Veterania e Luftës kujton vitet e ilegalitetit. Nurie Çiço: Si më varrosën të gjallë për t’u shpëtuar gjermanëve

Oct 6, 2014 | 14:43
SHPËRNDAJE

Në prag të 70-vjetorit të çlirimit të vendit, Nurie Çiço Bozo rrëfen përvojat e saj në luftën kundër pushtuesit. 90-vjeçarja tregon peripecitë e punës në ilegalitet kur mund të vritej nga njëra orë në tjetrën. Megjithëse ishte 17 vjeçe kur nisi të organizonte grupet e nxënësve në demonstrata, nuk u tremb asnjëherë, as kur për të shpëtuar iu desh të mbulohej me dhé për së gjalli.  

Asnjë 17-vjeçari sot (po as 27 e as 37) nuk i shkon ndër mend të bëjë diçka për shokun, jo për vendin. E ka të pamundur të mbajë në dorë edhe letrën e paketimit të ushqimit deri te koshi i radhës. Historia jonë i referohet një kohe krejt tjetër, periudhë që gjimnazistët, as që e njohin. Historia bën përpjekje të vazhdueshme të tregojë, herë duke çoroditur e herë duke treguar ngjarje, por asnjëherë librat nuk mund të zëvendësojnë rrëfimet e dëshmitarëve. Sot, në prag të 70-vjetorit të çlirimit, pjesëmarrësit në luftë kanë mbetur fare pak. Ata që shëndeti e kujtesa u lejon ende të sjellin pamje të gjalla të atyre kohëve, edhe më pak. Nurie Çiço ka qenë 17 vjeçe kur bashkë me shoqet gjimnaziste u përfshi në luftën kundër pushtimit nazifashist. Nuk luftoi në male. Do donte të ishte në front, por detyra i ishte caktuar të punonte në ilegalitet. Në fillim, pa marrë ende detyrën, mendonte se maleve do të ishte më e vështirë, por kur nisi të fshihej shtëpi më shtëpi në Gjirokastër, prej nga ishte, lutej ta çonin në front. I ka provuar të gjitha, urinë, ngricën. Edhe sot që është 90 vjeçe e ka të gjallë përjetimin që pati kur e varrosën për ta shpëtuar nga armiku. Nuk ka harruar pothuajse asgjë. I kujton me emra e me data të gjitha ngjarjet që jetoi nga viti ’41 deri në ’44-n. Për t’i treguar duhet që të paktën të ketë tensionin e stabilizuar, ndryshe nuk e ka të lehtë të ngrihet nga shtrati. Në ditët e saj të mira i hedh kujtimet në letër, edhe pse e di që për t’i lexuar ato që ka shkruar nuk do të mundë.

As që e parafytyroj përfshirjen e një 17-vjeçareje në luftë. Së paku jo pa pasur një shtysë nga dikush, familjar a i afërm i cenuar nga pushtuesi. Si ndodhi që ju e shoqet tuaja latë një ditë mësimin për të shkuar drejt së panjohurës?
Ç’t’ju them? Shpjegohet vetëm duke e jetuar atë situatë që rëndohej përditë. E kam fjalën për vitin ’41, kur ne nisëm të angazhoheshim, të ndihmonim. Ne, përveçse kishim qenë të vuajtur, e gjithë kjo po shumëfishohej, pushtuesit po e bënin edhe më të vështirë gjithçka. Kjo sillte urrejtjen, e cila mjaftonte për të të vënë në lëvizje. Nga familja ime askush nuk ishte i përfshirë më parë, edhe sepse im atë ishte në Amerikë e unë jam rritur jetime. E kam bërë vetëm nën ndikimin e frymës së përgjithshme të urrejtjes që po rritej te të gjitha ne.
Dakord, po a ju organizonte kush nëpër shkolla, nëpër lagje, diku?
Nuk ishte e nevojshme sepse demonstratat, aksionet, sabotimet ishin të pranishme, mjaftonte vetëm t’i bashkoheshe. Duke qenë pjesë, më pas, merrje dhe urdhrat e mëtejshëm për të bërë atë që duhej.
Juve konkretisht ç’ju propozuan? Cili ishte roli juaj në luftë?
Punët e mia të para ishin organizimet e nxënësve nëpër mitingje e demonstrata. Ndikimet e këtyre lëvizjeve u bënë asokohe aq të zhurmshme në Gjirokastër, saqë vunë në lëvizje gjithë aparatin e shtetit. Vetë Kryeministri, Mustafa Kruja, dërgoi të deleguarin e tij për të ndjekur nga afër situatën. Në këtë kohë emri im u lakua aq sa më përjashtuan nga shkolla. Me gjithë diskutimin që mbajti Qemal Karagjozi se nuk mund të fajësoheshin as mësuesit e as nxënësit që dalin në demonstrata, asgjë nuk ndryshoi, në shkollë nuk shkova më. Kishte nisur rruga tashmë, nuk mund të ktheheshe më mbrapa. Por nuk kisha për ta bërë edhe po ta dija se gjerat më të rënda nuk kishin ardhur ende.
Pse, ç’ju ndodhi në vazhdim?

Nurie Çiço në kohën e gjimnazit
Jam arrestuar tri herë e akuzuar për veprimtari antikombëtare. Njëri nga rastet e arrestimit ka qenë gjatë një demonstrate të cilën e drejtoja duke mbajtur në dorë flamurin shqiptar. E mbështetur edhe nga shoqe të miat, gjendemi përballë pengesës së marshallit të karabinierisë, Gorea Tomaso. Forca e moshës, por edhe e urrejtjes, më bënë ta shtyja e ta rrëzoja përtokë marshallin. Kjo është e dokumentuar nga vetë fashistët që i kanë nxjerrë dokumentet shumë vonë, unë as që i dija. Liroheshim shpejt për shkak të presioneve të nxënësve të tjerë, por ishim vazhdimisht nën mbikëqyrje. Duhet të jetoje i maskuar për të shpëtuar veten.  
Cilat kanë qenë rastet konkrete kur keni rrezikuar jetën?
Ka pasur aq shumë… Sigurisht që nuk kisha për të mbijetuar pa bashkëpunimin e të gjithëve. Puna ime ishte në ilegalitet, shumë herë më e vështirë nga ajo e frontit, ku lutesha të isha. E gjithë veprimtaria jote duhet të zhvillohej në qytet, konkretisht në Gjirokastër, ku rreziku ishte rrugëve. Shkoja e maskuar nga njëra shtëpi në tjetrën, por gjithandej kishte kontrolle. Herë vishesha si nuse e re, herë si burrë, herë si e pastrehë. Nëpër shtëpitë ku strehohesha merrja detyra të ndryshme për t’u shpëtuar gjurmëve. Një herë lyeja muret, një herë pastroja bahçet, tëhollja petët, gjithfarë gjërash në mënyrë që kontrolli të mos e kishte vëmendjen tek unë. Në një rast, më i tmerrshmi, ka qenë kur të zotëve të shtëpisë iu desh të më mbulonin me dhé për të më shpëtuar. Nuk di si kanë kaluar ato orë. Aq sa kur më kanë nxjerrë, pas dy orësh, krejt të ngrirë sepse ishte dimër, nuk ngrohesha për orë të tëra, edhe pse pranë zjarrit të dhomës. Po i ftohti është vetëm një aspekt, sepse përjetimin e të varrosurit së gjalli as mund ta shpreh e as mund ta kuptoni. Janë pa fund historitë e ngjashme që më kanë ndodhur gjatë atyre tri viteve.
Çfarë detyrash kishte puna në ilegalitet dhe kush i caktonte?
Një nga detyrat ishte zgjerimi i bazës mbështetëse. Duhet të punonim gjithandej nëpër vend për të rritur, për shembull, ndikimin e rinisë fshatare. Ky ishte një urdhër që na u dha nga Qemal Stafa, të cilin e zbatuam brenda 10 ditëve. Lëviznim nëpër lagje për të bërë mbledhje me gratë, për të luftuar analfabetizmin.  
Kush ishin vajzat e tjera që luftonin me ju? Emra të njohur të luftës?
Një nga shoqet e mia ishte Bule Naipi. Veprimtaria jonë ishte e përbashkët, por Bulja nuk i shkoi dot deri në fund. Atë ditë që e kapën ishte nisur për të takuar të ëmën në qytet. Më ka dërguar letër nga qelia ku ndenji disa kohë përpara se ta varnin, që të ruaja veten. Më shkruante se e pyesnin vazhdimisht për mua e për shoqet. Nuk ka nevojë t’ju them që ajo nuk tregonte asgjë. Pas varjes së saj u rritën masat e sigurisë, kontrollet u shtuan dhe frika jonë gjithashtu.
Ç’ngjau më tej?
Ndërsa unë fshihesha si e ku të mundesha, më erdhi lajmi i parë i mirë se më kishin zgjedhur sekretare të Qarkut të Rinisë në Gjirokastër. Prej andej u transferova më vonë në Berat si anëtare e Komitetit Qarkor me përgjegjësinë e grave.
Ndërkaq Shqipëria ishte çliruar e ju ishit në përgjegjësitë e para zyrtare?
Po, pas ’44-s kam pasur thuajse gjithnjë të njëjtat funksione, jam marrë përherë me gratë. Kalova dy vite në Berat e u transferova në Tiranë. Funksionet që kam pasur janë pa fund në ato vitet që pasuan. Detyra më e gjatë nga njëra lëvizje në tjetrën ka qenë si sekretare e përgjithshme e Kryqit të Kuq Shqiptar. Me këtë përgjegjësi nisën edhe udhëtimet jashtë shtetit, në Kinë, Rusi etj.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura