Vera Bekteshi rrëfen internimin dhe Bllokun: Fëmijet e Enverit po të ishin të zgjuar…

Nov 9, 2018 | 10:18
SHPËRNDAJE

Vera Bekteshi ka aq shumë për të treguar për periudhën e internimit, saqë i është kthyer tri herë librit të saj autobiografik, të cilin kësaj here e ka titulluar “Vila me tri porta”.

VERA BEKTESHI (MAJTAS) FAMILJA E ENVER HOXHES
VERA BEKTESHI
(MAJTAS) FAMILJA E
ENVER HOXHES

U shtua edhe një derë në versionin e ri, – thotë ajo,- që simbolizon daljen për në jetën normale, që prej 28 vjetësh nuk po e realizojmë dot. Që në krye, ky libër u konceptua që të përshkruante rrugën se ku na çoi përpjekja për ndërtimin e një shoqërie të re, të ashtuquajtur komuniste.

Se këto përpjekje në fakt nuk bënë askënd të lumtur, përveç ndonjërit që jetoi në të gjallë ëndrrën e pushtetit të pakufizuar, atë të një pushteti diktatorial, pasojat e të cilit po i vuajmë ende, sepse sa më i madh presioni i ushtruar, aq më shumë kohë për t’u çliruar prej tij… për t’u qasur në portat e normalitetit.

Ky version, jo vetëm është më i plotë, por ka edhe tre zëra të tjerë përveç timit, janë zërat e motrës dhe dy vëllezërve të mi, që tashmë të lidhur me mjetet e shpejta të kohës nuk kemi më vështirësi për t’u marrë vesh, – do të thoshte Vera Bekteshi, fizikane e shkrimtare , e ftuar në Forumet e Universitetit Europian të Tiranës nën drejtimin e shefes së Departamentit të Komunikimit, prof.as. dr. Belina Budini.

 Prof.as. dr. Belina Budini dhe shkrimtarja Vera Bekteshi, dje gjatë takimit në “Forumet e UET”
Prof.as. dr. Belina Budini
dhe shkrimtarja Vera Bekteshi,
dje gjatë takimit në “Forumet e UET”

Gjatë këtij takimi, ajo iu kthye viteve të internimit dhe atyre të pathënave në variantet e mëparshme të librit të saj të parë. Të pranishmit i bënë pyetje edhe për jetën në Bllok dhe ajo, me sinqeritetin që e karakterizon dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, do të fliste edhe për fëmijët e Bllokut. Fëmijët e Enver Hoxhës për nga inteligjenca do t’i quante thjesht: të zakonshëm .

Të pathënat:

“Në nënndërgjegje e dija që do të dënohesha një ditë unë vetë, ose me gjithë familjen, do përfundoja te klasat e përmbysura, pasi isha tepër e lirë në atë që thosha, në mënyrën se si paraqitesha apo sillesha. Dhe në të vërtetë kisha një lloj tërheqjeje ndaj tyre, ndoshta sepse e ndieja se do të përfundoja si ata, ndoshta për shkak të një dinjiteti që shfaqnin edhe në raport me ne të privilegjuarit.

Pikërisht atë pjesë të kësaj klase kam dashur, sepse kishte edhe prej tyre servilë apo që i shërbyen regjimit. Nuk mjafton të jesh i djathtë apo i dënuar që të jesh i mirë, apo sikurse nuk mjafton të jesh komunist apo i padënuar që të jesh i keq. Të mirët e të këqijtë gjenden kudo dhe janë me përqindje në çdo komunitet, sikurse edhe inteligjentët apo budallenjtë, që sipas një studimi, janë qenia më e rrezikshme e shoqërisë. Për mua ata janë të indoktrinuarit që shërbejnë gjithnjë si mish për topat e të ligjve. Prandaj, bëj thirrje të ruhemi nga çdo lloj indoktrinimi, nga çdo drejtim që të vijë”. Dhe ndodhi që, nga një vajzë Blloku që binte në sy, e cila i kishte dhënë vetes më shumë liri nga sa koha mund të pranonte, Vera Bekteshi dhe gjithë familjarët e saj u degdisën në internim. Ashtu si ndodhte rëndom, i shoqi, diplomat, “i këshilluar” nga Partia do të ndahej prej saj. Por të paktën nuk i mori djalin.

“Të paktën na lanë fëmijët, mendoja unë dhe të tjerat në atë kohë, duke e menduar këtë gjë si një gjest human nga ana e tyre. Do ta merrnim vesh pas disa vitesh kur motra ime guxoi të martohej me një jashtë llojit, një fshatar të thjeshtë, por të jashtëzakonshëm, se çfarë do të thoshte të thyeje rregullat e vendosura prej tyre, se ç’do të thoshte të shtoje racën e klasave të përmbysura. Këto ngjarje i kam përshkruar më gjatë në variantin e tretë të librit, pra te “Vila me tri porta”.

Sot e kam pasuruar librin jo vetëm me tregimet e motrës dhe vëllezërve, por dhe me “mos-et” e mëparshme. Tani që kanë kaluar gati tri dekada nga rënia e komunizmit, ajo e ndien ende dhimbjen në lëkurë, por nuk kërkon hakmarrje. “Hakmarrja më e mirë është të shkruash me sinqeritet për atë që ke kaluar.

Por kemi nevojë për dëshmi dhe nga ata që kanë persekutuar, jo vetëm nga të rekrutuarit, por dhe nga gjithë ata që kanë kaluar kompetencat. Kjo u bën mirë në radhë të parë atyre që të shpëtojnë veten, fëmijët nga njolla që u kanë vënë, por do t’i shërbejnë edhe shoqërisë, veçse tregimi i tyre duhet të jetë krejt i sinqertë. Në këtë Shqipërinë tonë të vogël dihet gjithçka, është e kotë të fshihesh dhe është ndryshe kur mbetet dëshmi nga ata që vuajtën padrejtësisht dhe ata që po padrejtësisht torturuan, me ose pa urdhër”, – thotë ajo.

PËRGJEGJËSIA

Vera Bekteshit iu desh të linte ambientet universitare, të shkonte në internim dhe të punonte 16 vjet në kooperativë. Pasi u kthye mbrojti doktoraturën për Fizikë dhe punoi edhe 10 vite më shumë se mosha e pensionit. I lindi dëshira për të shkruar, ose më saktë për të rrëfyer atë që jo vetëm familja e saj, por edhe shumë si ajo kaluan në internim. Jo pa të drejtë historiani Dritan Egro i tha se, ajo dhe familja e saj ishin “viktima” të sistemit të ngritur nga vetë ata, por patën mundësi të marrin një shkollim, kurse klasat e përmbysura nuk e patën këtë mundësi.

Regjimi u kujdes t’i rrafshojë dhe sot ata nuk e kanë as mundësinë intelektuale të rrëfehen. Por çështja e përgjegjësisë dhe e fajit është e komplikuar. “Unë nuk kam përgjegjësi për atë që bënë, qoftë dhe prindërit e mi. Po im bir, çfarë faji kishte? Ligjet e krijuara për dëmshpërblimet e të dënuarve janë të pastudiuara mirë dhe si të tilla, të padrejta. Po ju jap një shembull, – thotë ajo:

Kanë të drejtën të pajisen me banesë dhe 1000 lekë dëmshpërblim për ditë pune, të internuarit brenda telave me gjemba. Ne të tjerët pas vitit 50′ nuk dëmshpërblehemi me asgjë, së paku të kishin pasur mirësinë të mos bënin një diskriminim kaq të hapur sepse askush nuk ka të drejtën e inkuizitorit, të caktojë shkallën e vuajtjes dhe dëmtimit të tjetrit.

U tha se do të na vinin 100 lekë për ditë pune, d.m.th. një të dhjetën e të parëve, por deri tani asgjë. Tjetra, baballarët tanë marrin një dëmshpërblim bazuar në vitet e burgut, duke i zbritur vlerën e apartamenteve dhe të letrave me vlerë, sidoqoftë është një shpërblim për dënimet e kryera. Ne të bijve as shtëpi, as dëmshpërblim në para. A ka logjikë ky ligj?

FËMIJËT E BLLOKUT

Kur flitet për ish-Bllokun, lagjen e famshme të byroistëve, ku edhe Vera Bekteshi ka jetuar në të ri, të gjithë kanë kuriozitet se çfarë bëhej aty, si visheshin, çfarë hanin. Një pyetje e drejtpërdrejtë do t’i vinte vajzës së ish-gjeneralit të lartë nga Henri Çili: Si ishin fëmijët e Bllokut. Jo pa ironi, Vera Bekteshi thotë se doza e budallallëkut edhe atje ishte e shpërndarë si kudo.

“Me sa i mbaj mend, pasi kanë qenë më të vegjël se unë, kanë qenë kokulur, modestë, por dhe aspak të zgjuar. Po të ishin pak më të zgjuar dhe më të ndejshëm fëmijët e Enver Hoxhës, të paktën do mbanin një qëndrim ndryshe ndaj diktaturës, si mbajti vajza e Stalinit apo djali i ishKryeministrit të asaj kohe Mehmet Shehut, Bashkimi.

Të tre fëmijët e tij, sipas përshkrimit të bashkëmoshatarëve dhe nxënësve të së njëjtës klasë, nuk shquheshin për inteligjencë. Sokoli ka qenë në klasë me një shoqen time, në Inxhinieri.

Ajo më thoshte se mirë që kopjonte, por ishte aq i pacipë saqë kopjonte hapur, edhe në sy të profesorit, që nuk guxonte ta denonconte. Diskreditonte veten dhe të gjithë talleshin pas krahëve me të. Por nga fëmijët e Bllokut kishte edhe që shquheshin për inteligjencë dhe që edhe tani dallohen si të tillë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura