“Vetting” edhe për bizneset, si do gjurmohen pasuritë e tatimpaguesve

Aug 10, 2018 | 8:04
SHPËRNDAJE

Kontrolli i faturave, tatimet do ndërtojnë sistemi të ri për të ulur evazionin dhe gjurmuar pasuritë e tatimpaguesve, hapet tenderi 15 mln euro…

Taksa-tatime-finance-831

Tatimet do të përmirësojnë modulin e menaxhimit të kontrollit të faturimit, i cili do t’i mundësojë Administratës Tatimore që përmes internetit të ketë një pasqyrë të qartë në secilën llogari. Kjo eliminon evazionin fiskal dhe kontribuon në rritjen e ndërgjegjësimit të tatimpaguesve për të paguar tatimet, duke rezultuar kështu në një financim të drejtpeshuar të shpenzimeve publike. Një modul i këtij sistemi parashikon gjithashtu gjurmimin e pasurisë së tatimpaguesve.

Agjencia Kombëtare e Shërbimit të Informacionit (AKSHI) ka hapur një tender, përfituesi i të cilës do të jeë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Qëllimi i tenderit është krijimi i Sistemit të Menaxhimit dhe Kontrollit të Faturave (MKF), që është një grup i procedurave dhe mjeteve ligjore, organizative dhe teknike, qëllimi kryesor i të cilave është kontrolli i transaksioneve me pagesa me para në dorë dhe  pagesa me para jo cash.

Fondi limit është 1.87 mld lekë (rreth 15 milionë euro) do të financohet gjatë viteve 2018- 2022 nga fondet e Buxhetit të Shtetit.

Projekti përfshin Shërbimet e konsulencës (Sistemi i evidentimit dhe ndjekjes së transaksioneve me para në dorë;. Kontrolli tatimor i tatimpaguesve në sistemin e pagesave me para në dorë; Sistemi për menaxhimin e riskut për pagesa me para në dorë; Krijimi, regjistrimi dhe ndjekja e transaksioneve jo  cash.; etj) si dhe krijimin e Softuerit (programit) dhe infrstrukturës.

Softueri do të mundësojë:

– krijimin e sistemit për evidentimin dhe ndjekjen e transaksioneve me para ne dore;.

-Kontrolli tatimor i tatimpaguesve në sistemin e pagesave me para ne dore;

-Sistemi për menaxhimin e riskut për pagesa me para në dore;.

-Krijimi, regjistrimi dhe ndjekja e transaksioneve jo cash;

-Pasuria e tatimpaguesve;

-Regjistri i tatimpaguesve me degët e tatimpaguesve.

Synimi i këtij projekti është “Krijimi i një sistemi të mbikëqyrjes në kohë reale të pajisjeve fiskale që operojnë me para në dorë dhe atyre jo cash, në mënyrë që të ulet evazioni fiskal dhe mashtrimi tatimor. Qëllimi përfundimtar i këtij projekti është rritja e të ardhurave buxhetore dhe zbatimi i kontrollit efektiv mbi transaksionet cash dhe jo cash në Republiken e Shqiperise”, sipas dokumentacionit të tenderit.

Si do gjurmohen pasuritë e tatimpaguesve

Një element i tenderit është gjurmimi i pasurive të tatimpaguesve. “Qëllimi i këtij nënsistemi “Pasuria e tatimpaguesit” është të krijojë një sistem unik për monitorimin e pasurisë së tatimpaguesve, parandalimin e evazionit fiskal, rritjen e efikasitetit të mbledhjes së tatimit dhe automatizimin, përmirësimin dhe shumëllojshmërinë e procesit të mbledhjes së tatimit nga pasuria”, thuhet në dokumentet e tenderit.

Sipas kërkesave, rezulton se tatimorët do të arrijnë të marrin informacion real për pasuritë e tatimpaguesve, pasi ofertuesi duhet të krijojë “Katalogun e pasurisë të tatimpaguesit” si dhe një “Regjistër Qendror gjithëpërfshirës i Pasurive te Patundshme”. Në të do të përfshihet regjistrimi i ndërtesave dhe të tokës dhe pronarëve të tyre në Republikën e Shqipërisë. “Regjistri Qendror i Pasurive te Patundshme duhet të përcaktohet në mënyrë të tillë që një pjesë e të dhënave të pandryshuara të patundshmërive të përcaktohet si një njësi e veçantë që automatikisht do të lidhet me regjistrin e tokave me qëllim të marrjes së të dhënave të pasurive të paluajtshme”, thuhet në dokumentet e tenderit.

Regjistri Qendror i Pasurive te Patundshme ndër të tjera duhet të sigurojë një model transaksional të shitësve dhe të blerësve të pronave, vlerës së pasurive të paluajtshme dhe burimit të fondeve të blerjes së pronës.

Sistemi aktual i vjetëruar, financat tentuan më herët të jepnin TVSH-në me koncesion

Sistemi aktual i pajisjeve fiskale në DPT  (Platforma Nexus) përdoret nga Drejtoritë Rajonale Tatimore, nga  shoqëritë e autorizuara si  dhe nga tatimpaguesit. Ky sistem është instaluar në DPT më datën  01.06.2010 ku të dhënat financiare kryhen nëpërmjet transmetimeve të raporteve tatimore ditore “Z” i cili vazhdon deri në ditët e sotme. Para kësaj date, transmetimet nga pajisjet fiskale kryheshin 1 herë në muaj.

Aktualisht pajisjet fiskale transmetojnë të dhëna në sistemin qendror nëpërmjet GPRS, në fund të ditës së punës, thuhet në dokumentet e tenderit. Sistemi aktual është i centralizuar. Gjithashtu sistemi nuk identifikon kuponin në kohë reale, por transmeton vetëm totalin e xhiros dhe numrin total të kuponëve të printuar nga çdo pajisje fiskale një herë në ditë. Mungon një analize e detajuar për menaxhimin e riskut dhe kontrollit, nuk identifikon faturat e lëshuara në mënyrë elektronike biznes-biznes dhe faturat me blloqe ngaqë nuk deklarohen shitësi dhe blerësi, elemente këto të domosdoshme për procesin e punës së DPT-së.

Sistemi aktual ka shumë probleme, thuhet në dokumentet e tenderit. Ai nuk jep të drejta për organin tatimor për fiskalizimet apo çfiskalizimet, kasat e reja dhe ekzistuese apo adresat, aktualisht e bëjnë vetëm shoqëritë e autorizuara.  Sistemi aktual nuk ka modulin e hartës dixhitale ku të lokalizohen pajisjet fiskale. Sistemi nuk menaxhon ndërhyrjet e teknikëve të autorizuar dhe të japë të drejtat e ndërhyrjes apo roleve. Kasat fiskale kanë transmetuar shume raporte me mospërputhje vlerash, janë disa prej problemeve.

Disa vjet më parë, Ministria e Financave tentoi të jepte me koncesion mbledhjen e TVSH-së, që përfshinte ndër të tjera dhe zëvendësimin e sistemit Nexus dhe pasijeve fiskale, projekt që u la, pas kundërshtimeve të FMN-së.

Çfarë do të arrijë sistemi i ri:

 Sistemi i përmirësuarduhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të përfshijë transaksionet B2C dhe B2B;

 Duhet të jetë më e lehtë dhe më e shpejtë për konsumatorët që të kontrollojnë nëse pranimi ka kaluar verifikimin (skanimi i kodit QR me telefonin celular – të gjitha të dhënat shfaqen) ;

 Duhet të përfshijë transaksione jo cash, d.m.th. pagesa nga një llogari bankare në tjetrën, por edhe pagesa të bëra nga modele të reja duke përdorur monedhën virtuale dhe kripto, të cilat nuk janë të kontrolluara nga institucionet financiare dhe si të tilla i japin anonimitet paguesit;

 Duhet të mundësojë ndjekjen e afateve të pagesës në kuadër të transaksioneve B2B dhe kështu të shërbejë si një mekanizëm rregullator për Direktivën e Pagesave me vonesë në Transaksionet e Biznesit;

 Do të mundesojë plotesimin automatik të formularëve që tatimpaguesit (psh. librat e shitjes dhe blerjes, apo te parambush fusha të caktuara te deklarates se TVSH) duhet të dorezojnë pranë autoriteteve tatimore;

 Duhet të mundësojë monitorim më të mirë të të gjithë tatimpaguesve dhe auditimit të synuar, zvogëlimin e kostove administrative dhe rritjen e efikasitetit të Administratës Tatimore;

 Duhet të lejojë një zvogëlim të numrit të formularëve që tatimpaguesit duhet të paraqesin me autoritetet tatimore sepse raportet duhet të jenë të mundshme për të gjeneruar automatikisht nga sistemi – një kosto më të ulët tatimpaguesi administrative;

 Duhet të ofrojë të dhëna më të mira për prodhimin e raporteve statistikore dhe vlerësimin e efekteve të rregulloreve;

 Në rastin e pagesës jo cash, duhet të jetë më e lehtë të mbahen gjurmët e parave, ose nëse një transaksion është realizuar në të vërtetë ose është fiktiv vetëm për të zvogëluar detyrimin tatimor;

 Me përpunimin e të dhënave (në varësi të sasisë së të dhënave që do të dorëzohen në AT – mund të jenë specifike për një sektor ose mallra luksoze) duhet të jetë më e lehtë për të përcaktuar çmimet e tregut, d.m.th. Nëse çmimet e transaksionit raportohen mbi parimin e paanshëm ose transaksionet nuk janë të vërteta (transaksione fiktive);

 Duhet të jetë e mundur të reagohet më shpejt në rast të mashtrimit dhe të ketë kontroll më të mirë të TVSH-së;

 Në transaksionet B2B, duhet të jetë e mundur që blerësi të përcaktojë menjëherë nëse furnizuesi është me të vërtetë një pagues tatimor i TVSH-së apo jo;

 Të dhënat duhet të dorëzohen në kohë reale;  Duhet të ketë më pak mundësi të manipulimit të të dhënave;

 Duhet të ketë kontroll më të mirë dhe krahasim të të dhënave;

 Blerësit (qytetarët) duhet të kenë mundësinë për të marrë pjesë drejtpërdrejt në luftën kundër ekonomisë informale, duke kontrolluar vërtetimin e arkëtimeve nëpërmjet QR kodi;

 Duhet të jetë e mundur të bëhet auditimi i synuar, duke mundësuar veprime të shpejta (ndalimi i punës deri në heqjen e parregullsive, urdhrat për kundërvajtje etj.);

 duhet të rezultojë në një sistem më modern me një gamë më të gjerë të përdorimit, veçanërisht në aspektin e pagesave pa para në dorë dhe monedhës së re virtuale;

 Duhet të jetë e mundur të krijohet një tablo më e gjerë e pajtueshmërisë së tatimpaguesve;

 Duhet të jetë e mundur që menjëherë të kontrollohen elementet e faturës dhe nëse TVSH-ja e ngarkuar është në përputhje me ligjin;

Debat publik

“Pas hartimit të një propozimi të ri legjislativ, Ministria e Financave dhe Ekonomise dhe Administrata Tatimore do të zhvillojë një dëgjim publik për të mbledhur mendime nga palët e interesuara, d.m.th. të të gjitha palëve të interesuara të cilët do të jenë të detyruar të zbatojnë një model të ri, siç janë qytetarët, subjektet juridike, sipërmarrësit, shoqatat e sipërmarrësve, shoqatat e bankave, dhomat e tregtisë, organizatat, përfaqësuesit e sektorit të TI-së etj. Ofertuesi duhet të ndihmojë MFE dhe Administraten Tatimore (AT) me sqarime dhe përgjigje për pyetjet e mundshme të palëve të interesuara”, thuhet në dokument. Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura