Vetëhelmohet gjatë orës së mësimit studentja 19 vjeçare. Familjarët i kishin kërkuar stafit të Fakultetit ta mbanin afër, vuante nga depresioni

Mar 25, 2015 | 12:36
SHPËRNDAJE

Një studente e vitit të parë në Universitetin Politeknik në Tiranë i ka dhënë fund jetës duke pirë dy kokrra fostoksinë. 

Universiteti Politeknik

Ngjarja ka ndodhur ditën e premte, kur 19-vjeçarja nga Laçi, Megi B., ndodhej në ambientet e auditorit gjatë një ore leksioni. Burime nga Policia e Tiranës thanë se studentja ka konsumuar kokrrat në fillim të orës së mësimit dhe brenda pak minutash ka filluar të ndjehet keq.

Kanë qenë shokët e shoqet e saj të klasës që kanë konstatuar problemin e saj shëndetësor dhe kanë kërkuar ndihmën e profesorit që po zhvillonte leksionin, që të lajmëronin një autoambulancë. Vajza është dërguar me urgjencë në Spitalin “Nënë Tereza”.

Studentes i është dhënë ndihma e parë në urgjencë, më pas është shtruar në observim në Reanimacionin Qendror të QSUT, por nuk ka arritur të mbijetojë. Burime nga Policia thanë se shërbimet e Komisariatit nr.1 kanë nisur veprimet hetimore menjëherë sapo janë lajmëruar për ngjarjen.

Nga verifikimet paraprake dyshohet se 19-vjeçarja ka kryer vetëvrasjen në kushtet e depresionit. Për ngjarjen janë marrë në pyetje dëshmitarët, që janë disa studentë të Inxhinierisë Elektrike dhe profesori që po jepte leksione në momentin kur vajza u ndje keq papritur.

HETIMI
Policia e Tiranës tha dje se: “Më datë 20 mars 2015, në ambientet e një Universiteti shtetëror në Tiranë, dyshohet se në gjendje depresioni, është vetëhelmuar me fostoksinë shtetësia M.B, 19 vjeç, banuese në Laç, studente, e cila vdiq në spital”.

Burime nga grupi hetimor thanë se nga deklarimet që kanë dhënë në Polici studentët dhe pedagogët e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike, nuk është mësuar ndonjë gjë konkrete rreth motivit të ngjarjes. Ndërsa prindërit dhe vëllai i viktimës kanë konfirmuar dyshimet e Policisë për ndonjë moment depresioni të saj.

Sipas tyre, vajza kishte shfaqur edhe më parë probleme depresive, madje edhe ishte kuruar dhe në shkollë ishte dorëzuar edhe një kartelë e saj, ku i ishte kërkuar stafit të Fakultetit që t’i qëndrohej afër.

Ndërsa gjatë një vizite që kishte kryer kohët e fundit, mjekët kishin këshilluar familjarët që në këtë periudhë, kur ndryshon klima dhe temperatura, gjendja e saj mund të ishte më delikate dhe i duhej qëndruar më shumë afër. Sipas familjarëve, ajo nuk ka pasur asnjë problem tjetër përveç depresionit, pasi edhe me provimet e sezonit që kaloi prej gati dy muajsh, ajo ishte ndarë mirë. 
ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura