Vetëvendosja nuk kandidon asnjë grua për kryetare komune

Aug 22, 2017 | 22:18
SHPËRNDAJE

Lëvizja Vetëvendosje do të hyjë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit vetëm me burra si kandidatë për kryetarë komunash. Asnjë grua nuk është kandiduar për kryetare komune nga radhët e partisë që udhëhiqet nga Visar Ymeri.

kurti-haradinaj-637x376_1498026788-7482083Kanë mbetur edhe pak orë deri në përfundimin e afatit zyrtar për certifikimin e emrave për kandidatë për kryetarë komunash në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Përgjatë ditëve të fundit, Lëvizja Vetëvendosje i ka zbuluar emrat e të gjithë kandidatëve të saj për kryetarë komunash në zgjedhjet e vjeshtës.

Ndonëse në Kuvendin e Kosovës këtë parti e përfaqësojnë edhe gra, për zgjedhjet lokale të 22 tetorit asnjë grua s’ka arritur të marrë mbështetjen e partisë për të kandiduar për kryetare në ndonjë komunë të vendit.

Për kryetar të Prishtinës, nga radhët e Vetëvendosjes do të garojë kreu aktual i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, i cili synon të fitojë edhe një mandat për ta drejtuar komunën.

Në Gjilan, Vetëvendosje ka caktuar Sami Kurteshin kandidat për kryetar, ndërsa në Fushë Kosovë, Avni Zogianin.

Ruzhdi Jashari do të jetë kandidat i VV’së për kryetar të Shtimes, Basri Kodra për kryetar të Kaçanikut, ndërsa Zekë Sinanaj për kryetar të Deçanit.

Kandidat për kryetar të Rahovecit është caktuar Visar Korenica, për kryetar të Malishevës është zgjedhur Adem Berisha, ndërsa në Ferizaj votat për kryetar do t’i kërkojë Faton Topalli.

Besim Muzaqi do të garojë për kryetar në Vushtrri, Aziz Bici në Obiliq, ndërsa Ibër Elezaj në Klinë.

Për kryetar të Gjakovës nga radhët e Vetëvendosjes do të kandidojë Driton Çaushi, kurse për kryetar të Podujevës do të garojë Ajet Potera.

Mytaher Haskuka është caktuar kandidat për kryetar të Prizrenit, ndërsa kandidat i VV’së për kryetar të Drenasit është zgjedhur Shemsi Elezi.

Salih Zyba do t’i kërkojë votat për kryetar në Suharekë, Bashkim Nurboja do të kandidojë për kryetar në Pejë, Selatin Ratkoceri në Lipjan, Agron Avdijaj në Istog, e Salih Salihu në Viti. /Express/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura