Veprimi që po frikëson Ballkanin, Serbia merr dy avionë ushtarak MiG29 nga Rusia

SHPËRNDAJE

Serbia mori të martën dy nga gjashtë avionët ushtarak rus MiG-29, që janë pjesë e një blerje armësh ku përfshihen edhe 30 tanke të tipit T-72 dhe 30 autoblinda nga rezervat ruse. Kjo shihet si një veprim që synon forcimin e ndikimit të Moskës në Ballkan.

2D15F362-2693-48BD-B76A-16FAE9B29EAD_w1023_r1_s-933x445

Në ceremoninë e organizuar në aeroportin ushtarak afër Beogradit, mori pjesë edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Serbia do të shpenzojë gjithsej 185 milionë euro për të modernizuar avionët MIG-29, për të cilët, ka thënë presidenti serb më herët, do të duhej të paguante mbi 600 milionë euro në treg. Dy avionët që u dorëzuan të martën i janë nënshtruar riparimit të thellë.

Serbia është duke negociuar me Rusinë edhe blerjen e helikopterëve dhe sistemeve të mbrojtjes kundër ajrore. Forcat ushtarake serbe janë të mbështetura pothuajse 80 për qind në teknologji sovjetike, një trashëgimi nga Armata Popullore Jugosllave dhe planifikojnë të blejnë pajisje nga të dyja palët, Rusia dhe Bashkimi Evropian, për të përmirësuar forcat e saj ajrore të varfëruara nga luftërat ballkanike të viteve 1990.

Për vitin 2018, Serbia ka ndarë 703 milionë dollarë, për ushtrinë e saj prej 40 mijë trupash. Në vitin 2017 ajo kishte shpenzuar, 693.8 milionë dollarë.

Të martën presidenti serb tha se është duke u shqyrtuar mundësia e rivendosjes së detyrimit ushtarak për qytetarët serbë. Serbia një aleate tradicionale e Rusisë, synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ecën në vijën e ngushtë ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Një pjesë e madhe e serbëve vlerësojnë qëndrimin kundërshtues të Moskës ndaj pavarësisë së Kosovës që u shpall dhjetë vjet më parë më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimi Evropian.

Megjithatë Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.

Serbia pohon se do të mbetet ushtarakisht e paanshme, ndërsa në vitin 2017 mori pjesë në më shumë se 100 aktivitete të përbashkëta me NATO-n, ose vendet anëtare të saj, përfshirë 13 stërvitje ushtarake, shtatë aktivitete dypalëshe me Shtetet e Bashkuara dhe vetëm dy me Rusinë. /VOA

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.