VIDEO 3D/ Ja si u sulmuan forcat RENEA në Lazarat. Hetuesit: Autorët nuk duken

Jun 30, 2015 | 8:01
SHPËRNDAJE

Nje video ne 3D tregon dinamiken se si policia eshte zene ne prite dhe grupi i zjarrit i Lazaratit ka qelluar per vdekje efektivin e RENEA-s, Ibrahim Basha.

Në materialin filmik të publikuar nga televizioni ‘News24’ pasqyrohet dinamika e ngjarjeve që nga ndalimi i automjetit nga forcat e policisë në hyrje të Lazaratit, sulmi me armë në drejtim të policisë dhe ndërhyrja e forcave speciale në fshat.

Gjithashtu në video jepen pamje të goditjes së automjetit të policisë tip Volkswagen dhe prita që u ishte ngritur forcave të RENEA-s në Lazarat. 

*** 

Sekuestrohet në Lazarat një provë e rëndësishme për sulmin me armë ndaj forcave speciale RENEA, ku mbeti i vrarë efektivi Ibrahim Basha dhe u plagosën dy kolegët e tij. Një video e siguruar në fshatin Lazarat është administruar si provë materiale dhe i është bashkëngjitur dosjes hetimore të ngjarjes së të mërkurës. 

Furgoni i sulmuar

Burime nga Policia e Shtetit thanë se bëhet fjalë për filmimet e njërës prej kamerave të sigurisë së një lokali në hyrje të fshatit, që ka qenë e pozicionuar në drejtim të vendit ku ka ndodhur vrasja.

Ndonëse në një distancë relativisht të largët nga vendi i ngjarjes, burimet thonë se kamera është me rezolucion optimal dhe duken qartë veprimet e forcave speciale që nga momenti kur kanë hyrë në fshat, kur ka ndodhur sulmi me armë dhe është vrarë Ibrahim Basha dhe kohën pas ngjarjes kur aty kanë shkuar edhe shërbimet e tjera të Policisë.

Në bazë të këtyre pamjeve filmike, është bërë edhe një tjetër rindërtim i skenës së krimit, përveç skenës së parë, që u bë në terren në bazë të provave dhe dëshmive. Këto pamje tregojnë vetëm njërën anë të ngjarjes, duke qenë se pozicionimi i tyre ishte vetëm drejt rrugës hyrëse në fshat. Ndërsa nuk kanë fokusuar vendin ku ishin pozicionuar anëtarët e grupit të zjarrit që qëllonin mbi policinë.

PAMJET FILMIKE
Në lokalin që ndodhet në hyrje të fshatit Lazarat, aty ku kryqëzohet rruga kryesore me rrugicën mes shtëpive ku ishin pozicionuar personat e armatosur që qëllonin forcat RENEA, Policia ka sekuestruar disa pamje filmike që mund të ndihmojnë për hetimin. Megjithëse nga pamjet nuk duket asnjë prej personave të armatosur, është i qartë pozicioni nga ku është qëlluar.

Burimet thanë se grupi i zjarrit nuk është fokusuar për shkak se ndodhej më shumë se 200 metra larg lokalit ku kishte kamera sigurie. Zona ku ata kanë qenë të pozicionuar, është disi e fshehur nga rruga kryesore, jo vetëm për shkak të banesave, por edhe për shkak se nuk është në vijë të drejtë me lokalin, duke qenë se rrugica është malore.

Megjithatë kamerat kanë fokusuar disa elemente të rëndësishme për hetimin e ngjarjes, që nga momenti kur disa persona, të cilëve nuk u duket fytyra, kanë shembur avllinë me një makinë të rëndë. Më pas janë filmuar të gjitha lëvizjet e forcave të Policisë në fshat, të FNSH dhe Policisë lokale dhe largimi i tyre nga zona nga ku qëllohej me armë.

Gjithashtu nga pamjet duken dy blindat e forcave RENEA, që ngjiten lart në fshat para se të ndodhte vrasja. Një moment shumë i rëndësishëm i filmuar nga kamera është mbërritja e furgonit të RENEA- s, i cili duket që është në lëvizje kur qëllohet me  armë dhe në një moment frenon pasi njëri nga efektivët mbetet i vrarë.

Më pas, pamjet tregojnë edhe kronologjinë e ngjarjes, kthimin e dy blindave që u vijnë në ndihmë oficerëve që ndodheshin në furgon dhe mbërritjen e forcave të tjera shtesë në vendin e ngjarjes.

ETLEVA DELIA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura