Vetingu në politikë sjell sot “Venecian” në Tiranë, konsulta me partitë politike para hartimit të…

Nov 19, 2018 | 9:12
SHPËRNDAJE

Propozimi i demokratëve për veting, edhe në politikë do të sjellë sot përfaqësues të Komisionit të Venecias në Tiranë. Delegacioni me gjashtë anëtarë dhe që drejtohet nga presidentja e nderit të Komisionit Venecias, Hanna Suchocka, i cili do të zhvillojë një seri takimesh me përfaqësuesit politikë në vend për t’u njohur gjerësisht me propozimin e Partisë Demokratike për të kaluar në sitë integritetin e politikanëve në vend, kjo për qëllim dekriminalizimin dhe shkëputjen e lidhjeve me krimin.

Komisioni-i-Venecias-ok

Komisioni i Venecias është vënë në lëvizje pas kërkesës së kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili kërkoi një opinion të hollësishëm për vetingun në politikë. Në axhendën e publikuar në faqen e Komisionit të Venecias theksohet se, bazuar në kërkesën e bërë nga Kuvendi i Shqipërisë për të marrë një opinion mbi vetingun në politikë, do të zhvillohen disa konsulta me partitë parlamentare dhe më pas do të bëhet draftimi i opinionit.

“Përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do të vizitojnë Shqipërinë më 19 dhe 20 nëntor, në kuadër të përgatitjes së opinionit mbi draftamendamentet kushtetuese për të bërë të mundur vetingun e politikanëve, përfshirë vlerësimin e marrëdhënieve të zyrtarëve të lartë me krimin e organizuar”, theksohet në njoftimin e Komisionit të Venecias. Hartimi i opinionit përfundimtar për këtë çështje do të bëhet në sesionin plenar që Komisioni i Venecias do të zhvillojë në datat 14 dhe 15 dhjetor të këtij vitit.

Deri atëherë, pritet që vetë Kuvendi të zhvillojë tryeza konsultative mbi këtë çështje. Në axhendën e punimeve të Kuvendit janë rifutur sërish seancat dëgjimore me grupet e interesit. Këtë herë, seanca e radhës dëgjimore do të zhvillohet nesër në qytetin e Elbasanit, ku do të merren opinione nga grupet e interesit mbi këtë çështje të kërkuar nga opozita. Në fillim të kësaj legjislature të Parlamentit, opozita kërkoi që të miratohen ndryshimet kushtetuese që të mundësojnë vetingun në politikë.

PD e mbështeti kërkesën e saj, duke theksuar se duhet një pastrim i politikës nga krimi i organizuar dhe korrupsionit, pasi, sipas saj, këta elementë kriminalë janë të lidhur me qeverinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura