Amarildo dhe Festim Dogani, 24 dhe 29 vjeç.

I vetmi i mbijetuar nga aksidenti, Martin Dogani tregoi se pak sekonda para përplasjes u dëgjua një frenim i fortë. Martini tregoi se bashkë me dy kushërinjtë sapo kishin kafe dhe ishin duke biseduar në trotuarin e rrugës, kur makina i mori para. Ndërkohë, nga Policia mësohet se shoferi i arrestuar admironte garat e shpejtësisë. Shpesh, kishte dëshirë të sillej si nëpër filma, ndërsa edhe nofkën e kishte Roku.

Ndërkohë, mbrëmjen e aksidentit të ndodhur të dielën rreth orës 20:45, Çalamani u largua nga vendi i ngjarjes ndërsa pak më vonë u vu në pranga në banesën e tij. Në bazë të hetimeve, mësohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia me të cilën lëvizte makina tip “Golf” si dhe mungesa e ndriçimit në rrugë. Nga përplasja e fortë, që rezultoi fatale për dy të rinjtë, makina e drejtuar nga Amarildo Çalamani përfundoi në kanal.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura