Vera Sahatçiu, e ëma e këngëtares: Rita, ambicioze që fëmijë, na ka bërë të famshëm

Mar 16, 2015 | 13:44
SHPËRNDAJE

Një vizitë në Londër, që do të kthehej në qëndrim përgjithmonë. Sakrifica e dy prindërve, një regjisori e një mjekeje, për të bijën, edukimi në një nga shkollat më të shtrenjta të Londrës deri në shndërrimin në një yll të muzikës botërore, me emrin Rita Ora. Fillimet e para të këngëtares, marrëdhënia me motrën dhe të vëllain. Si e ndryshoi fama e Ritës familjen Sahatçiu. Të gjitha të rrëfyera nga e ëma, Vera…

Rita Ora, me të ëmën e të atin
Kur çifti Sahatçiu vendosi të vinte për një vizitë të shkurtër në Londër, në vitin 1991, ende nuk e dinte se ky udhëtim do të shënonte një nisje të re në jetën e tyre. Me dy vajzat e vogla, Elenën 2 vjeçe dhe Ritën të sapolindur erdhën për të shijuar bukurinë e Londrës, por sa më shumë kalonin muajt, aq më shumë u lidhën me këtë qytet mahnitës dhe dita e kthimit gjithnjë veç shtyhej për më vonë. Besniku, i cili kishte kishte provuar bukurinë e Londrës gjatë kohës që kishte ardhur për t’u specializuar për gjuhën angleze në vitin 1986, ishte kthyer në Prishtinë pranë familjes për të ndërtuar jetën e tij atje, në vendin e vet.
I ati, regjisori i famshëm nga Prishtina, Besim Sahatçiu, i kishte dhënë atij mundësinë të edukohej dhe shkollohej në Perëndim dhe sërish jeta e Besnikut do të vijonte të ishte e gjallë, plot aktivitete të zhvilluara në një rreth të zgjedhur artistësh në Prishtinë. Më vonë janë njohur me Verën, vajzën e bukur kosovare, e cila sapo ishte kthyer nga Rusia ku kishte mundur të kryente studimet për Mjekësi. Kështu e ka nisur jetën çifti i ri, që pas investimit që kishin bërë për shkollimin e tyre, kishin shumë ëndrra të tjera për të realizuar. Besniku, i dashuruar pas Londrës, i kishte folur shpesh të shoqes për këtë qytet magjik dhe asaj i ishte ngjallur po aq sa edhe atij dëshira për të bërë gati valixhet drejt saj, për të shkelur në rrugët ku kishte kaluar një pjesë të rinisë bashkëshorti i saj.
Rita Ora, vite më parë kur ende nuk ishte bërë e famshme sa sot, me të motrën Elenën dhe vëllain e vogël, Don
Dhe kjo aventurë e tyre nisi me këtë dëshirë. Ishte viti 1991 kur bashkë me dy vajzat e tyre të vogla erdhën në Londër për të mbetur gjatë dhe për t’u futur në histori me famën që së shpejti do të ndërtonte vajza e tyre, Rita. Ishte vetëm 6 vjeçe kur Rita filloi të angazhohej me aktivitetet artistike të shkollës, na tregojnë Vera dhe Besniku. Flasin me shumë nostalgji për atë kohë. Nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse jeta në vend të huaj në fillim është gjithnjë e panjohur.
E megjithatë, ata po shihnin se sa shumë mundësi kishin tashmë për vajzat e tyre dhe, dashur pa dashur, kishin marrë vendimin që të mos ktheheshin për pak në Kosovë. “Nuk ishte e lehtë të ktheheshe kur shihje mënyrën se si trajtoheshin dhe rriteshin fëmijët tanë këtu, në kopshte, në shkolla, në kurse, në aktivitete. Ishte një mundësi që nuk mund t’ua mohonim”. Sidoqoftë, ata gjithnjë e kishin lënë të hapur bisedën e kthimit deri sa një ditë u përballën me dhimbjen e luftës së Kosovës në 1999 dhe përfundimisht menduan se ëndrra e tyre për të jetuar sërish në Prishtinë po thërrmohej.
Rita ndërkohë po rritej në një ambient ku dominonte paqja, dashuria, mirëqenia, stimulimi për të ecur përpara. Në këtë realitet, vajza e vogël e familjes Sahatçiu që kishte emigruar nga Kosova, po shpërfaqte e çlirët të gjitha potencialet e saj, dhe në këtë mënyrë aftësitë e saj sa vinin e rriteshin. Gjithnjë e kishte ndjerë këtë lloj vale brenda vetes, sikur ia ndiente zemra se çfarë ishte shkruar në fatin e saj, ndaj asnjëherë nuk u ndal së besuari se do të bëhej ajo që gjithnjë ka dashur të bëhet. Me të tillë energji filloi t’i shfaqte menjëherë shenjat gjeniale në rrethin e shkollës. Talenti i saj ra në sy të mësuesve dhe ata u sugjeruan prindërve të Ritës që një fëmijë i tillë meritonte investim. Në atë kohë Besniku punonte në një restorant, ndërsa Vera ende nuk kishte filluar punë pasi diploma e saj nuk njihej në sistemin mjekësor anglez. Për më tepër ajo ende nuk ndihej konfidente me gjuhën. Ndaj kaluan vite dhe kohën e saj ajo e dedikoi vetëm në funksion të vajzave. Me gjithë vështirësitë financiare që mund të kenë pasur në fillim, si çdo emigrant, ata vendosën që Ritën ta dërgonin në një shkollë private, aty ku studionin fëmijët më të talentuar të Anglisë dhe pranimi bëhej me konkurs.
Sigurisht që Rita i ka marrë menjëherë pikët që i duheshin për t’u pranuar në këtë shkollë dhe me personalitetin e saj ajo arriti që të integrohej shumë shpejt në atmosferën e këtij institucioni gjigant që prodhonte çdo vit artistë. Kur u regjistrua në shkollën e “Sylvia Young Theatre School”, një nga më të famshmet në Angli në këtë fushë, familja Sahatçiu duhej të mendohej mirë – pagesa vjetore në këtë kolegj ishte një shumë marramendëse, sakrificë që pak shqiptarë kishin mundësi ta bënin. Ndërsa Besniku me Verën nuk u menduan gjatë. Ata ishin të bindur në talentin e vajzës së tyre, ndaj në një mënyrë apo në një tjetër ata po parashikonin famën e saj në të ardhmen.
Rita Ora me të ëmën, Verën
Aty nisi edhe rrugëtimi i Ritës ndaj famës – gjithnjë e etur për të ecur përpara dhe për të arritur suksese, Rita qysh fëmijë arriti të binte në sy, te mësuesit, shokët dhe shoqet e madje edhe tek artistët që vinin herë pas here në shkollën e saj për të rekrutuar fëmijë të talentuar në projektet e tyre. Rita, jo vetëm me talentin e saj të admirueshëm, por edhe me një personalitet të shëndetshëm e të gjallë kishte aftësitë të bënte shumë miq, të ishte pjesë e rretheve të rëndësishme artistike. Në klasë ishte bërë shumë shoqe me Money, vajza e këngëtares së famshme angleze Misha Paris. Të dyja të kudogjendura në aktivitete qysh në moshë të vogël bëhen pjesë e roleve në filma, pjesë teatrale dhe këndojnë për koncerte të ndryshme. Por historia e Ritës do të merrte kthesë një ditë të bukur pranvere, kur bashkë me të ëmën Verën kishin dalë të shëtisnin në një park. Ishte një ditë feste dhe grupet artistike lokale kishin organizuar një koncert festiv në fushë. Rita, ashtu siç na tregojnë Vera me Besnikun, ka qenë një fëmijë që gjatë gjithë kohës nuk e hiqte këngën nga goja. Në çdo vend dhe në çdo kohë atë e gjeje duke kënduar. Madje, i ati i kishte instaluar në dhomën e saj pajisje moderne muzikore dhe ajo gjithë kohës me të motrën mbyllej aty duke kënduar dhe eksperimentuar me muzikën. Të tillë valë ndjeu edhe atë ditë teksa ecte në park me të ëmën, Verën. “Sa do doja të dilja edhe unë të këndoja një këngë” i ka thënë asaj, dhe Vera ka biseduar me organizatorët. Papritur Rita e ka parë veten në skenën e improvizuar të parkut duke kënduar.
Dhe reagimi ka qenë i magjishëm. Publiku është mahnitur nga interpretimi i Ritës, por fati gjithashtu kishte qenë në atë park me të. Pasi ka mbaruar, dy agjentë muzikorë janë afruar pranë tyre dhe i kanë drejtuar Verës një kartëvizitë duke i ofruar një mundësi takimi me një shtëpi diskografike. Ata kishin dalë enkas për të zbuluar potencialin e ndonjë talenti dhe kishin goditur në shenjë. Që atë ditë shumë gjëra filluan të ndryshojnë në jetën e Ritës. Me mbështetjen e prindërve aventurat e saj drejt këngës vazhduan edhe më tej, për t’u afirmuar shumë shpejt në tregun ndërkombëtar muzikor. Ajo pati fatin të përfshihej rishtazi në projekte dhe klipe muzikore, por ende nuk kishte arritur kulmin e shpërthimit të saj, deri sa një ditë fati e takon me Jay-z, muzikanti me famë botërore, si dhe me Beyoncen, këngëtaren, divën e kohëve të sotme. Tani fama e saj ka kaluar përtej kufijve dhe bashkë me emrin ajo merr me vete edhe identitetin dhe origjinën e saj. Në një kohë kur shqiptarët kanë filluar t’i lakojnë duke komentuar filmin “Taken”, arti dhe magjia e Rita Orës ka fuqinë të zbehë famën e keqe dhe ndërtojë një emër të mirë për gjithë bashkatdhetarët e saj. Arti ka pasur gjithnjë fuqi për të shëruar marrëdhëniet e brishta dhe delikate, dhe gjithnjë ka shërbyer për të promovuar kulturën e një vendi. Vajza e familjes Sahatçiu duket se ka ardhur në këtë jetë në Orën e saj dhe akrepat e saj sapo kanë filluar të lëvizin drejt një të ardhmeje brilante.

Tashmë familja juaj është bërë një nga më të famshmet dhe gjithë shqiptarët ju ndjekin me admirim. Si po e përjetoni famën e vajzës suaj Rita?
Ashtu siç do të ishte ndjerë çdo prind, realisht ndihemi shumë krenarë për Ritën. Na ka sjellë shumë gëzim suksesi i saj. Është si një mrekulli, dhe ne po e përjetojmë në mënyrë të magjishme. Tani Rita nuk na përket më vetëm neve, familjes tsnë, por gjithë shqiptarëve. Fama e saj ka kaluar çdo lloj parashikimi dhe ne si prindër na jep një kënaqësi të jashtëzakonshme.
Si ishte Rita e vogël? A e dinit që atëherë se ishte një vajzë me talent dhe premtonte të ardhme?
Kur ishte e vogël, Rita ishte një fëmijë shumë e gjallë dhe qysh atëherë dallonte nga të tjerët, sepse gjithnjë donte të ishte në qendër të vëmendjes. Herë duke kënduar, herë duke imituar ndonjë karakter të ndonjë filmi apo herë-herë tërhiqte vëmendjen edhe me veshjet e saj. Ka qenë një fëmijë i paparashikueshëm, tepër e aftë për të të bërë për vete dhe gjithnjë dinte t’i fitonte gjërat që donte.
Mund të na tregoni një histori nga fëmijëria e saj që ju ka mbetur në mendje?
Rita ishte një fëmijë që çdo ditë shkruante historinë e saj. Duke qenë e vogla, pas Elenës, ajo e kishte kuptuar se gjithë familja ishte në funksion të dëshirave të saj. Ndaj që e vogël, kur ne e zbuluam si talent, investuam duke e dërguar në shkollën më të mirë dhe duke e ndjekur në të gjitha aktivitetet e saj.
Rita, përveç talentit, me sa duket ka edhe një personalitet të fortë dhe të veçantë. Po ju çfarë keni vënë re të veçantë te Rita teksa ajo rritej?
Po është e vërtetë. Që e vogël ka pasur një personalitet të veçantë. Por, pavarësisht se ishte një fëmijë i shkathët e plot ambicie, Rita është një vajzë shumë e thjeshtë, e dashur, e hareshme e gëzuar, që dinte të gjente lumturinë në gjithçka. Ajo i donte shokët e saj pa masë dhe akoma vazhdon t’i ruajë lidhjet me miqësitë e vjetra. Edhe tani që është e angazhuar me shumë aktivitete, ajo e gjen kohën për shokët dhe shoqet e saj dhe mblidhen shpesh së bashku. Ajo mundohet që t’i ndajë me ta gëzimet dhe sukseset e karrierës. Ka një dëshirë të madhe të arrijë atë të cilën ia vë vetes si detyrë, dhe nuk qetësohet deri sa ta arrijë qëllimin.
Po thoni se vazhdon t’i mbajë lidhjet me miqësitë e vjetra. A janë edhe shoqet e Kosovës pjesë e kësaj miqësie?
Po, pikërisht, janë një grup shoqesh të një moshe, të cilat janë rritur së bashku në Londër. Rita dhe Elena (motra e Ritës) kanë pasur një rreth të gjerë shoqesh nga Shqipëria dhe Kosova. Duke qenë se ne si prindër jemi shoqëruar me shqiptarë (të Kosovës dhe Shqipërisë) të tjerë këtu në Angli, natyrisht dhe fëmijët tanë janë takuar gjithnjë. Kanë qenë gjithnjë bashkë në festa të ndryshme si Viti i Ri apo ditëlindjet e fëmijëve, ku të gjithë ne jemi munduar t’ua bëjmë qefin me party. Kështu i kemi mbledhur fëmijët bashkë në mënyrë që të njohin njëri-tjetrin dhe të ruajnë identitetin kombëtar, kjo është meritë e të gjithë emigrantëve shqiptarë në Angli. Shumë studime thonë se fëmijëria luan një rol shumë të rëndësishëm në personalitetin e njeriut.
Sa rol keni luajtur ju si prindër në formimin e saj si artiste?
Ne jemi munduar që fëmijëve tanë t’u japim dashurinë dhe edukatën, sensin e krahasimit mes të drejtës dhe të gabuarës, t’i inkurajojmë në ëndrrat e tyre fëmijërore dhe t’i shkollojmë në mënyrën më të mirë sipas kushteve.
Po me motrën dhe vëllain si i ka pasur marrëdhëniet Rita? Si i mbani mend ju?
Elena, vajza jonë e madhe, gjithnjë duhej t’ia bënte qejfin Ritës se ajo qante pa fund deri sa të realizonte dëshirat e veta. Për të, nuk kishte kthim mbrapa. Prandaj shpesh ne si prindër gjithnjë i thoshim “Elena, lëre Ritën se ti je më e madhe, bëja qefin motrës së vogël”. Tani duket sikur ndihemi në faj para Elenës, na vjen keq që i kemi kërkuar që ta tolerojë më shumë Ritën, sepse edhe ajo e vogël ishte. Mbajmë mend kur na thoshte Elena “po pse unë duhet t’i lëshoj radhën asaj gjithmonë”. Mes fëmijëve këto janë gjëra normale, dhe sigurisht që me kalimin e kohës lidhja e tyre prej motrash u forcua edhe më shumë dhe dashuria e tyre për njëra-tjetrën sa vjen e shtohet. Ato, ashtu siç ishin të pandara në fëmijëri (luanin bashkë, flinin bashkë, përqafoheshin, duheshin e grindeshin), edhe sot janë gjithkund bashkë dhe e mbështesin fort njëra-tjetrën. Ndërsa djali i vogël, Doni, lindi kur Elena ishte nëntë vjeçe, ndërsa Rita ishte shtatë. E kanë dashur shumë vëllain e tyre gjithmonë, i kanë dhënë një dashuri të pakufishme dhe sot të tre kanë një marrëdhënie të shkëlqyer njëri me tjetrin. Edhe pse Rita tani është bërë shumë e famshme, marrëdhënia e tyre nuk ka ndryshuar aspak, përkundrazi është forcuar dhe bërë më e bukur.
Po ju vetë si po e menaxhoni faktin që jeni bërë të famshëm dhe shumë të kërkuar? A ka ndryshuar shumë jeta juaj mbas kësaj?
Jo, nuk do të thosha se jeta jonë ka ndryshuar, aspak. Jeta jonë rrjedh në të njëjtat ritme, vazhdon normalisht si më parë. Që të dy ne jemi shumë të zënë me punët tona ditore. Natyrisht që njerëzit na japin përgëzime për vajzën. Ajo çfarë ka ndryshuar është se tani takohemi shumë me njerëz të showbiz-it, njerëz që më parë i kemi njohur vetëm përmes televizorit. Madje, Elena është përfshirë si pjesë e grupit të menaxhimit të Ritës, dhe kështu motrat janë sërish bashkë. Jeta e tyre ka ndryshuar në shumë dimensione, por e jona është po ajo, ka mbetur e thjeshtë në aktivitetet tona. Dhe kjo na jep shumë lumturi. Rëndësi ka që misioni ynë si prindër është kryer me sukses dhe ashtu si çdo prind gëzohet për sukseset e fëmijës së tij, edhe ne marrim shumë kënaqësi nga sukseset e vajzave tona, dhe po shijojmë rritjen e djalit, i cili është ende i vogël dhe jeton me ne.
(Marrë nga revista “Albanian Woman”)
Rita dhe Elena Ora

MIRELA SULA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura