Vetingu/ Policëve u kërkohen dokumentet, Hodaj: Kemi folur me bankat, që sot…

Apr 18, 2018 | 13:29
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA / Zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, shpjegoi dje ecurinë e procesit të vetingut në Polici, që ka nisur prej afro dy javësh. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Hodaj iu dha përgjigje disa prej shqetësimeve të ngritura nga punonjësit e Policisë, kryesisht me plotësimin e dokumenteve për formularët dhe kostot financiare për vërtetimet që kanë marrë në disa banka.

hodaj

Sipas tij, është ndeshur një problem i tillë në një bankë, pasi në të tjerat vlera ka qenë minimale dhe pasi është biseduar me përfaqësuesit e bankave është rënë dakord që duke nisur nga dje, ky shërbim do të jetë pa kosto. Gjithashtu, Hodaj sqaroi se formularët e vetingut nuk ka nevojë që të kenë edhe dokumente shoqëruese, pasi plotësimi është deklarativ dhe bëhet online.

“Ligji parashikon se, nëse një punonjës policie dëshiron që formularin ta shoqërojë me dokumente, le ta bëjë, por nuk është kusht që të shoqërohet me dokumente. Për sa i përket pjesës financiare, problemi që kemi dijeni dhe që jemi munduar ta adresojmë që javën e kaluar janë vërtetimet e të ardhurave, që në shumë raste punonjësit kanë shkuar t’i marrin nëpër banka. Ne kemi folur me bankat. Ka pasur një problem javën e kaluar në lidhje me kostot e këtij procesi, kryesisht nga një bankë. Kemi folur me të gjitha bankat dhe besoj që duke filluar nga sot, shumë banka kanë pasur kosto minimale, se nuk duam të themi gjëra të paqena, pasi e kanë pasur me 150 lekë koston e kë- tyre vërtetimeve, kjo është adresuar në të gjitha bankat dhe besoj që duke filluar nga sot, do jenë pa kosto”, u shpreh dje Hodaj.

AFATI NJEMUJOR

Zv-ministri i Brendshëm, Juljan Hodaj, deklaroi se punonjësit e policisë që po plotësojnë formularët e vetingut kanë kohë edhe 18 ditë, pasi nuk do të ketë shtyrje afati. Nisur nga problematikat që kanë paraqitur vetë efektivët e policisë, Hodaj tha se janë krijuar struktura ndihmuese për ta. “Ligji nuk të lejon shtyrje formalisht sepse e përcakton si afat 30-ditor dhe do të thotë se brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi, që mos gaboj i bie data 5 maj, deklarata duhet të dorëzohet. Nuk duhen shoqëruar me dokumente të tjera shoqëruese, nuk duhen certifikata pronësie, kontrata etj.

Nëse dikush do, është i lirë t’i vërë në dispozicion”, u shpreh Hodaj. Sa i përket problemit të shtyrjes së afatit, që është ngritur edhe nga Sindikata e Policisë, Hodaj tha se gjatë fazës së konsultimeve, askush nuk është paraqitur për të diskutuar rreth afatit, as nga Sindikata dhe tashmë kjo është përcaktuar me ligj.

STRUKTURAT NDIHMESE

Julian Hodaj sqaroi dje se janë krijuar struktura ndihmuese pranë çdo Komisariati për t’u ardhur në ndihmë efektivëve në plotësimin e formularëve të vetingut. Ndërsa shtoi se në veting mund të kalojnë me dëshirë edhe punonjësit e Policisë që janë në dispozicion, mjafton që të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit. “Në çdo Komisariat dhe Postë Policie ka një përgjegjës për këtë lloj procesi. Që do të thotë se punonjësit e policisë e kanë një pikë reference aty ku janë, pa u larguar. Gjithashtu kanë edhe logjistikë në mbështetje. Ata që dëshirojnë ta shfrytëzojnë si mundësi për t’u ripranuar në punë në Policinë e Shtetit, do të duhet të deklarojnë njësoj si ata që janë sot.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura