Veseli i “Big Brother” më në fund hap zemrën: E dua Tean, planet tona për të jetuar si çift

Aug 1, 2015 | 13:08
SHPËRNDAJE

tea
Zgjodhi të hidhte pëlhurë misteri mbi veten dhe Tean, sa për të na shtuar kuriozitetin e çiftit që puthen vetëm me dyer të mbyllura. Vesel Kurtishaj çdo gjë e bën me kast, për të fituar atë çfarë do. Pas çekut të “Big Brother 8”, ai tani ka fituar të dashurën që synonte në lojë, Tean. Për puthjen e vonuar, lidhjen në distancë dhe të ardhmen si çift, Veseli flet për herë të parë për gazetën “Panorama”. Ai na tregon edhe për planet në karrierë, dhe për çfarë do t’i investojë 50 mijë eurot e fituara në “BB8”.

 Më në fund e puthe Tean në publik, pse kaq vonë?
Puthja që ju keni parë në foton e publikuar nga ne vetë, nuk është puthja e parë që ne kemi shkëmbyer. Ajo ishte thjesht një puthje që ne e bëmë publike, sepse puthja e parë ndodhi më herët. Pse pritëm pak gjatë? Pritëm sepse dëshironim që hapat t’i hidhnim të sigurt, të ishim të bindur të dy për atë që ndjenim për njëri-tjetrin. Gjithashtu dëshironim që gjithçka të jetohej në privatësinë tonë, ashtu siç donim ne vetë të ndodhte, pa qenë të kushtëzuar nga rrethana të jashtme. Dhe mendoj se kemi bërë zgjedhjen më të mirë, sepse ishte shumë më bukur.
tea2
Dhe si po shkon lidhja në stilin tuaj?
Lidhja jonë po shkon më së miri, pasi ne i dhamë kohë njëri-tjetrit për t’u njohur më mirë. Për këtë arsye marrëdhënia mes nesh tashmë është konsoliduar dhe forcohet çdo ditë e më shumë.

Ku po pushoni, a i keni kushtet për ta shijuar si duhet këtë verë?
Për momentin po bëjmë pushime të përkohshme, mes Prizrenit e Tiranës, por edhe duke shijuar bregdetin shqiptar. Pushimet stabël mendojmë t’i bëjmë në gusht, ndoshta nga mesi i muajit, diku jashtë Shqipërisë e Kosovës. Datën nuk e kemi vendosur ende, por një gjë është e sigurt, që do i kalojmë vetëm me njëri-tjetrin.
Untitled-1
Distanca është një tjetër realitet në lidhjen tuaj. Arrini ta menaxhoni me të mirat dhe të këqijat e saj?
Po është e vërtetë që një pjesë të kohës ne jetojmë edhe larg njëri-tjetrit, në distancë. Kjo largësi ka të mirat dhe të këqijat e veta. Deri tani e kemi menaxhuar shumë mirë këtë pjesë, jemi në kontakt me njëri-tjetrin gjatë gjithë kohës, edhe pse kjo ka atë pjesën që të merr malli, do ta kesh afër e të flasësh me personin që do. Por prapë ka të mirat e veta, sepse takimet pas kohës që mund të jemi larg njëri-tjetrit, janë momente shumë të bukura, me emocione të forta, që shuajnë çdo distancë të mundshme.

Çfarë ke zbuluar te Tea duke e njohur?
Unë nuk kam zbuluar asgjë të re te Tea, pasi gjithmonë e kam ditur se kush është ajo vajzë. E kam studiuar që në shtëpinë e “Big Brother”, ndërsa jashtë thjesht vërtetova se të gjitha ato vlera që ia kisha parë aty brenda, i mbarte dhe në realitet, përpos bukurisë fizike që e ka të dukshme.
Untitled-2
Si të dashurën në krahun tënd si do ta përshkruaje?
Tea siç është e bukur në pamje, ka të bukur edhe brendinë e saj. Është e ëmbël, e brishtë, por edhe me karakter të fortë në të njëjtën kohë, është e zgjuar dhe shumë krenare për veten. Është dhe shumë kreative, vajzë e talentuar ndaj mendoj se një ditë do të bëhet stiliste shumë e zonja.

Është ajo femra speciale për shijet e tua?
Tea është speciale për mua, sepse mbart tiparet që unë preferoj te një femër. Para së gjithash, ndjenja që përjetoj për të është shumë e veçantë.

Keni plane për bashkëjetesë me Tean, kur dhe ku?
Duke qenë se ne jetojmë larg, si fillim njërit prej nesh do t’i duhet të shpërngulet pranë tjetrit. Në bazë të ofertave që kam, ka shumë gjasa që do të jem unë ai që do të shpërngulem në Tiranë. Dhe përderisa Tea jeton në Tiranë, mund të vijë dhe bashkëjetesa ashtu si ka ardhur çdo gjë tjetër natyrshëm, në kohën dhe vendin e duhur. Për momentin po shijojmë pushimet e “post BB”. Pjesa e bashkëjetesës pastaj mbetet të diskutohet e shihet pas mbarimit të verës.

Jeta jote profesionale si po shkon? Me çfarë do të angazhohesh tani e tutje?
Besoj se do të ketë ndryshime për sa i përket jetës profesionale, por gjithçka mbetet të shihet pas shtatorit, muaj në të cilin do të përzgjedh me vëmendje ofertat që më janë bërë dhe pastaj do të vendos.

E tërhoqe çekun prej 50 mijë eurosh të çmimit të madh, dhe për çfarë do t’i investosh?
Paratë nuk i kam tërhequr ende, çështje procedurash. Por kur t’i marr, megjithëse nuk e kam vendosur se për çfarë konkretisht do t’i investoj, por mendoj për një sipërmarrje që do të më sjellë fitime në vazhdimësi.

Cila është ajo vlerë që të identifikon si djalë, dhe që mund ta përdorje me dëshirë shprehjen “Vesel je vetë?
Fisnikëria, maturia dhe ndjeshmëria që kam ndaj njerëzve. Të sjellurit me klas ndaj atyre, janë vlerat që më identifikojnë si mashkull e që unë me shumë dëshirë për dikë që i ka si unë, do përdorja shprehjen “Vesel je vetë!”

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura