Vetëstilizimi si pop-star, avantazhi i vetëm i Ramës

Jun 24, 2016 | 12:14
SHPËRNDAJE

belina budiniPROF. ASOC. DR. BELINA BUDINI

Edi Rama e ka pohuar vetë për të përditshmen britanike “The Guardian”, në vitin 2003, që ai është një pop-star mes kryetarësh dhe kryetar mes pop-starësh. E ka stilizuar veten si të tillë jo vetëm në rolin e tij si ministër Kulture e kryetar bashkie, por edhe në krye të partisë dhe tani në qeverisje. Rrezja e tij prej pop-stari vetëm sa është zgjeruar dhe po kështu edhe repertori i tij i komunikimit dhe PR-it.

Narciz i pamohueshëm, në të gjitha aktet e tij komunikative. Paradoksalisht, kjo përmasë ekzagjerimi, të cilën të gjithë e vënë re, është sot edhe avantazhi i tij i vetëm ndaj politikanëve të tjerë, ndaj opozitës, ndaj intelektualëve publikë, si edhe element dallues në arenën ndërkombëtare. Së pari, në partinë e tij, ku i vetmi që e konkurron në stil është Blen Blushi dhe i vetmi që i vjen pas si dishepull është Erion Veliaj.

Avantazhi ndaj opozitës po ashtu është i qartë në këtë pikë, për sa kohë mungesa akute e stilit duket se nuk mund të marrë trajtën e një stili në kampin opozitar. Provokimi i vazhdueshëm që u bën intelektualëve publikë ka qenë aq efikas saqë edhe zërat më pikantë prej tyre, si Lubonja dhe Bushati, kanë rënë në çarkun e ekzibicionizmit të Ramës, duke u marrë ekskluzivisht me aspektet e performancës së tij “narciziste”.

Po kështu, edhe në arenën ndërkombëtare aktet e tij të pacipa e kanë fituar kuriozitetin dhe vëmendjen e synuar paturpësisht. Edhe pse në përmasat e një figurine, duke qenë se është kryeministri i një vendi të vogël si Shqipëria dhe për të fituar pakëz vëmendje, iu desh që të dalë në stil alla Donald Trump kundër vetë Donald Trump!

Në Europë, me këtë lloj stili dhe mjete të ngjashme shkëlqejnë figura të tjera, si Boris Johnson apo Matteo Renzi. Së brendshmi, për cilësinë e shout mund ta ketë konkurruar vetëm Bleona Qerreti në ndonjëkohë! Në fakt, njëlloj si Bleona, Rama nuk është se thjesht konsiderohet si popstar, por vetëpromovohet dhe performon si i tillë. Qëllimisht!

Hapur! Provokueshëm! Me shumë sukses, për fat të keq! Duke mbuluar kësisoj gjithë mungesën e performancës reformuese në qeverisje, administrim, ekonomi, pra punën e lodhshme dhe përmbajtësore që kërkon hartimi i politikave dhe implementimi i tyre, me cilësinë e performancave simbolike dhe estetike. Në fakt, pjesa më e madhe e diskutimeve publike për Ramën janë provokuar prej atij vetë, sepse është ai ose stafet e PR-it pranë tij që ofrojnë lëndën e parë.

Materiali i fundit që ai ka servirur është një pretendim lidhur me idenë për bluzën e Kombëtares sonë, për të cilën ai deklaron se ka kontribuar me një skicë fillestare.

RILINDJA E AUTORIT RAMA

Vetautorësia e pretenduar e Ramës është bërë objekt i diskutimit të radhës njëlloj si episode të ngjashme të panumërta shoqëruar shpesh me imazhe dhe fotografi të postuara prej tij, që nga një “selfie” me papagall, parada me klerikët fetarë në Paris, fotografimi në stil Jezusi duke përqafuar një qengj të vogël, vendosja e një kërpudhe në oborrin përpara Kryeministrisë, e ekraneve për të ndjekur futboll dhe një fushe basketbolli për vete në oborrin e pasmë, veshjen e mureve të mjediseve të pritjes në Kryeministri me dizenjo të personalizuara të pikturave të tij, ndërsa krenarisht ia prezanton deri edhe kancelares gjermane Angela Merkel, deklarata e bujshme kundër Trump në mediat amerikane gjatë vizitës në SHBA, epopeja me Kombëtaren shqiptare të futbollit së fundmi, pa harruar vizitën e Papa Françeskut, të kryeministrit italian, kancelares gjermane etj., etj.

Në fazën e tij si kryeministër kemi asistuar rilindjen e Ramës si autor dhe lulëzimin e tij si popstar. Në një studim për dukurinë e politikanit mediatik, të botuar në vitin 2009, me titull “Edi Rama, politikani pop(ulist)-star”, kam analizuar më tepër strategjitë e tij komunikative dhe të imazhit lidhur me shfaqjen dhe ngjitjen e tij në pushtet, kur komunikimin e ka pasur gjithnjë avantazh. Me pak përjashtime.

Për botimin në anglisht të librit, që plotësohet me periudhën si kryeministër, kam marrë në analizë pikërisht performancat e tij simbolike, kësaj radhe përmes fotografive, selfie-ve, komunikimeve në rrjete sociale, duke përdorur instrumentet e analizës semiotike të Roland Barthes dhe qasjen performatiste, propozuar vitet e fundit nga Raoul Eshelman. Ringjallja e autorit ose pushteti performues i autorit është perspektiva që i lidh të dyja qasjet në fjalë.

Pra, në vend të pesimizmit metafizik që sugjeron “vdekjen e autorit”, performatizmi i lexon aktet nga një kënd i kthyer kah autori, sepse periudha aktuale është e shënjuar nga vetautorësia. Në lidhje me Ramën si kryeministër, kjo do të thotë që duke shtënë në punë logjikën e mediave të reja dhe rrjeteve sociale, ai është shndërruar në “mikun” tipik të Facebook-ut, që nuk lë rast pa tërhequr vëmendjen kah vetja, në forma nga më befasueset, provokueset, të ekzagjeruarat, ekzibicionistet dhe narcizistet në rrjet.

A nuk bëjnë kështu yjet e rrjeteve sociale? Aq sa të krijohet përshtypja se kjo është e vetmja punë që bëjnë. Punë që e bëjnë mirë, gjithsesi. A mund të matet Rama si kryeministër me cilësinë e performancave të tij në rrjet dhe ekrane? Sado avantazhuese të jenë praktikat komunikuese që ai aplikon, është e qartë që ato janë të pamjaftueshme për ta bërë të besueshëm në qeverisje.

Sa më shumë shpërfaqen ngjyrat prej pop-stari, aq më shumë na humbet sysh bilanci i qeverisjes së tij, ku mungon krejtësisht performanca në terma seriozë, të tillë si zhvillim ekonomik i vendit, përmirësim i klimës së biznesit, zbutje e varfërisë, modernizim i infrastrukturës, forcim i institucioneve dhe shtetit ligjor, rritje e konsumit, regjim i lehtësuar fiskal, rritje e mirëqenies dhe përmirësim i cilësisë së jetës apo qoftë edhe sa i përket reformës në drejtësi, vullnetit politik për kompromis dhe klimë politike bashkëpunuese.

Menyja e vetme që ofron kuzhina e kryeministrit është garnitura me stil “fan zone”, palma dhe aksesorë rrugorë, dekore dhe kërpudha, art dhe show në godinën e Kryeministrisë dhe përreth në qytet. Prandaj, ta dyshosh si kryeministër është krejtësisht legjitime. Ama ta dyshosh si performues dhe komunikues është ekzagjerim dhe “boomerang” për kritikuesit e tij. Ka rezultuar kështu edhe për politikanë të tjerë me “celebrity status” në botë. Fuqia e tyre vetëm rritet nga kritika të këtij lloji.

Sipas teoricienit të performatizmit, Eshelman, rezultati i pashmangshëm i çdo akti performativ nuk është mosbesimi, por të besuarit e atij akti nga audienca. Kjo do të thotë që, edhe në mos e besoftë elita e vendit në performancat e tij, zor se e dyshon audienca e tij, e familjarizuar me protagonizmin dhe ekzibicionizmin tërheqës të një politikani që erdhi si pop-star dhe ka rilindur plotësisht si i tillë. Me koston e lartë që nuk rilindi dot Shqipërinë.

*Sintezë nga studimi me titull “A prime minister self-tailored as pop-star”, botim në proces në gjuhën angleze dhe variant i përditësuar i studimit të autores me titull “Edi Rama, politikani pop(ulist)-star”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura