Vetingu në politikë, “Venecia” në 19 nëntor vjen në Tiranë për propozimin e PD

Nov 14, 2018 | 9:56
SHPËRNDAJE

ERVIN KOÇI/Një delegacion i Komisionit të Venecias do të vizitojë Tiranën në datat 19-20 nëntor për të marrë opinionet e partive parlamentare mbi propozimin e Partisë Demokratike për vetingun në politikë.

Komisioni-i-Venecias-ok

Në axhendën e publikuar në faqen e Komisionit të Venecias theksohet se bazuar në kërkesën e bërë nga Kuvendi i Shqipërisë për të marrë një opinion mbi vetingun në olitikë, do të zhvillohen disa konsulta me partitë parlamentare dhe më pas do të bëhet draftimi i opinionit. “Përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do të vizitojnë Shqipërinë më 19 dhe 20 nëntor, në kuadër të përgatitjes së opinionit mbi draftamendamentet kushtetuese për të bërë të mundur vetingun e politikanëve, përfshirë vlerësimin e marrëdhënieve të zyrtarëve të lartë me krimin e organizuar”, theksohet në njoftimin e Komisionit të Venecias.

Hartimi i opinionit përfundimtar për këtë çështje do të bëhet në sesionin plenar që Komisioni i Venecias do të zhvillojë në datat 14 dhe 15 dhjetor të këtij vitit. Deri atëherë, pritet që vetë Kuvendi të zhvillojë tryeza konsultative mbi këtë çështje. Në axhendën e punimeve të Kuvendit janë rifutur sërish seancat dëgjimore me grupet e interesit. Këtë herë, seanca e radhës dëgjimore do të zhvillohet nesër në qytetin e Elbasanit ku do të merren opinione nga grupet e interesit mbi këtë çështje të kërkuar nga opozita.

KËRKESA

Në fillim të kësaj legjislature të Parlamentit, opozita kërkoi që të miratohen ndryshimet kushtetuese që të mundësojnë vetingun në politikë. PD e mbështeti kërkesën e saj duke theksuar se duhet një pastrim i politikës nga krimi i organizuar dhe korrupsionit, pasi, sipas saj, këta elementë kriminalë janë të lidhur me qeverinë.

Por, kërkesa e propozuar nga Partia Demokratike nuk mori pëlqimin e menjëhershëm të maxhorancës. Në qëndrimin e saj të parë, maxhoranca u shpreh se hetimin e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë, nëse kanë lidhje me krimin e organizuar, do ta bëjnë institucionet e reja të drejtësisë.

Konkretisht, sipas tyre, ngritja e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit do të bëjë të mundur hetimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë. Por, gjithsesi, Partia Socialiste nuk e tha fjalën e fundin, duke miratuar vendimin që kërkesa e opozitës për vetingun e politikanëve të shqyrtohet edhe nga Komisioni i Venecias dhe mbi bazën e qëndrimit të ndërkombëtarëve do të vijojë edhe axhenda e shqyrtimit të nismës së PD-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura