VIDEO- 40 vjeçari i zhdukur prej 4 ditësh/ Prindërit tregojnë bisedën e fundit telefonike: Një djalë tjetër na ka vdekur. Dyshojmë se…

Oct 15, 2020 | 20:47
SHPËRNDAJE

Prej 4 ditësh, të moshuarit Fejzo dhe Mjaftime Ngucaj nuk dinë asgjë rreth djalit të tyre. Ermal Ngucaj, 40 vjeç është zhdukur pa gjurmë, ndërsa prindërit e tij i bëjnë apel shtetit që ta gjejë.


Djali nuk na përgjigjet në telefon. Kemi ndenjur në gjemba, pyes gruan ku është djali dhe e pyes nëse ke folur. Më thotë që kam folur që të hënën në darkë dhe nuk e di ku është. Atë ditë ndenja dhe në darkë shkova në Vlorë se mos ishte te shtëpia.

Vajta, hapa derën nuk ishte. Shkova pyeta në polici nëse e ka zënë për ngatërrim të rrugëve. Policia tha nuk e kemi arrestuar. Erdha lart. Dhëndri më tha që do të bëj denoncim. Një djalë më tha që makina e Ermalit është te kthesa që shkon në Mavrovë. Shkova, makina ishte e rregullt, rrobat e tij brenda. Edhe atletet brenda.

U thashë mos e prekni makinën, lajmëruam policinë, që mori makinën dhe nuk e dimë se çfarë bëri. Unë dyshoj se e kanë rrëmbyer djalin. Dyshoj se kanë gënjyer, e kanë nxjerrë nga makina dhe dëmtuar.

Telefonin e ka të mbyllur që të hënën në darkë. Unë dua djalin, të gjendet djali, të futet shteti të kontrollojë me imtësi se mund të jetë dëmtuar djali. E kanë rrëmbyer, e kanë marrë makinën e kanë çuar atje që të heqin gjurmët”, u shpreh ai.

Nëna e djalit të zhdukur, tregon bisedën fundit në telefon me të birin.

Mjaftime Ngucaj: Unë me djalin kam folur kur isha në Itali, i thashë “Ermali si jeni, më tha mirë. I thashë të hënën do të vij dhe të martën do të shkojmë në Vlorë, do të vish të na marrësh, “mirë ma, do të vij unë, po u pres padurim të vini sa më shpejt”. 

Erdhëm në Vlorë, ofertë nuk kishim në telefon. Kur erdhëm nga Italia, i thotë të atit “kur do të vish të pres padurim”. Atë ditë nuk foli djali, na dogji diçka ne, burri më thotë “Ermali e ka diçka”, i thashë ndoshta e ka zënë gjumi. Çupa e vogël na foli, dhe tha nuk e dimë ku është. Morëm nusen në telefon, ajo më thotë se edhe unë e kam provuar telefonin. 

Djali nuk kishte asnjë problem. Unë 7 muaj qëndrova në Itali. Tani ka 4 ditë nuk e kam dëgjuar zërin e tij. Unë dua djalin, nga shokët e tij që e kanë ngrënë në pabesi, e kanë marrë peng ose plagosur. Ne presim të shikojmë nga porta për djalin e vetëm. Më ka vdekur edhe një djalë, është i dyti që më largohet, dua djalin se s’bën në shtëpi, si do që të jetë, nuk e përballoj dot. Shteti po përpiqet, janë vendosur në lëvizje të gjithë”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura