Vetëm apo me LSI në koalicion? Rama: Ja si do shkojmë në zgjedhje

Feb 2, 2017 | 7:42
SHPËRNDAJE

Shkarkimi i ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, erdhi pasi ai shkeli Kodin e Etikës së qeverisë. Kryeministri Rama foli mbrëmë për herë të parë në “Tonight Ilva Tare”, në “Rtv Ora News”, pas shkarkimit të ministrit të LSI-së, duke shpjeguar se Manjani nisi të bëjë opinionbërësin, opiniondhënësin apo opiniontjetërsuesin e qeverisë.

rama-meta

Por, ndryshe nga Manjani, Kryeministri Rama mbajti një tjetër qëndrim për ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i cili ishte i ashpër dhe shumë kritik për Policinë e Shtetit dhe kryetarin socialist të Bashkisë së Durrësit. Rama e vlerësoi punën dhe qëndrimin e Kokës në qeveri, ndërsa i cilësoi gabim qëndrimet e tij kritike, për të cilat shpreson se nuk do të përsëriten. Për kreun e PS-së, koalicioni qeverisës me LSI-në ka funksionuar përmes një strukture të plotë që ka prodhuar reforma, që nuk janë bërë sipas tij që nga viti 1990.

Ai mohoi se ka marrë kërkesa nga partnerët ndërkombëtarë, por as nga Lëvizja Socialiste për Integrim për shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Kreu i qeverisë e cilësoi strategjik koalicionin e LSI-së që, sipas tij, po shkon në mbarim të mandatit të parë dhe po përgatitet për mandatin e dytë. Sipas tij, çdo parti e koalicionit do të shkojë në zgjedhje me programin e vet dhe do t’u kërkojë votën qytetarëve.

Në lidhje me mosarrestimin e Klement Balilit, Rama tregoi dhe se çfarë i ka thënë ambasadorit amerikan, Donald Lu. Sipas Ramës, shqetësimi për mosarrestimin e tij është i përbashkët, por i ka kërkuar ambasadorit që të mos ngrihen insinuata sikur mungon vullneti nga ana e qeverisë, apo Policisë së Shtetit për moskapjen e tij.

Të hënën shkarkuat ministrin e Drejtësisë. Si është e vërteta e shkarkimit?

Nuk mund të ekzistojë një qeveri serioze në botë, nëse një ministër nuk respekton skuadrën, rregullat dhe mbi të gjitha detyrat. Detyra e ministrit është të bëjë të gjithë detyrat që mbulon portofoli i tij dhe jo të bëjë opinionbërësin, opiniondhënësin, apo opiniontjetërsuesin e qeverisë. Nuk ka asnjë problem ta bëjë këtë jashtë radhëve të kabinetit qeveritar.

E ka të ndaluar të flasë një ministër?

Qeveria ka një Kod Etik të miratuar me konsensus, që përcakton saktësisht marrëdhëniet e çdo anëtari të kabinetit me kabinetin dhe publikun. Ministri ka detyrimin të flasë me publikun, por t’i shërbejë publikut si anëtar i qeverisë. Manjani po pengonte Reformën në Drejtësi? Zgjedhja e ministrit të ri do të forcojë dhe përmirësojë marrëdhënien e qeverisë me Kuvendin dhe do të jetë një nxitje mjaft e nevojshme për të çuar përpara Reformën në Drejtësi. Me rëndësi është çfarë qeveria prodhon për të mirën publike.

Nuk ka qenë vetëm Manjani që ka bërë akuza të ashpra për hashashin, implikimin e policisë dhe rrezikun që mund të kenë zgjedhjet nga policia. E kam fjalën për ministrin Koka, deputetin Vangjel Tavo, që ka shprehur këtë shqetësim në mediat shqiptare dhe greke.

Nuk marr seriozisht burrat me kostum që flasin pas pilafit, por dhe gjatë pilafit në politikën tonë. Di dhe të bëj dallimin mes një ministri, që në mënyrë të përsëritur ka shkelur Kodin Etik të qeverisë dhe ka shkelur kontratën tonë me publikun dhe të një ministri që ka të drejtën dhe ai të bëjë një gabim. Jam i bindur që nuk do të përsëritet dhe uroj që bindja ime të provohet në realitet, pasi në rastin e ministrit tjetër mendoj se bëhet fjalë për një anëtar kabineti, që ka qenë gjatë gjithë kryerjes së detyrës një pjesëtar skuadre që ka respektuar skuadrën, pozicionin e tij në raport me detyrën dhe publikun.

Ministrin Koka e keni falur, keni komunikuar me të pas intervistës në “Ora Neës”?

Nuk fola për falje, fola për të drejtën që çdo njeri ka për të gabuar një herë.

Çfarë nuk po funksionon në koalicionin PS-LSI?

Është një problem që nuk e konstatoj. Mendoj se koalicioni ka funksionuar më së miri, pasi shikoj strukturën e plotë dhe nuk i lejoj vetes të humbas në detaje të papërsosura, defektoze, apo në detaje të shëmtuara që mund të ketë një tablo e madhe e një pune të madhe për të bërë disa reforma, që janë produkt i këtij koalicioni dhe pa këtë koalicion nuk do të ishin bërë dot kurrë, siç nuk u bënë në 20 e kusur vite.

Hashashi, a ka një problem policia me parandalimin, e më pas dhe shifrat e asgjësimit?

Nëse përmendni fjalën polici kam detyrimin t’ju sjell në vëmendje se policia shqiptare është një nga protagonistet kryesore, në mos kryesor, i një procesi real të transformimit të vendit nga një proces anarkie, ku nuk dallohet ngjyra jeshile nga ajo e kuqe e semaforit, apo ku nuk dallohen vijat e parkimit në varësi të statusit social, apo ku mund të pihet me llullë në mes të lokalit. Nëse sot Policia e Shtetit është institucioni më i besuar në Shqipëri dhe më i besueshëm për opinion publik jo vetëm në anketimet tona, por edhe atë të Komisionit Europian apo organeve të pavarura, diçka shumë e rëndësishme ka ndodhur. Kemi transformim të rëndësishëm të Policisë së Shtetit nga një ushtri pa kokë dhe pa kapele e lëshuar rrugëve, e tradhtuar dhe braktisur në një trupë, që përditë e më shumë i shërben këtij vendi dhe qytetarit në mbrojtje të ligjit, të rregullit dhe në funksion të vendosmërisë sonë për të bërë shtet. Edhe Policia e Shtetit ka nevojë si çdo institucion tjetër të përmirësojë punën e saj. Edhe Policia e Shtetit ka problematikat e saj të këtij transformimi dhe kësaj rritjeje të padiskutueshme të fuqisë së saj në territor dhe këtu nuk ka diskutim.

Të ardhurat nga trafikimi dhe lejimi me dashje, apo përfshirja e policisë në trafikun e hashashit, mund të përdoren në zgjedhje. Shqetësimi ka ardhur si nga ministrat e LSI-së dhe nga opozita. Si i përgjigjeni?

Kjo është shenjë e sigurt që zgjedhjet po afrohen. Afrimi i zgjedhjeve krijon nervozizëm të natyrshëm te kushdo që bëhet gati të futet në një garë dhe unë nuk i marr seriozisht këto lloj shprehjesh nervoze të një politike që luan pa top. Të luash me top është diçka, të luash pa top është diçka tjetër.

Ju kanë kërkuar partnerët ndërkombëtarë të shkarkoni ministrin Tahiri?

Unë jam Kryeministër i Shqipërisë dhe nuk marr kërkesa dhe as urdhra, këshilla, apo porosi, nga asnjë partner ndërkombëtar për ekipin qeveritar, apo ato që janë detyrat e mia kushtetuese. Së dyti, asnjëherë, askush nuk më ka kërkuar asgjë për ministrin e Brendshëm në funksion negativ.

As LSI-ja?

Asnjëherë, në asnjë rast, në asnjë bisedë ne nuk kemi diskutuar për ministrin e Brendshëm, kemi diskutuar për përmirësimin e mëtejshëm të punës edhe në Ministrinë e Brendshme, edhe Policinë e Shtetit, betejën kundër kultivimit të kanabisit dhe domosdoshmërinë për të përmirësuar më tej rezultatet. Rezultatet jam i bindur që duken në vijimësi, siç janë dukur më parë.

Nëse LSI-ja kushtëzon koalicionin në zgjedhjet e ardhshme me mosqenien e Tahirit ministër i Brendshëm, do ta merrni në konsideratë?

Koalicioni nuk funksionon kështu, nuk ka funksionuar asnjë ditë kështu dhe nuk mund të funksionojë asnjëherë kështu. Nuk flas vetëm nga pozicioni im, por eksperienca e gjithë kësaj kohe që kemi qenë në koalicion.

Kreu i LSI-së ka folur për 71 mandate, nëse i keni është i gatshëm të dalë në opozitë. Ju keni thënë se i keni…

Këto janë të gjitha fjalë, nuk kanë asnjë rëndësi. As të thëna nga aleati im, as nga unë dhe as nga ju në emër të aleatit tim dhe timin. Rëndësi ka që ne jemi prag të mbarimit të një mandati, që është pjesa e parë e një ndeshjeje vendimtare për të bërë shtet, për të vendosur rregull dhe krijuar kushtet që në këtë vend të kemi një ekonomi, që funksionon për të gjithë dhe krijon mundësinë përmes rregullit. Të tjerat janë vetëm fjalë. PS është një forcë që ka dhe ndien përgjegjësi të madhe, është forca më e madhe në vend që ka udhëhequr këtë mandat, ka çarë një rrugë jashtëzakonisht të vështirë reformash, është forca që do t’u sigurojë shqiptarëve zbatimin e Reformës në Drejtësi, forca që është në koalicion strategjik me LSI-në. Këtu nuk ka as pyetje dhe as pikëpyetje. Ne do të ballafaqohemi me shqiptarët, me arritjet tona, defektet tona, gabimet. Janë shqiptarët që do vendosin.

Po negocioni një marrëveshje me LSI-në, apo do të jetë hajt se flasim?

Nuk pranoj ministra që komentojnë punën e qeverisë, jo më të komentoj çfarë thonë ministrat e mi, çdo ministër thotë atë që mendon brenda pozicionit tij. Nuk po negociojmë absolutisht asgjë. Jemi të fokusuar te punët dhe problemet. Po përfundon pjesa e parë e ndeshjes, nuk ka pushim. Do të shkojmë në zgjedhje.

Deri kur do ta prisnin LSI-në?

Nuk po presim LSI-në, po ecim drejt në rrugën tonë bashkë me LSI-në dhe do të shkojmë në zgjedhje secili me programin e vet, alternativën e vet, pavarësisht jemi apo nuk jemi bashkë në një koalicion dhe shqiptarët do të gjykojnë. Çdo parti, pavarësisht se është në koalicion, u kërkon zgjedhësve atë çfarë ajo ofron. Për PS-në, nuk ka as pyetje dhe as pikëpyetje.

A ndikon pushteti lokal në marrëdhëniet e koalicionit me LSI-në. Durrësi ishte shembull…

Jam i sigurt që shikoj më larg. Qytetarët kanë pulsin e tyre dhe unë kam pulsin tim. Ajo që mund të them është që Durrësi nuk ka qenë asnjëherë më mirë se sot, falë lidershipit të kryetarit të bashkisë. Nëse një buxhet nuk është miratuar momentin e parë dhe është miratuar në momentin e dytë, tregon që koalicioni funksionon. Partitë kanë ide dhe pikëpamje të ndryshme.

A jeni konsultuar me LSI-në për PDIU-në?

Ftesa për PDIU-në është bërë bashkërisht me bashkëkryetarin e koalicionit. Presidenti do të mbledhë të premten Këshillin e Sigurisë Kombëtare për çështjen Balili. Do të merrni pjesë? Nuk do të marr pjesë në Këshillin e Sigurisë, nesër do të jem në Kosovë. Nuk mund të jem në atë mbledhje. Nuk do të bëj asnjë koment, derisa e ka thirrur kryetari i Kuvendit e Presidenti

A keni pasur presion për arrestimin e Balilit?

Qeveria as nuk ka dhe as nuk pranon presion nga asnjë shtet. Ambasadorit ia kam thënë miqësisht. Absolutisht në shqetësimin për ta vendosur përpara drejtësisë këtë personazh kaq të përfolur dhe këtë eksponent të krimit është një shqetësim i përbashkët. Ama, çdo paragjykim dhe çdo insinuatë që moskapjen e tij e lidh me mungesë vullneti nga ana e qeverisë, mungesë vendosmërie nga ana e Policisë së Shtetit është krejtësisht pa vend. Dhe meqë këtij ditëziut ia kanë vendosur nofkën e “Eskobarit”, atëherë unë e kam kujtuar dhe rikujtoj që fakti që “Eskobari” e torolisi një shtet, superfuqi për vite të tëra, fakti që e bëri Amerikën vendi ku gjeneronte 60 miliardë dollarë çdo vit, nuk do të thotë se “Eskobari” kishte mbështetje te Shtëpia e Bardhë, apo kishte korruptuar DEA. Nuk duhet të hedhim baltë pa dashje mbi Policinë e Shtetit. Ata që duan t’i hedhin baltën është një politikë shpif-shpif.

Roli juaj me Serbinë. Keni një lloj afrimiteti me Vuçiç. Çfarë dobie ka kur nuk lejon zbatimin e interkonjeksionit me Kosovën, ngre murin në Mitrovicë, treni poshtërues…etj.

E vërteta është që treni poshtëroi Serbinë, jo Kosovën. Një tren elektoral. Një karikaturë gjigante e dronit që hyri në stadiumin e Beogradit ishte pak një provokacja që të bënte për të qeshur, ndërkohë që treni të bën për të qarë për nivelin ku bie një politikë e caktuar e një vendi fqinj ku ne duam miqësi. Çdo përpjekje për paqe shërben. Është e habitshme se si ne nxitojmë të biem pre e një histerie për një gjest të dëshpëruar që karakterizon palën tjetër.

Muri në Mitrovicë nuk është karikaturë…

Muri është një tjetër shprehje e dëshpërimit që vjen nga ajo që kam thënë Beograd. Për sa kohë Serbia nuk njeh Kosovën, nuk do të çlirohet nga një makth i saj. Muri është një problem që ne shqiptarët kemi forcën ta zgjidhim me durim përmes paqes, jo përmes acarimit dhe përfshirjes në një politikë konfliktuale, ashtu si fletarrestet. Ndodhi arrestimi i atij tjetrit që u arrestua në Serbi, kam thënë që këto fletarreste duhet të fshihen. Është e pabesueshme që disa vende nuk ia kanë fshirë. Disa vende të tjera Ramush Haradinaj lëviz lirisht. Nuk besoj që shqiptarët kanë një rrugë tjetër se sa kjo që kemi ardhur deri këtu. Nuk kemi qenë kurrë pala që është bërë sebep për turbullira të mëtejshme. Kemi qenë pala që kemi qëndruar me shumë stoicizëm. Kemi shembullin e Ibrahim Rugovës. Për vite e vite me një qëndresë që dikush mund ta konsiderojë si shprehje të dobësisë. Nuk duhet të kalojmë cakun tonë që i kemi vënë vetes dhe na ka sjell deri këtu. Jemi një popull europian, i çliruar nga e kaluara sepse kemi ardhur deri këtu, falë një historie që na ka vendosur në anën e duhur. Si mund të shkojmë ne deri në halucinacione që duhet të mbledhim ushtrinë? Shqipëria dhe Kosova kanë një të ardhme të ndritur. Jemi në një pozicion strategjik. Nëse kemi probleme dhe Kosova ka probleme janë probleme të brendshme.

Si e shikon të ardhmen e Ballkanit, kur 7 shqiptarë dënohen me burgim për shqiponjën?

Jetojmë në një rajon, kur para 20 vjetësh zhvillohej kasaphanë, ku nuk numëroheshin të vdekurit. Janë gjëra që nuk duhet të ndodhin…

Pse nuk e keni vizituar Greqinë?

Nuk janë krijuar kushtet. Do ta prisja me kënaqësi një vizitë, ashtu sikurse pres Kryeministrin grek. Nuk janë krijuar kushtet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura