Vetingu në Burgje/ Pas 130 efektivëve të dënuar, ministrja Gjonaj bën deklaratën e fortë

Feb 23, 2018 | 11:50
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, paralajmëroi rekrutime të reja në radhët e Policisë së Burgjeve, pasi 130 efektivë rezultuan se kishin probleme me ligjin.

gjonaj

Deklaratat janë dhënë ditën e djeshme gjatë një vizite në Burgun e Vlorës. Në takimet e zhvilluara atje, ministrja e Drejtësisë vuri theksin në reformën e ndërmarrë me nisjen e procesit të vetingut për Policinë e Burgjeve, duke theksuar se “punonjësit e rinj do të rekrutohen pranë strukturave vetëm pas testimeve dhe trajnimeve nga Akademia e Sigurisë”.

Nga ana tjetër, Gjonaj theksoi se së shpejti do të nisë edhe trajnimi i punonjësve aktual në sistemin penitenciar në mënyrë që çdo punonjës në këto institucione të përmbushë kriteret prioritare sa i përket profesionalizmit, integritetit apo verifikimit të gjendjes gjyqësore. Nga verifikimet dhe inspektimet e para, kanë rezultuar se plot 130 efektivë të Burgjeve kanë pasur probleme me ligjin.

Bëhet fjalë për 130 efektivë që kanë dënime të formës së prerë për vepra penale dhe që janë emëruar në kundërshtim me ligjin. Verifikimi është bazuar në Nenin 17 pika 1/d i Ligjit nr. 10032 “Për Policinë e Burgjeve”, ku thuhet se një nga kriteret e përgjithshme për t’u pranuar në Policinë e Burgjeve është që personi të “mos jetë dënuar penalisht me vendim gjykate të formës së prerë”.

Gjithashtu pritet që të nisin verifikime më të thelluara në lidhje me mënyrën se si janë emëruar këta efektivë për të nxjerrë përgjegjësit. Në janar të këtij viti, ministrja e Drejtësisë ka paralajmëruar se Policia e Burgjeve do të përfshihet nga reformat. Veç vendosjes së drejtuesve të rinj.

Ditën e djeshme, Gjonaj zhvilloi edhe takime në ZVRPP-në e Vlorës, ku u takua me qytetarët e pranishëm pranë sporteleve të pritjes së popullit të këtij institucioni për t`u njohur nga afër me problematikat e qytetarëve në lidhje me procesin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Ministrja Gjonaj në fjalën e saj gjatë takimit me drejtuesin dhe stafin e këtij institucioni kërkoi trajtimin e të gjitha ankesave të qytetarëve brenda afatit kohor 10-ditor, duke insistuar në mos zvarritjen apo sorollatjen e qytetarëve për dhënien e përgjigjeve në kohë për aplikimet e paraqitura. Gjonaj në një prononcim për median u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë rastet korruptive në portalin shqipëriaqëduam.al.

“Qeveria shqiptare”, theksoi, “po ndërmerr një reformë të madhe për çështjen e pronave, duke i trajtuar në mënyrë të integruar të gjithë titujt e pronësisë përmes një Agjencie”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura