Vetingu në politikë, Rama replika në “Facebook” me ndjekësit: Më mbron puna ime

Sep 9, 2018 | 8:21
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Kryeministri Rama është shprehur dje se është puna që e mbron atë dhe asnjë pakt me kundërshtarin politik. Gjatë një replike në “Facebook”, i akuzuar se ka një marrëveshje me Lulzim Bashën për të mbrojtur pasuritë e padrejta, Rama shprehet: “Eh sa thonë e sa do thonë o mik, po ti mos ma ki merakun, se mua me mbron puna dhe e drejta ime, s’kam nevojë për mbrojtës të tjerë”, i përgjigjet Rama qytetarit me emër Famagjo Fagjo: “Kush nuk e qeveris vendin me prioritet për ta çuar përpara, duhet jo vetëm të mos zgjidhet më, por edhe t’i hiqet e t’i sekuestrohet e gjithë pasuria që ka vënë gjatë këtyre 30 vjetëve.

Shumë thonë se keni një marrëveshje të fshehtë me njëri-tjetrin, për ta mbrojtur njëri-tjetrin kur bie fjala për pasuritë e përfitimet e padrejta”. Ndërsa qytetarja me emrin Ada Adiola i përgjigjet Kryeministrit Rama: “As ti nuk e do vetingun, se ke abuzuar me pasuritë e popullit”.

Rama1

Samuel Anxhela Cela pyet Kryeministrin: A do bëhet ky vend apo jo?! Për mua nuk do bëhet kurrë… vetëm n.q.s do ikin të gjithë nga politika këta deputetë që kemi. Kreu i qeverisë i përgjigjet se të gjitha do bëhen, por me radhë. “Me radhë: Vetingu po bëhet dhe pengesat janë normale. Rrugët po rindërtohen dhe do vazhdojnë. Vrasjet janë më pak se kurrë ndonjëherë dhe rendi do të vijojë të përmirësohet. Gazetarët që ikin nga frika ishte një lajm i rremë që u sqarua nga vetë gazetari që e dha. Pyetja ime është: A kanë ndonjë vlerë me faktet e shifrat për disa këtu apo kjo punë është e dua zi dhe zi e shoh?!”, përgjigjet Kryeministri Rama.

rama

PROPOZIMI

Kryetari i opozitës Lulzim Basha propozoi ndryshime kushtetuese për të realizuar veting të politikanëve, propozim që u mirëprit nga Kryeministri Rama. “Unë them që çdo instrument i ri, i mundshëm, që bën transparencë, për mua personalisht të parin, për gruan time, për tokat e gruas time, për pallatin e gruas time, për tenderat e baxhanakut tim, për kunatin, për fëmijët e mi është një instrument që mund të na vlejë. Unë jam i bindur që edhe në këtë sallë mund të ketë shumë njerëz që mendojnë që baxhanaku im ka marrë vërtetë 15 milionë euro tendera.

Si sqarohet kjo, duke jua thënë unë juve, apo duke e lënë punën, duke e lënë qeverisjen e duke ndenjur të gjithë nëpër zyra e duke shkruar komunikata çdo orë, për të gjithë llojet e gomarllëqeve dhe palaçollëqeve që nxjerr nga goja Partia Demokratike, ose çizmja e Partisë Demokratike, që nxjerr nga qafa e këpucës?”, u shpreh dy ditë më parë Kryeministri Rama në Asamblenë Kombëtare të PS-së. Ai kërkoi që vetingu në politikë të përfshijë si atë ashtu dhe Presidentin e Republikës, kryetarin e opozitës dhe të gjithë ish-kryeministrat.

“Unë, Presidenti i Republikës, kryetari i opozitës, kunati i kryetarit të opozitës, gruaja e kryetarit të opozitës, rrethi familjar, vjehrri, vjehrra ime, të gjithë, patjetër. Që të kuptojnë njerëzit se ku jemi e ku jetojmë këtu. A jemi të gjithë vërtet njësoj, apo ka ca që janë ndryshe e ca që janë ndryshe? Patjetër kryeministrat e mëparshëm, fëmijët e tyre. Ku udhëtojnë, çfarë shpenzojnë, sa rrinë jashtë shtetit e sa vijnë në Shqipëri, cilët bamirës ua japin këto…”, u shpreh Rama

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura