Vettingu/ Gjyqtarët dhe prokurorët do t’i kthejnë paratë e ryshfeteve

Jul 28, 2016 | 15:07
SHPËRNDAJE

Gjyqtarët dhe prokurorët do t’u kthejnë denoncuesve lekët që u kanë marrë ryshfet. Në projektligjin e ri për Vetingun të ndryshuar nga Euralius dhe OPDAT është shtuar një nen i ri për bashkëpunëtorët e drejtësisë.

RyshfetiNë këtë nen është përcaktuar se me statusin e bashkëpunëtorit të Drejtësisë mund ta fitojnë dhe personat që kanë bërë korrupsion.

Pra, ata persona që kanë dhënë para ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët do t’i nënshtrohen procesit të vetingut.

Nëse provat janë të sakta, denoncuesit nuk rrezikojnë të paditen për dhënie ryshfeti. “Dëshmia e dhënë me shkrim nga bashkëpunëtori i drejtësisë përpara prokurorit përbën një provë thelbësore për procesin e rivlerësimit dhe procese të tjera ligjore”.

Në rast se ofrohen dhe prova të korrupsionit, gjyqtari apo prokurori që ka marrë shumën e parave do të detyrohet t’ia kthejë mbrapsht personit që e ka denoncuar.

“Subjekti i rivlerësimit që ka përfituar shumën, mbart detyrimin t’ia kthejë atë bashkëpunëtorit të drejtësisë, pavarësisht se ka shkelur ligjin.

Subjekti i rivlerësimit nuk legjitimohet të ngrejë pretendimin se fitimi i ardhur për shkak të kësaj shume ka humbur gjatë kalimit të kohës. Kthimi i shumës mund t’i kërkohet drejtpërdrejt dhe çdo personi të lidhur me subjektin e rivlerësimit, nëse vërtetohet se atij i ka kaluar një vlerë më e madhe se 100.000 ALL pa shkak të ligjshëm, që nga 01.01.2006.

Subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur kanë të drejtë të paraqesin në gjykatë padi regresi ndaj personave të tretë që mund të kenë përfituar shumën përkatëse”, thuhet në nenin 50 të projektligjit të ri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura