Vetëvarja e dajës së Mario Memës, dyshimet e familjarëve. E gjeti djali 12-vjeçar

Jul 27, 2015 | 10:30
SHPËRNDAJE

Daja i Marjo Memës, njërit prej të rinjve të akuzuar për vrasjen e Ismail Lulit në Itali, u vetëvra të shtunën për motive ende të pasqaruara mirë, edhe pse sipas së motrës kjo ngjarje ishte rrjedhojë e asaj që bëri djali i saj.

Mondi Abeshi, 43 vjeç, baba i tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali, i dha fund jetës duke u vetëvarur në depon e banesës së tij, në rrugën “Artan Lenja”, në Tiranë.

mondi abeshi

Mesditën e së shtunës ai u gjet i pajetë në banesë nga djali i tij 12 vjeç, i cili kërkoi ndihmë pasi gjeti të atin me një lak të lidhur në fyt. Familjarët e dërguar me shpejtësi në Spitalin e Traumës, por sipas mjekëve 43-vjeçari kishte ndërruar jetë.

Mondi Abeshi u përcoll dje për në banesën e fundit dhe të afërmit ende nuk e dinë arsyen e vërtetë se përse ai i dha fund jetës. Ndonëse nuk duan që të komentojnë atë çfarë ka ndodhur, familjarët e tij shprehen se nuk besojnë që ngjarja të ketë lidhje me ngjarjen, për të cilën djali i motrës së tij është arrestuar në Itali.

“I kemi parë edhe ne lajmet ku thuhet se Vera paska deklaruar që Mondi është vetëvrarë për shkak të turpit nga nipi, Marjo. Por në fakt nuk besojmë të jetë kjo arsyeja. Vera është e tronditur nga ajo që i ndodhi të birit dhe mbase beson vërtet për këtë motiv, por ne ende nuk kemi komunikuar me të, që ta dimë nëse i ka thënë realisht ato fjalë apo jo”, tregon një i afërm i Abeshit. Ndërsa të tjerët thonë se ai ishte njeri punëtor, që shihte hallet e veta dhe nuk kishte ndonjë arsye për t’i dhënë fund jetës. Megjithatë, ata thonë se nuk e dinë arsyen që e shtyu Mondin të vetëvarej. Sipas banorëve, prej tri ditësh 43- vjeçari qëndronte vetëm në banesë dhe nuk preferonte të dilte dhe as të shkonte në punë.

FQINJET

Fqinjët e Mondi Abeshit tregojnë se 43-vjeçarin e njihnin si një njeri punëtor, familjar të përkushtuar dhe që nuk fliste shumë. Sipas tyre, kohët e fundit ai ishte mbyllur në vetvete, madje nuk dilte as nga shtëpia për të shkuar në punë.

Para disa ditësh, ai i kishte shpëtuar një aksidenti automobilistik, në rrugën që lidh Tiranën me Elbasanin. Në këtë aksident ai pësoi disa plagë të lehta, pasi makina që ai drejtonte doli nga rruga duke rënë në një kanal në anë të saj. Ai ndodhej i vetëm në makinë në atë moment. Daja i Mario Memës, që akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e 17-vjeçarit Ismail Luli në Itali, njihej si një person i qetë dhe mjaft korrekt me personat e tjerë në lagjen ku ai banonte, në rrugën “Artan Lenja”, përballë konvikteve të Inxhinierisë.

Fqinjët e Abeshit shprehen se nuk e dinë arsyen apo motivin që e shtyu 43- vjeçarin në vetëvrasje, por nuk e përjashtojnë mundësinë që ngjarja të ketë ndodhur për arsyen që ka përmendur e motra, nëna e Mario Memës, për mediat italiane, duke pohuar se i vëllai u vetëvra nga turpi për arrestimin e nipit të tij.

NGA ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura