Vetingu ‘djeg’ 28 prokurorët dhe gjyqtarët e parë, nuk justifikojnë pasuritë

Dec 9, 2017 | 9:26
SHPËRNDAJE

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive jep sinjalin e parë për përmbushjen e pritshmërive të mëdha të shqiptarëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian sa i përket veprimit dhe zbatimit të ligjit të Vetingut.

ILDKP
Rreth 28 nga 68 prokurorët dhe gjyqtarët të parë, të cilët po i nënshtrohen procesit të Vetingut, nuk e kalojnë testin e justifikimit të pasurive me dokumentacion ligjor. Shqiptarja.com ka mësuar se dosjet e verifikimit të ligjshmërisë së pasurive të 68 prokurorëve dhe gjyqtarëve janë marrë në dorëzim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, njëri nga tre organet e Vetingut.

Sipas burimeve të konfirmuara, pasuria e më pak se gjysmës së 68 prokurorëve dhe gjyqtarëve ka rezultuar me probleme ligjore, të cilat janë reflektuar në dosje dhe që e bëjnë të pamundur që subjekti i vlerësimit të shërbejnë në drejtësinë e re. Kjo do të thotë se, nëse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit do të konfirmojnë gjetjet e konstatuara nga ILDKP, prokurorët dhe gjyqtarët në fjalë do të përjashtohen nga sistemi i drejtësisë.

Më konkretisht, gjetjet e shënuara dhe të dokumentuara në dosje, sipas rastit, konsistojnë në mungesën e burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë, në fshehjen e pasurive, në deklarim të rremë të pasurive si dhe në situatën e konfliktit të interesit. Gjatë kontrollit janë konstatuar edhe raste të pastrimit të parave, falsifikim dokumentesh etj., por që dalin përtej kornizës së Vetingut. Konstatimet mësohet se janë pranuar dhe konfirmuar edhe nga përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të cilët kanë pasur akses në të gjitha provat që kanë mbledhur inspektorët rreth pasurive të 68 prokurorëve dhe gjyqtarëve të parë.

Hetuesit e SHBA-BE po kryejnë gjithashtu një verifikim paralel, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të paraqesin prova shtesë pranë Komisionit të Kualifikimit, rreth pasurive të 68 subjekteve të para. Ata kanë marrë informacione, kanë bërë konsulta, kanë kopjuar dhe hetuar, po për llogari të Vetingut, deklarimet e pasurive të paraqitura nga 68 prokurorët dhe gjyqtarët, të personave të lidhur me të, si dhe dokumentet shoqëruese. Mbetet për t’u parë se kur Komisioni i Kualifikimit do të marrë vendimet e para për prokurorët dhe gjyqtarët e parë.

Lista e zezë
Shqiptarja.com ka mësuar se pjesë e listës së zezë janë disa njerëzit më të rëndësishëm dhe të përfolur të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Ata nuk kanë mundur që të justifikojnë pasuritë e paluajtshme dhe llogaritë e majme banakre me burime të ligjshme të ardhurash.

Ndërkaq, në përfundim të procesit të kontrollit, numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të mbeten në rrjetën e Vetingut pritet të shtohet, duke patur parasysh se kontrolli i pasurive është vetëm njëri nga tre elementët e Vetingut. 68 prokurorët dhe gjyqtarët në fjalë po i nënshtrohen aktualisht edhe skanimit të lidhjeve të mundshme me krimin si dhe aftësive profesionale.

Shqiptarja.com

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura