Veza që di të bëjë Kryeministri

Nov 3, 2015 | 12:26
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJu2_agrongjekmarkaj

    Dje, Kryeministri ynë Edi Rama është qëlluar me vezë nga disa studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale, si shenjë proteste ndaj ligjit të arsimit të lartë miratuar nga kjo maxhorancë së paku në mënyrë arrogante. Një akt, në pamje të parë i qortueshëm. Një gjest i pazakontë dëshpërimi. Një objektiv që, vite më parë kur qeveriste Fatos Nano, aktivistët e “Mjaft”-it nuk e kishin arritur dot me domatet e tyre.
Për një çast dukej se lajm do të mbeteshin stërkalat e vezës mbi shpatullën e Ramës dhe makinën e tij, por jo. Ai u rrëmbeu këtë studentëve.

Shefi i Ekzekutivit shpeshherë është paraqitur sportiv me batuta të gatshme për çdo situatë, garantist i lirive në studiot televizive, por të gjitha paskëshin qenë vetëm demagogji. Dje, i zymtë dhe i vrazhdë, ndotur me albuminë u pland në sediljen e tij hakmarrës.  Kësaj here nuk desh veç të na befasonte, por edhe të trembë kë të mundë. Ai shfaqi thelbin e vet, raportin e munguar me tolerancën.  Maskën e Edi Ramës liberal e çorrën policët e tij të cilët furishëm i ndëshkuan studentët pa folur gjykata, pa u shprehur drejtësia.

Ata i rrahën studentët si në sheshin jeshil në Tripolin e Gedafit. Ata i dhunuan qëllimshëm para kamerave që imazhi të shpërndahej, të merrte dhenë. Duhej të kuptonin shqiptarët që nuk bëhet shaka me të parin e tyre, duhej të kuptonin që protesta nuk është e këshillueshme se grushtet dhe shqelmat të derdhen rreke mbi rradake po guxove.
Stërkalat e vezës mbi shpatullën dhe makinën e tij janë dëshmi e një stine të re komunikimi ndërmjet Kryeministrit dhe popullit. Më shumë sesa akuzat, kritikat dhe sulmet e opozitës, një kacile me vezë si një leksion magjistral e ka bërë të kuptojë se zemërimi ndaj tij po fryhet. Pikëllohet Edi Rama dhe ka të drejtë. Shfryn dhe gabon. Reagon verbërisht dhe bie në faj.

Më shumë se kurrë ai dje u bë piktor i imazhit të tij të vërtetë. Pas ekspozitës në Gjermani dhe Hong Kong  kjo ishte e treta, autoportreti i tij gjenial.  
Ai ua vodhi ngjarjen studentëve duke lëshuar çapraz një kumt preokupues për të gjithë shoqërinë. Kryeministri ka frikë. Kryeministri përdor policinë si në kohë të diktaturës. Kryeministri është mërzitur. Kryeministri nuk u la shteg studentëve dhe pedagogëve të Universitetit të Tiranës. Nuk i begenisi, i fyeu ku mundi e sa mundi. Tentoi poshtërimin e tyre. Kryeministri përdor dhunën pa mëdyshje.

Kryeministri të arreston. Kryeministri të rreh.  Kryeministri do të nxjerrë friken e tij për gjithë sa bën ai dhe ministrat e tij rrethuar me skandale, duke kënduar refrenin e dajakut kundër 20-vjeçarëve. Asnjë Kryeministër nuk e ka bërë këtë. Një rekord që ndoshta e bën krenar. Një standard që duhet të na preokupojë. Edhe Ramiz Alia me Adil Çarçanin hoqën dorë nga dhuna ndaj studentëve. Sampistët e tyre u ndeshen ballazi, por nuk i grabitën për t’i poshtëruar e fyer në qelitë e komisariateve.

Nuk e bëri Sali Berisha në vitin 1997, megjithëse po i ikte pushteti dhe greva e tyre e urisë ishte prolog. Nuk e bënë as Nano, Majko e Meta, pavarësisht se studentët nuk qenë miqësorë dhe shpesh i qerasen me protesta të ashpra. Edi Rama e bën sepse nuk është si ata, është ndryshe. Ai po përpiqet maksimalisht ta shfaqë diferencën, të na e shprehë, të na e ulërasë, a të na e rrasë në sy e vesh.  Gjoba, burgu, shkopi i gomës janë instrumente me të cilat ai e arrin ekstazën e pushtetit. Për një ekzibicionizëm kësodore i duheshin një milion shpulla.

Sot pas 25 vitesh, kur veç një muaj na ndan nga dhjetori 1990, kur studentët sfiduan frikën dhe sollën lirinë, policia për të demonstruar zell, besnikëri ideologjike, besnikëri tribale na bën me dije se  diktatura është mes nesh, duke reklamuar po friken. Paradigmat e saj rishfaqen sa hap e mbyll sytë.
Kryeministri ende nuk është distancuar. Kryeministri ende s’ka folur.  Kryeministrit nuk i intereson respekti i qytetarëve të vet, por frika e tyre. Edi Rama na thotë shteti jam unë, ligji jam unë, policia jam unë dhe bëj ç’të dua. Plasni po deshët.   

Na tha kruajeni me mua se ju degdis në honet e ferrit. Më gjuani me vezë se jua ngjesh me shkop, më shani se ju përdaf me zaptie, më kundërshtoni se ju lidh me pranga.
Studentët e ndaluar po përdoren si mesazherë të shantazhit që Rama ka gatuar për shtetasit e vet. Shantazhi është për institucionet, shantazhi është për të gjithë ata që nuk janë dakord me këtë mënyrë qeverisjeje, shantazhi është për opozitën, për oponentët në parti,  për gazetaret, për mendimtarët e lirë. Për të gjithë mund të gjendet një vjegë dhunimi.

Ky është elikziri dhe vizioni i Edi Ramës për demokracinë, pluralizmin, protestën, kundërshtimin. Koha do ta tregojë në jemi një republikë qytetaresh europianë apo një republike delesh me bari Edi Ramën, që na mjel, na qeth, na ushqen apo na e kërcet me kopaçe si të dojë! Atë që di të bëjë më mirë, vezën e tij të artë, e bëri dhe na e gjuajti mbi fytyrë faqe gjithë botes, mos prisni se di të bëje ndryshe. Ky është Kryeministri ynë që na rreh se na do si Baba Dovleti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura