Vettingu/ Nga personeli te shtimi i pagave, shkresa që KPK i ka drejtuar Kuvendit

Jul 7, 2018 | 12:15
SHPËRNDAJE

Komisioni i Pavarur i Kulaifikimit kërkon shtesë personeli në këtë institucion si dhe rritje pagash. “Panorama” ka siguruar shkresën e dërguar kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, kreut të komisionit të ligjeve Ulsi Manja, Ministrit të Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj si dhe për dijeni sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.

seanca KPK

Në kërkesë thuhet se organika ka në përbërje 12 këshilltarë juristë dhe 4 këshilltarë ekonomistë. Pas shpërndarjes së çështjeve në trupat gjykuese, një këshilltar ekonomik duhet të punojë njëkohësisht me 3 këshilltarë juristë për tri çështje të ndryshme, pra, të mbuloje 3-fishin e punës së këtyre të fundit.

Ndaj KPK thotë se duke parë ngarkesën e madhe dhe voluminoze në mbulimin e dosjeve të subjekteve të rivlerësimit, kohën e limituar që ka institucioni për realizimin e misionit, objektivave dhe detyrave të caktuara nga Kushtetuta, e vlerëson si tepër të rëndësishme rritjen e numrit të personelit me: 8 këshilltarë ekonomistë, duke e çuar numrin e tyre në 12 këshilltarë ekonomistë.

Gjithashtu, në përbërjen e institucionit sot punojnë vetëm 3 përkthyes, të cilët duhet të sigurojnë realizimin e një numri të madh faqesh përkthimi brenda një kohe të shkurtër dhe me cilësi të lartë, kërkesa këto të diktuara nga natyra e veprimtarisë së Komisionit. Duke marrë në konsideratë rëndësinë e veçantë që ka përkthimi për komunikimin e akteve dhe gjithë dokumentacionit te partnerët e huaj, KPK kërkon shtesë personeli me 2 përkthyes, për të arritur në total në 5 përkthyes.

Po kështu në shkresë thuhet se në strukturën e Komisionit është parashikuar vetëm 1 specialist protokoll/arkivë. Gjatë kësaj periudhe të parë të punës, është vënë re se specialisti është përballur me një volum të lartë pune që rrjedh nga sasia e madhe e dokumentacionit hyrës dhe dalës që duhet të pranohet dhe të shpërndahet në trupat gjykuese. Më konkretisht, vetëm gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2018 numri rendor i protokollimeve ka arritur mbi 5 mijë.

KPK thotë se këto kërkesa kanë bërë që specialisti i protokollit të punojë pothuajse përditë mbi orarin zyrtar të punës, madje edhe ditët e shtuna apo të pushimeve zyrtare. Në shumë raste specialisti është ndihmuar nga punonjës të tjerë të Komisionit, të cilët kanë krijuar vakum në punën e tyre të përditshme.

Për më tepër KPK deklaron se ngarkesës së përditshme në këtë sektor, i shtohet edhe mbajtja e postës sekrete, që ka specifika të veçanta për ruajtjen dhe përpunimin e dokumentacionit dhe kërkon më shumë përqendrim, përgjegjësi dhe përgjegjshmëri të lartë. Duke pasur parasysh sa më sipër, KPK kërkon shtesë në personel me 2 specialiste shtesë protokoll/arkivë.

Po kështu bëhet e ditur se në strukturën e Komisionit janë parashikuar vetëm 4 specialistë të sekretarisë gjyqësore, një për secilën nga katër trupat. Nga përvoja e deritanishme KPK ka konstatuar nevojën e më shumë specialistëve të sekretarisë veçanërisht për mbarëvajtjen e procesit të apelimit të vendimeve të Komisionit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Kërkesa e plotë

Kërkesa e dytë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura