Vesa Luma: Jam shumë xheloze për Big Bastën

Mar 31, 2015 | 11:35
SHPËRNDAJE

‘’Në projekte mundohem që të mos e teproj me ekstravagancën, ‘Boom’ na ka lidhur më shumë”

‘’T’kan fol keq për mu’’ është një nga klipet më të fundit të Vesa Lumës që ka vetëm një javë që është lançuar. Në këtë projekt këngëtarja shfaqet më shumë provokuese se në projektet e tjera. E, në një bisedë të fundit, ajo shprehet kështu për lidhjen me Big Bastën: ‘’Klipi dhe kënga më e re sa ka dalë, është një këngë ritmike, sepse ka kohë që njerëzit më thonë pse nuk kthehem me këngët ritmike që kam pasur dikur. Para dy vitesh, unë doja të bëja një album me këngë për shijen time e nuk kam menduar për shije të tjera dhe jam kënaqur shumë se mendoj që këngëtarët e kanë dhe duhet ta kenë një fazë që të mendojnë se çfarë janë duke bërë.  Unë kur shkoj në xhirime, e bëj aty për aty skenarin dhe gjithçka tjetër, e më pas vendos që të mos e teproj me ekstravagancën’’,  shprehet Vesa, e cila kohët e fundit më së shumti jeton në Tiranë. ‘’Tirana është e  veçantë se  kam dashurinë aty, më ka afruar shumë dhe më ka lidhur, është një vend që gjithmonë ke çfarë të bësh, nuk funksionoj nëse nuk shoh pak diell.’’ E, për sa u përket ushqimeve që i mungojnë nga Prishtina, ndonëse parapëlqen brumërat, ajo thotë: ‘’I kam lënë bumërat për shkak të formave trupore’’.  

Po çfarë i pëlqen më së shumti tek i fejuari i saj? ‘’Njeriu nganjëherë ka një kimi, unë e konsideroj atë si gjysmën time, sepse asnjë vendim s’e marr pa mendimin e tij dhe e kundërta. Po funksionon më së miri lidhja jonë dhe kemi pasur edhe koncerte bashkë. Ajo çfarë më bën përshtypje, është se kam dashur të kem afër dikë që e respekton punën time se unë muzikën e kam dashuri të parë dhe të fundit. Kam menduar nëse do gjej një djalë të profesionit të ngjashëm, sepse ai do më kuptonte shumë. Bigu është i respektueshëm shumë e,  për sa i përket xhelozisë, është në suaza të normales. Unë jam më shumë, nuk e di pse, por ndoshta në profesionin tim dua t’i kontrolloj gjërat vetë. Ai nuk më jep arsye, por besoj që disa vajza duhet të më kuptojnë’’, thotë këngëtarja Luma, e cila shprehet se projekti Boom i ka bashkuar më së shumti me Big Bastën. ‘’Projekti që dua më së shumti është dueti Boom me Bigun, sepse ka qenë ky projekt që na ka lidhur shumë. Është e vetmja që kur e dëgjoj, e ngre volumin në maksimum, si dhe balada ‘Edhe për mua do ketë një zemër’. Vesa ndihet e zhgënjyer edhe nga disa njerëz që nuk e ka pritur, të cilët e kanë bërë më të fortë sesa ka qenë. ‘’Jam zhgënjyer disa herë nga njerëzit që s’e kam pritur, por ata më kanë forcuar dhe më kanë bërë ta kuptoj më mirë jetën. Nuk është mirë t’i besojmë gjithkujt, se njeriu i merr vendimet vetë më mirë se të tjerët. Ka kohë që nuk jam zhgënjyer se ka ardhur një periudhë që i kam kuptuar njerëzit se kush e meriton të jetë në rrethin tim e kush jo’’, përfundon bisedën e saj këngëtarja e njohur, Vesa Luma.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura