VIDEO/ Autorët e ngjitën bombën me magnet, ra prej peshës së madhe

Feb 11, 2016 | 8:10
SHPËRNDAJE

Pesha e madhe e minës së vendosur poshtë makinës duket se e ka shpëtuar biznesmenin Nuredin Suli nga atentati i përgatitur ndaj tij.

Duket se autorët nuk e kishin llogaritur mirë sasinë e tritolit që mund të mbante magneti, të cilin e përdorën për ta ngjitur minën me celular poshtë makinës. Për këtë arsye, sapo makina e Sulit ka bërë vetëm disa metra për të dalë nga parkingu, mina është shkëputur dhe ka rënë.

Kjo shihet edhe nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë së parkingut të qendrës tregtare ku ishte parkuar automjeti i biznesmenit. Nga verifikimi i këtyre pamjeve, rezulton që Nuredin Suli e kishte parkuar makinën aty rreth orës 16:00 të ditës së martë dhe nuk e kishte lëvizur aty gjatë gjithë natës, deri të nesërmen, rreth orës 11:00, kur doli nga parkingu.

Pikërisht ky ishte momenti kur mina me celular e ngjitur poshtë makinës ra dhe u zbulua nga disa klientë të qendrës tregtare që po ashtu kishin parkuar mjetet aty. Këta ishin personat e parë të shoqëruar për verifikim në Polici, pasi në video dukeshin duke nxituar të largoheshin.

Ndërsa atentatorët nuk janë fiksuar në asnjë moment nga kamerat, gjë që, sipas Policisë, shpjegon mundësinë se mina mund të jetë vendosur kur mjeti ka qenë jashtë parkingut.

Në videon publikuar nga Vizion Plus, duket momenti kur pakoja me eksploziv shkëputet nga makina e biznesmentit Suli, teksa ai del nga parkingu i qendrës tregtare Kristal.

Fare pranë saj është një bordurë ndarëse, ku makina pasi ka kaluar, nga tronditja, pakoja e eksplozivit ka rënë.

 

makina-logo

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura