Vëzhgimi/ Nga ditëlindjet pa festë, te varrimet në distancë, si ndryshuan traditat brenda javës. Martesat vetëm për…

| 14:25
SHPËRNDAJE

Vezhgimi varrimet ne distanceBesarta Basha /Të gjitha ceremonive, qofshin këto për mirë apo për keq, në kohën e koronavirusit, iu ka ngelur veçse emri i madh.

Ato që shekujt nuk i shlyen dot, ritet e zakonet, e bëri një virus që, sot për sot, dihet vetëm se si quhet. Nën presionin e mosdhënies së dorës apo përqafimeve, shqiptarët kanë vendosur të hedhin pas krahëve traditën disa shekullore të hyrje-daljeve, duke braktisur çdo mjedis që mbledh shumë njerëz. Dhe kjo, brenda një harku të shkurtër kohor. Të parat që e ndjenë këtë janë festimet e ditëlindjeve e hidhërimet, që, si asnjëherë më parë, po kalojnë pa zhurmë, në fshehtësi të plotë e larg syve të botës.

 DITËLINDJE PA FESTË

Nuk ka më festë, as për ditën e lindjes. Vendin e tortave të stërmëdha, me disa kate, ngjyra e dedikime nga më të ndryshmet e kanë zënë tortat minimaliste me pesë racione. Edhe kjo, rëndom, e porositur me anë të telefonit. Kjo është idealja e këtyre ditëve për ata që zgjedhin të mos e kalojnë pa hiçgjë ditën e shënuar, për prindërit, bashkëshortët apo fëmijët.

Pasticerite

“Ka rënë 60-70% e punës. Torta ditëlindjesh thuajse s’kemi pasur fare. Shumë pak. Duke qenë se nuk bëjnë më festa të mëdha me shumë njerëz, porosisin torta të vogla, mundësisht me pesë racione. Kjo na lë të kuptojmë që bëhet fjalë vetëm për rrethin e ngushtë familjar. Festohet shumë pak. Ne punojmë më shumë me anë të telefonit. Edhe kur vijnë në dyqan, mundohemi të mos kemi shumë kontakte me klientët dhe iu kërkojmë të respektojnë distancën”, thotë Mimoza Halili, specialiste brumi në një prej dyqaneve të pastiçeri “Lika” në kryeqytet.

Nëse në një ditë normale, pa koronavirus vërdallë, vetëm një dyqan i pastiçerisë prodhonte disa torta të mëdha në një ditë të vetme. Sot, ky sektor është gati jetim. “Zakonisht bëjmë minimalisht pesë torta të mëdha, numër ky që varion deri në dhjetë të tilla. Ndërsa këto ditë porositë mungojnë. Për shembull, dje bëmë një tortë dhe sot një tjetër.

dizinfektimi

Të vogël, sigurisht”. Prej disa ditësh, rrallëkush futet në dyqan për të kërkuar ëmbëlsirë. Nga larg banakut kërkohet zakonisht bukë, e çfarëdolloji. Për tortë asnjë s’kujtohet. “Ka një ndërgjegjësim nga ana e klientëve. Zakonisht na thonë atë çfarë duan nga larg, ashtu siç ka dhe të tjerë që duhet t’u lutemi të mbajnë distancën. Kemi marrë masa mbrojtëse, që në janar, duke punuar me maska e doreza”, tregon punonjësja e një ndër pastiçerive më të kërkuara, që edhe pse e tillë, këto ditë ka pësuar ulje prodhimi.

LAMTUMIRË NË DISTANCË

varrezat

Përveç furrave të bukës e supermarketeve, agjencitë funerale janë gjithashtu në gadishmëri për “klientë”. Ritmi i punës vazhdon njësoj, por por me rregulla të tjera loje. Pritjet e mëdha, ngushëllimet e deri te përcjellja me autobusë për në banesën e fundit, janë kapitull i së shkuarës. Gjithë përpjekjet bëhen që ceremonia të zhvillohet sa më shpejt dhe me sa më pak persona. “Nuk bëjmë më as dreka, as ceremoni, as autobusë për përcjellje në Sharrë apo Tufinë. Vetëm 3-4 vetë, rrethi më i ngushtë i familjes”, pohon Arbian Dedej, drejtor i agjencisë funerale, “Alba 2000”.   Një lamtumirë në distancë, në kushtet e emergjencës, duket e vështirë për t’u përballuar, por jo e pamundur. Edhe pse porositë janë të qarta për agjencitë mortore, sipas Dedej, janë vetë njerëzit ata që janë distancuar. “Përveç urdhëresave që na janë dhënë, ka edhe një ndërgjegjësim nga vetë njerëzit, të cilët nuk vijnë për të dhënë lamtumirën të afërmve të tyre. Por edhe ne kemi bllokuar totalisht pritjet.

Madje, kemi vendosur në ambientet tona lajmërime që këto ditë të jenë njerëzit më të afërt të të ndjerit. Për të ruajtur shëndetin e tyre, por edhe tonin”.

rruget bosh

Përveç masave të marra në dezinfektimin e ambienteve pritëse e makinave funerale, agjencia në fjalë ka inskenuar edhe mënyrën se si do të procedojë me personat që humbin jetë për shkak të virusit të frikshëm. “Thjesht merret kufoma, futet në çarçaf të lagur me lëndë dezinfektuese, pra, alkool dhe ngjitur në të futet në arkivol për t’u nisur më pas në varreza. Pa kurrfarë ceremonie, për të eliminuar çdo kontakt me të, ndonëse ekspertët thonë se trupi që ka ndërruar jetë nuk infekton”.

Edhe pse punohet non stop 24/24, koronavirusi ka reduktuar ndjeshëm stafin e agjencisë. Nga 10 persona, që nga menaxheri deri te shoferët e ndihmësit, tashmë lihet vetëm një person, i domosdoshëm për të pritur ata që drejtohen për të marrë shërbim.

semaforet

“Periudha e vdekjeve”, mesatarisht regjistrohen 10 në ditë

Edhe pse tremujori i parë i vitit cilësohet si “periudha e vdekjeve”, numri i fataliteteve përgjatë kësaj jave nuk ka pësuar ndryshim, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vetëm një javë, Drejtoria e Shërbimeve Funerale në Bashkinë e Tiranës ka lëshuar 85 certifikata vdekjeje, të cilat kanë kaluar në heshtje me praninë e rrethit më të ngushtë familjar.

“Marsi ka regjistruar vdekje në numër të përafërt me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, pra, është në të njëjtin nivel. Kujtojmë që janar-mars është periudha që regjistron më shumë vdekje krahasuar me periudhën e verës, ku numri zakonisht është më i ulët. Ka pasur ditë që kemi pasur vetëm tri varrime e ditë të tjera mbi 10. Mesatarja e zakonshme e çdo viti në këtë kohë është 10 dhe nuk ka asgjë të pazakontë”, thotë për “Panorama” drejtoresha e Agjencisë së Shërbimeve Funerale në Bashki, Rajmonda Shino. Ndonëse kjo është periudha më e ngarkuar e vitit, kjo agjenci po punon me personel të reduktuar prej një jave, pas urdhëresës për të lënë në shtëpi punonjësit mbi të gjashtëdhjetat si dhe ata që kanë fëmijë të vegjël në ngarkim.

Martesa?! Vetëm për letra ose bashkim familjar

Thonë që dashuria nuk përulet përpara asgjëje, por para koronavirusit, po. Të dashuruarit që kishin vendosur të celebroheshin pikërisht këtë javë, e kanë shtyrë për një moment të dytë. Jo vetëm sepse Bashkia e kryeqytetit nuk i lejon. “Kishim menduar marsin për të kryer celebrimin para ligjit, pasi në fund të qershorit kemi caktuar datën e dasmës. Por, duke parë situatën, as e çuam në mendje”, thotë Jetmira Peposhi. Në ditët e para kur koronavirusi u deklarua zyrtarisht në vend, fillimisht ishin familjarët ata që nuk u lejuan në celebrime.

Vetëm pak ditë më vonë, kur situata u bë më kërcënuese, njësitë administrative të Tiranës u mbyllën fare. Dhjetëra martesat që lidheshin në 24 njësitë administrative u reduktua ndjeshëm.

Sipas Erind Bejkos, drejtorit të përgjithshëm të bashkëpronësisë e njësive administrative, përgjatë një jave, celebrimet janë aq të pakta sa numërohen me gishtat e njërës dorë. “Nuk pa pasur martesa këto ditë. Ka vetëm ndonjë tek-tuk që ka hall dokumentesh apo bashkimi familjar”. Më në hall kanë qenë ata që kryejnë ceremoninë familjare, me shumë më pak të ftuar nga ç’e kishin imagjinuar dasmën e ëndrrave./PANORAMA.al

 

Te lidhura

Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU